12.5 C
Tirana
E martë, 27 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Burg për një parkim, imunitet për miliardat

    Nga Adrian Thano

    Shteti, në nivel qendror dhe lokal, me veprimet dhe mosveprimet e tij, i ka shndërruar qytetet tona në hapësira armiqësore për jetën e përditshme. Mungesa e parkimeve është një nga pasojat më direkte të kësaj para-politike urbane që ka privilegjuar betonin mbi njeriun.

    Lagje të tëra janë ndërtuar pa asnjë standard minimal, nuk kanë rrugë dytësore, nuk kanë hapësira publike. Çdo centimetër katror është trajtuar si mall në tregun e fitimit. Organizmi urban në dobi të qytetarit ka ardhur i fundit në listë.

    Shteti ka firmosur, ka legalizuar për vota, ose ka heshtur sepse zyrtarët e tij në të gjitha nivelet kanë mbyllur sytë përballë shkeljeve, në këmbim të interesave korruptive.

    I njëjti shtet sot kërkon të ndëshkojë qytetarin me burg për një parkim!

    Por të parkosh  keq sot në Tiranë, nuk është zgjedhje. Është detyrim. Është pasojë direkte e kaosit urban të krijuar pasi shteti nuk ka bërë punën e vet.

    Le ta provojnë këta që lëvizin me eskortë dhe sirena. Mund të vërdallosesh me orë të tëra, pa gjetur asnjë mundësi parkimi, ndërsa gjobaxhiu i shtetit të mbin pas rrote me bllok në dorë.

    Qytetari nuk po sfidon rendin për të merituar burgun. Po përpiqet të mbijetojë brenda një rendi të ndërtuar keq, përsëris: me përgjegjës shtetin! I cili, për më tepër, sot nuk ofron alternativë dhe as zgjidhje, përpara se të tregojë burgun.

    Ka edhe një kontrast tronditës.

    Ku është ky “rigorozitet” i menjëhershëm i shtetit kur përballë nuk është qytetari i thjeshtë, por pushtetari? Krahasoni prangat që u tunden para fytyrës qytetarëve për një parkim të gabuar me qetësinë absolute me të cilën i njëjti pushtet sillet ndaj një zv.kryeministreje që refuzon të dalë para drejtësisë për dyshime që shkojnë deri në 1.2 miliardë euro!

    Ironia është e qartë dhe brutale. Një qytetar përfundon në burg për një faturë apo një parkim, ndërsa një funksionare e lartë e shtetit nuk shkon as për miliarda.

    Në një shtet serioz, përgjegjësia rritet bashkë me pushtetin. Sa më i lartë funksioni, aq më i madh detyrimi për transparencë dhe llogaridhënie. Kur ndodh e kundërta, ligji është vetëm instrument frike për të dobëtit. Kjo përmbysje e e zhvesh ligjin nga çdo moral. Një shtet që është i pamëshirshëm me qytetarin e zakonshëm dhe indulgjent me të fortët e humb arsyen edhe për të kërkuar bindje.

    Sa për problemet e parkimit dhe të trafikut, ato nuk zgjidhen me gjoba më të larta. As me polici më agresive, as me kamera më të shumta. Edhe vetë statistikat tregojnë dështimin e kësaj qasjeje represive.

    Madje në opinionin publik ka lindur dyshimi i arsyeshëm se gjoba nuk është më një mjet ndëshkimi dhe rregullimi, por një qëllim në vetvete. Qarkullojnë gjerësisht fjalë se strukturave të policisë u është caktuar një “normë” gjobitjeje (!) Kjo e zhvendos fokusin nga rendi publik te mbushja e arkës.

    Nëse shteti ka vërtet ndërmend të bëjë detyrën, zgjidhja nis duke pranuar fillimisht fajin në nivel shtetëror. Më pas duke ndaluar ndërtimet aty ku nuk ka më infrastrukturë, duke krijuar hapësira të reja publike, duke ndërtuar parkime reale. Duke aktivizuar strategji afatgjata ligjore për makinat që hyjnë në qarkullim dhe ato që dalin.

    Shkurt, duke planifikuar qytetet për njerëzit, jo për klientelën e politikës. Pastaj na tregoni burgun.

    Pa këtë reflektim, kjo sjellje e një shteti që kërkon disiplinë nga qytetari për dështimet që vetë ka prodhuar, është një akt arrogance i pashembullt, një kapardisje e neveritshme që e godet hapur dinjitetin.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit