Dorina Azo
Paniku nga mungesa e furnizimeve në treg me produkte ushqimore preku të gjithë zinxhirin tregtar. Rritja e çmimeve për produktet ushqimore nisi që në maj të vitit të kaluar, por fillimi i luftës Rusi-Ukrainë solli valën e re të rritjes së çmimeve, si dhe shtoi shqetësimin e importuesve, supermarketeve dhe konsumatorit për mungesë të mallrave.
Për shkak të kësaj situate, shumë njësi tregtare dhe konsumatorë krijuan rezerva ushqimore. Blerjet e konsumatorëve rritën shitjet në supermarkete nga 10 deri në 40%.
Aktualisht sipas rrjeteve të supermarketeve më të mëdha në vend, kërkesa për mallrat e shportës është stabilizuar, por mbingopja e konsumatorit me produkte ushqimore do të ndikojë te shitjet e tyre. Për muajin mars, supermarketet parashikojnë rënie të shitjeve.
Genti Çela, drejtori i shitjeve në terren në distributorin “Marketing and Distribution” sh.a., tha për “Monitor” se në javët e para, konsumatori pati tendencën për të krijuar rezerva ushqimore për produktet si miell, vaj apo oriz, por aktualisht kërkesa është stabilizuar. Çela pohon se në këtë periudhë u vu re krijimi i stoqeve nga supermarketet për një periudhë 2-3-mujore, për shkak të rrezikut për mungesën e furnizimeve.
Shitjet janë rikthyer në normalitet edhe për rrjetin e supermarketeve “Big Market” dhe “Conad”. Përfaqësues nga “Big Market” pohuan për “Monitor” se prej një jave, kërkesa për produkte ushqimore është stabilizuar. Konsumatori, sipas tyre, vijon të shpenzojë në të njëjtën sasi si më parë.
“Në fillim të rritjes së çmimeve, konsumatori i ndikuar nga paniku, krijoi rezerva ushqimore kryesisht për produkte si miell, vaj dhe makarona. Në këtë periudhë kërkesa u rrit 30 deri në 40%. Aktualisht nuk ka ndryshim të konsumit, është kthyer gjithçka në normalitet”.
Për shkak të rritjes së çmimeve dhe vështirësive në furnizime, supermarketet krijuan rezerva 4 deri në 5-mujore. “Nuk parashikohet të ketë vështirësi për furnizimin e tregut me produkte të shportës, përveç vajit që pritet të ketë mungesë në treg”, nënvizuan përfaqësues të “Big Market”.
Burime nga rrjeti i supermarketeve “Conad” thanë se aktualisht kërkesa është stabilizuar, ndërsa tendenca e konsumatorit për të krijuar stok ushqimor ishte në javët e para pas fillimit të luftës. “Shitjet në këtë periudhë u rritën 10%, nuk e kaluan nivelin e pandemisë, që në karantinë u rritën 60%.
Në këtë periudhë, konsumatori krijoi rezerva më tepër nga paniku për mungesë të furnizimeve në treg, pasi rritja e çmimeve ndodhi më vonë. U blenë më tepër produkte ushqimore si: vaji, mielli, sheqeri dhe konservat. Aktualisht kërkesa është stabilizuar, konsumatori vijon të blejë si më parë.
Nuk është vënë re të ketë rritje të kërkesës për produktet më të lira. Pritet që rritja e kërkesës nga krijimi i rezervave ushqimore të ndikojë për një ulje të lehtë të shitjeve në muajin mars”.
Blerjet nga paniku, konsumatorët krijuan rezerva vjetore të vajit
Konsumatori i krijoi rezervat më të larta me blerjen e vajit ushqimor, që ka pasur shtrenjtimin më të lartë të çmimit (rritja 48,5%) dhe pritet që për stinën e verës të ketë mungesë të këtij produkti në treg. Sipas administratorit të kompanisë “Olim”, Aredi Sado, blerjet ishin abuzive, pasi shkatërruan zinxhirin tregtar.
“Të gjithë operatorët e vajit në tregun shqiptar dispononin një stok të caktuar dhe e gjithë sasia u ble në mënyrë abuzive nga konsumatori. Stoqet mesatare të Shqipërisë për vajin e lulediellit mesatarisht nuk zgjasin më tepër se një muaj.
Vaji është një produkt i shtrenjtë dhe është e pamundur të mbash depozita në sasi të larta. I ndikuar edhe nga paniku i rritjes së çmimit, konsumatori krijoi depozita vjetore vaji në shtëpi, ndërkohë që konsumi mesatar i vajit të lulediellit është 1 litër për frymë në muaj.
Kjo shkaktoi deformim të zinxhirit tregtar. Edhe nëse do të këtë furnizime me vaj luledielli nga mbingopja e tregut, shitjet do të bien 50%”.
Ulet 20% prodhimi në furra nga gatimi i bukës në shtëpi
Për periudhën 2021-2022, çmimi i bukës është rritur 3 herë radhazi me një rritje totale prej 71%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të vitit të kaluar, ku buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë. Në mesin e muajit mars, çmimi i bukës shënoi sërish rritje duke arritur në 100 lekë.
Ndërsa çmimi në 120 lekë ka nisur të tregtohet në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti. Rritja e çmimit në 120 lekë pritet të reflektohet shumë shpejt në të gjithë tregun.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia, furrat e bukës nuk po punojnë me 100% kapacitet, për shkak të rritjes së çmimit. Rënia e prodhimit është ndikuar nga shtimi i prodhimit të bukës në shtëpi. “Pas rritjes së çmimit të miellit në furrat e bukës, kapaciteti prodhues është reduktuar nga 80 deri në 85%.
Arsyeja është që shumë konsumatorë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të miellit dhe të bukës, nisin që këtë produkt ta gatuajnë në shtëpitë e tyre. Pra blerjen në furrat e bukës e zëvendësuan me blerjen e miellit për gatim të bukës apo petullave në shtëpi. Rënia e kapacitetit të furrave të bukës është më e lartë në zonat rurale, pasi janë më të familjarizuar me prodhimin e bukës në shtëpi”.
Peshkopia thekson se tendenca e blerjes së miellit u ndikua më tepër nga paniku i konsumatorit jo vetëm për shtrenjtimin e çmimit, por edhe për shkak të frikës për mungesën e miellit në treg. “Shumë familje nisën të blinin 1 apo 2 thasë me miell.
Por kjo nuk është zgjidhje, pasi mielli në kushte familjare nuk mund të ruhet me afat më tepër se një muaj. Një familje me 3-4 persona i nevojiten të harxhojë 1 kg e gjysmë miell për përgatitjen e 2 bukëve. Me sasinë e 100 kg miell që përmban 1 thes arrin të prodhosh bukë në shtëpi për një tepër se një muaj”, thotë z. Peshkopia.
Në muajin gusht 2021, rritja e çmimit të miellit nga 50 lekë në 55 lekë për kg solli rritje të çmimit të bukës në të gjithë tregun 14%. Për muajin mars, çmimi i miellit arriti në 80-85 kg, duke sjellë rritje të çmimit të bukës në të gjithë tregun edhe me 20%.
Rritja e çmimit të miellit fillimisht u ndikua nga shtrenjtimi i grurit, për shkak të mungesës së prodhimit. Në muajin tetor të 2021, çmimi i grurit të importit u rrit nga 220 dollarë në 360 dollarë për ton i zhdoganuar. Fillimi i luftës ekspozoi më tepër çmimin e bukës dhe grurit.
Sipas INSTAT, rreth gjysma e sasive vjetore të grurit (46%) që importon Shqipëria, vjen nga Rusia, ndërsa nga Ukraina erdhi 4% për vitin 2021.
Si do të ndryshojë konsumi i vajit të lulediellit
Sipas të dhënave të doganave, importet e vajit të lulediellit në 2021 u rritën 8% më shumë se në vitin 2020. Importet për grupin “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” sipas INSTAT, pësuan rënie të lehtë 3% për 2021 në raport me 2020.
Importet e “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” nga Rusia u rritën me 10% në vitin 2021 në krahasim me një vit më parë, duke përbërë 17% të totalit. Në të njëjtën linjë u rritën importet nga Hungaria (3,5%), Italia (4%), ndërsa importet nga Ukraina pësuan rënie 7%.
Rusia, Ukraina, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli. Furnizues të tjerë, por në sasi më të vogël, janë shtete të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia.
Përveç shtrenjtimit të çmimit, operatorët paralajmërojnë se mungesa e vajit të lulediellit pritet të ndryshojë konsumin. “Në disa vende, shtrenjtimi i vajit të lulediellit do të zëvendësohet me konsumin e vajit të ullirit edhe pse vaji i lulediellit do të kërkohet për përdorim skuqje.
Kjo pritet të ndodhë edhe në Shqipëri. Në vendet e varfra, që nuk e njohin vajin e ullirit do të zëvendësohet me produkte të tjera siç është margarina apo vaji i sojës”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Olim”, Aredi Sado. Sipërmarrësit e vajit ushqimor ngrenë si shqetësim edhe informalitetin në tregun e shitjes së vajit, i cili preku shumë konsumatorë për shkak të panikut.
Tregtarë të vegjël të importit të vajit të ambalazhuar nga Maqedonia e Veriut pohuan për “Monitor” se këtë javë kanë nisur ndërprerja e furnizimeve nga ky shtet, për shkak të ofertës së ulët në treg të vajit dhe krijimit të rezervave nga vendet importuese.
Do të rikthehet tradita e përdorimit të vajit të ullirit për gatim
Shtrenjtimi i vajit të lulediellit (48,5%) për muajin mars krahasuar me shkurtin do të kthejë masivisht traditën e përdorimit të vajit të ullirit sipas kryetares së Shoqatës së Prodhuesve, Silvana Ponari.
Mbiprodhimi i 2020-s është ende i pashitur nga fermerët dhe konsumatori është në afatet optimale të konsumit të tij. Në vitin 2020, prodhimi i vajit të ullirit ishte 2,6% më shumë se në 2019, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Në raport me 2013, prodhimi i vajit u rrit 94%.
“Për sezonin tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2020 (sipas vitit bujqësor kjo është periudha e mbledhjes së ullirit, ndërsa shitjet filluan nga janari 2021) u arrit superprodhim i vajit të ullirit, i cili nuk ishte arritur që prej vitit 1963, periudha më e begatë për vajin e ullirit.
Në situatën kur çmimi i vajit të lulediellit ka pasur rritje të lartë, për konsumatorin është më e leverdishme dhe e shëndetshme të konsumojë për gatim vajin e ullirit. Çmimi i shitjes së vajit të ullirit nga fermerët është 500 deri 600 lekë për litër.
Mbiprodhimi i 2020-s është ende stok në shtëpitë e fermerëve i pashitur, ndërsa kompanitë e tregtimit të vajit të ullirit nuk kanë rezerva.
Kjo sasi është e mjaftueshme për të përballuar nevojat e konsumatorit. Afati i përdorimit të vajit të ullirit është deri në 24 muaj pas prodhimit. Mendoj që shumë shpejt, nëse nuk abuzohet me çmimin e shitjes së vajit të ullirit, ky produkt do të zëvendësojë përdorimin e vajit të lulediellit, pasi është më i leverdishëm në kosto dhe cilësi”, thotë znj. Ponari.
Kryetarja e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, thotë se duke qenë se jemi në fund të muajit mars dhe prodhimi i vajit të ullirit vjen në tetor janë vetëm pesë muaj për t’u përballuar. “Nuk është nevoja për panik, por të gjejmë alternativën e çdo ushqimi të prodhuar në vend.
Në këtë lloj mënyre përkrahet edhe rritja e prodhuesve vendas dhe jemi më të sigurt në rast të luhatje të tregjeve ndërkombëtare. Si mund t’u japim fermerëve nismën e duhur për të mbjellë misër. Kemi humbur afatin e grurit, por jemi në kohën e duhur për të mbjellë misër” – nënvizon znj. Pinari.
Deri tani, rritja e çmimeve të produkteve bazë të shportës ka ulur përdorimin e vajit të ullirit. Operatorët e tregut thonë se kjo ka ndikuar për rënien e shitjeve 20%. Prodhuesit paralajmërojnë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore do të thellojë rënien e shitjeve të vajit të ullirit deri në 50%. Për muajin mars, vaji i ullirit të sallatës u shtrenjtua 10% në tregun e pakicës.
Në dyqanet e tregtimit të produkteve ushqimore, vaj i ullirit për sallatë u shit 320 lekë nga 290 lekë për litër në muajin shkurt. Prodhuesit kryesorë të vajit të ullirit pohuan se rritja për këtë produkt është ndikuar nga shtrenjtimi i vajit të lulediellit, që është pjesë e formulës për vajin e ullirit të sallatës.
Në rritjen e çmimit ka ndikuar edhe shtrenjtimi i materialit plastik të ambalazhimit në tregjet e huaja, tapave dhe energjisë elektrike.
Baret dhe restorantet, ulet konsumi
Konsumi në bare dhe restorante është ulur. Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, thotë se tkurrja e konsumit ka ardhur nga rritja e çmimeve të shportës. Në këto struktura shërbimi, çmimet sipas tij nuk kanë ndryshuar.
“Konsumatori po tregohet i kujdesshëm në shpenzime për shkak të rritjes së çmimeve, që duket se do të vazhdojë. Për pasojë, klientët kanë tkurrur shpenzimet”.
Konsumi në këto struktura shërbimi pati rënie edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Përfaqësuesit e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve nënvizuan se Covid-19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica e tyre u mësuan të konsumojnë kafenë dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm.
Rritja e çmimeve të ushqimeve ka rritur presionin për shtrenjtimin e çmimeve në bare dhe restorante. Enri Jahaj pohon se pavarësisht rritjes së çmimeve të produkteve kryesore, ndryshimi nuk është reflektuar te produktet finale, pasi kostoja është amortizuar nga subjektet e shërbimit.
Jahaj thotë se situata do të jetë e përkohshme dhe paralajmëron rritjen e çmimeve për bare dhe restorante, duke nisur që nga shtrenjtimi i kafesë.
