Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, foli në emisionin “SportZone”, në lidhje me krijimin e CAS-it shqiptar.
Ylli deklaroi se do të zgjidhen gjyqtarë që kanë figurën e tyre të pastër dhe mbi 12 vite eksperiencë. Më tej ai deklaroi se askush nuk do e ketë mundësinë ta kapë CAS-in.
“Dëshira e gjithë bordit ekzekutiv, është që ne ta bëjmë sportin me një Gjykatë të Arbitrazhit Sportiv. Pasi të gjithë sportistët apo trajnerët, detyrohen të marrin rrugën e Lozanës. CAS-i do i vijë në ndihmë jo KOKSH-it, por sportit shqiptar. Është detryim ligjor i KOKSH për të krijuar Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Kemi miratuar një rregullore të CAS-it, që e kemi çuar në Gjykatë dhe është aprovuar. Tani aprovohen 3 gjyqtarët që do të qeverisin CAS-in. Muajin tjetër do të bëjmë një Asamble tjetër, ku do të jenë 11 gjyqtarë që do të votohen. Që të jesh gjyqtar i CAS-it, duhet të jesh i pastër në figurën tënde. Duhet të kesh një eksperiencë mbi 12 vjet dhe të gjitha këto përbëjnë që të gjithë gjyqtarët nuk duhet të kenë punë me Vettingun. Duam të përfshijmë figura dhe personalitete, që janë me tituj shkencorë. Kanë ardhur disa emra, që janë figura të shkollës së magjistraturës. Janë pa parti dhe janë njerëz që gjithë jetën e tyre e kanë përkushtuar në fushën e tyre.
Nuk ka asnjë shans që të kapet as nga Fideli dhe nga asnjë njeri. Fideli drejton një Asamble dhe është më e larta, votojnë ata kush do jetë. Unë nuk kam të drejtë vote. Unë nuk kam kontroll në Asamble, unë vetëm e drejtoj. CAS-i është totalisht i pavarur. Krijohet që t’i vijë në ndihmë sportit. Duhet të zgjidhen kandidatët më të mirë. Futbolli jo që nuk ka propozuar kandidat, por nuk kanë sjellë as akreditim për të marrë pjesë në Asamble. Kanë filluar të bëjnë bojkotin. E kanë ndjerë rrezikuan që nuk kanë forcë të influencojë në Asamble dhe bojkotojnë. Sporti dhe KOKSH, do funksionojë edhe pa futbollin. Më vjen keq ta them këtë, por me bojkote nuk bën dot presion”, u shpreh Ylli.
I pyetur nëse FSHF nuk e njeh CAS-in, Ylli u shpreh se futbolli e ka detyrim ligjor ta njohë.
“Është detyrim ligjor për futbollin dhe të gjitha, që ta njohin CAS-in shqiptar. Nëse Federata del mbi ligjin shqiptar, do mbajnë përgjegjësi.
FSHF nuk ka paguar kuotat prej 5 vitesh. Janë keq për 500 mijë lekë. Mund t’ia u jap unë ato dhe të shkoni të paguani. Unë i dua aty. Sporti ka një Asamble dhe demokracia është shumicë. Nëse shumica thotë se çdo gjë është në rregull, nuk ka rëndësi çfarë mendon futbolli. Kjo është demokracia, ne do respektojmë rregullat. FSHF nuk do ketë shans t’i çojë çështjet në Lozanë. CAS-in po e krijon sporti, jo Fidel Ylli. FSHF duhet të vijë dhe të jetë në Asamble, siç ka qenë më parë. Por një herë vjen, një herë jo, nuk mund të luajë me ne, nuk e ka shansin.
Ministria duhet t’i japë një buxhet fillestar CAS-it. Duhet t’i japë edhe zyrat se ku do të jetë. Ka ikur koha kur CAS-i do jetë pranë KOKSH”, pwrfundoi Fidel Ylli.