10.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Budallai i bukur

    Nga Edison Ypi

    Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të sheshta deri në vjellje, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjtë tanë të bukur shfaqen kudo si tulla të njëllojta sapo dalë nga furra.

    Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet.

    Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që kemi më tepër budallenj të bukur se qen e mace nëpër shtëpira.

    Me pamje të jashtme studiuar me orë të tëra para pasqyrës, qasje refuzuese ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill në guackë mbështjellë me kakë budallallëku.

    Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, dashuria, ndjeshmëria, mëshira.

    Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike.

    Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë të gjitha frëngjitë prej nga gjithë kohës qëllojnë me shigjeta të helmatisura shqiptarët për së mbari.

    Budallenjtë tanë të bukur mahnisin dynjanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafund.

    Budallai ynë i bukur, ky tyç, ky hiç i azhornuar, është një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, modern i pështirë, progresist hipokrit.

    Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit të ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë aleatët besnikë deri në vdekje të budallait tonë të bukur.

    Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën atij, dhe nxirë gjithë të tjerëve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit