Shumë herë, Kiara Tito dhe Butrint Imeri janë përfolur për një lidhje dashurie. Asokohe, këngëtari dhe moderatorja nuk e pranuan lidhjen e tyre, duke përdorur frazën e zakonshme: “Jemi shokë”. (E kush nuk e ka thënë njëherë në jetë?)
Nejse, mos të shpërqendrohemi.
Butrinti ishte i ftuar te “Zemër Luana” dhe për herë të parë foli për marrëdhënien me Kiarën, duke na dhënë 2 lajme:
a) Kanë qenë të lidhur (sikur nuk e shihnim ne kiminë e tyre)
b) Janë ndarë
Arsyeja? Secili në rrugën e vet. “Nuk ka pasur arsye. Ajo n’rrugën e vet, unë në timen”, tha Butrinti.
Kalojmë tani te Kiara, e cila bashkë me gjyshen e saj, Letën, ishin ftuar te “Rudina” dhe domosdo, folën për lidhjen e Kiarës me Butrintin.
Gjyshja i ra shkurt me thënë të drejtën dhe disa herë përsëriti se kanë qenë miq.
“Nuk pati lidhje serioze” tha gjyshe Leta dhe e morëm vesh që s’e paska pasur shumë qejf Butrintin.
Këtu u hodh Kiara dhe iu drejtua gjyshes: “Po si moj s’e kishim serioze?!” dhe më pas, shpjegoi këndvështrimin e saj, jo vetëm në lidhje me këngëtarin, por edhe në përgjithësi.
“Nisem gjithmonë me dëshirën më të mirë. Serioze mbase ngjan fjalë shumë e madhe, por është një marrëdhënie normale”, tha moderatorja.
Doni ta dini mendimin e gjyshe Letës? Epo, s’keni si ta dini, sepse tha “Unë kisha mendim zero”. E more vesh Butrint? Z-E-R-O!
Gjithsesi, Kiara tha se kur u nda nga Butrinti, gjyshja e saj nuk ndërhyri shumë dhe pati besim në zgjedhjet e mbesës.
Pra, gjyshja s’e kishte problemin me lidhjen, por me Butrintin.