“Aktualisht çmimet e produkteve ushqimore janë rritur 20 deri në 30% apo deri në 40% siç është produkti i vajit të lulediellit që përdoret në sasi të lartë në fast food. Rritja e produkteve bazë nuk është reflektuar te çmimet finale të bareve dhe restoranteve.
Produktet jetike siç është uji dhe kafeja, pavarësisht se plastika është rritur, në bare nuk kanë ndryshuar. Shtrenjtimi i produkteve është amortizuar nga fitimet e bizneseve. Sot është më e leverdishme të konsumosh vaktin e drekës (për 2 persona) në restorant sesa në shtëpi.
Pandryshueshmëria e çmimeve do të jetë e përkohshme, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes të çmimeve. Edhe kostoja e bizneseve informale është amortizuar nga bizneset e licencuara. Pra kjo periudhë nuk do të zgjasë shumë.
Çmimi i kafesë do të arrijë 1 euro, ndërsa baret që tregtojnë kafe me çmim 50 lekë, kryesisht të lagjeve, nuk do të arrijnë të mbijetojnë, do të mbyllen”, nënvizon Jahaj.
Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.
Ndërtimi nxit kërkesën për mobilie
Mobiliet e importuara nga jashtë për vitin 2021 u rritën 24% krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të doganave. Edhe importet e lëndëve drusore në 2021 u rritën 21% më shumë se me periudhën para krizës nga pandemia, sipas të dhënave të doganave.
Në raport me 2020, importet janë 27% më shumë. Për shkak të pandemisë dhe zbatimit të karantinës në 2020, importet e lëndëve drusore ishin 5% më pak se në 2019.
Rritja e kostove të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të lëndës drusore dhe materialeve të tjera ka ndikuar te rritja e çmimeve të mobilieve nga shtatori i vitit të kaluar 30 deri në 40%, por çmimet e larta nuk e kanë frenuar kërkesën. Arsyeja kryesore e rritjes së kërkesës vijon të jetë sektori i ndërtimit.
Dritan Cacaj nga “Trin Mobileri”, tha se ka kërkesë shumë të lartë dhe më pak produkte. “Kjo po favorizon importin e mobilieve të gatshme nga jashtë, sidomos nga Italia. Ne punojmë për individë me të ardhura të mesme dhe të larta dhe nga kjo kategori, kërkesa vazhdon të jetë e lartë.
Blerjet po bëhen më shumë për mobilim të apartamenteve të reja, si blerje të shtëpisë të dytë. Kërkesa është nxitur edhe nga ndërtimet e reja. Efekti zinxhir i zhvillimit aktual të ndërtimit garanton kërkesën edhe për 15 vite të tjera për sektorin e mobilieve”, veçon z. Cacaj.
Edhe përfaqësues të kompanisë “Delta Group” thanë për “Monitor” se kërkesa për mobilie është e lartë për shkak të shtimit të ndërtimeve të reja në Tiranë.
“Kërkesa për mobilie këtë vit është 7-10% më shumë se në vitin 2021, e ndikuar nga sektorët e ndërtimit dhe turizmi. Në Tiranë janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi, të cilat kanë rritur kërkesën për mobilie. Te rritja e kërkesës, efekte pozitive ka dhënë edhe zhvillimi i sektorit të turizmit me ngritjen e hoteleve të reja dhe programi i rindërtimit.
Interesi për të blerë mobilie, në këtë periudhë është i lartë, si nga familjarët dhe bizneset. Vihet re që nga vit në vit, konsumatori ka shtuar kërkesën për mobilie të huaja, sidomos ato italiane. Për këtë vit shfaqet një tendencë në rritje e familjarëve për blerjen e kuzhinës italiane.
Po ashtu është rritur shumë kërkesa për mobilimin e bareve. Këtë vit është rritur numri i bareve të reja, sidomos ato të hapura brenda rezidencave të reja të banimit. Edhe ngritja e komplekseve të reja të vilave ka favorizuar kërkesën për mobilim”.
Në këtë periudhë, edhe importuesit e mobilieve po përballen me rritjen e tarifave të transportit të importit dhe të çmimeve për furnizimet e reja. “Delta Home”, pjesë e “Delta Group” importon marka mobiliesh nga Italia, Gjermania dhe Franca.
“Në Europë, nga ku furnizohemi me mobilie, çmimet janë rritur 3-22% më shumë. Deri tani nuk kemi pasur vështirësi për të gjetur produktet apo vonesa në furnizime. Shqetësuese është rritja e lartë e tarifave të transportit. Nga janari 2022, tarifa minimale e transportit për Italinë është rritur 35%.
Shtimi i kostos nuk është reflektuar te produktet e konsumatorit, pasi është amortizuar te marzhet e fitimit. Tregu shqiptar është i vogël dhe e ka të pamundur të përthithë rritjen e çmimeve”, thanë përfaqësues nga sektori i shitjeve.