Nga Migena Aleksi
Lëvizja e Ervin Salianjit brenda Partisë Demokratike vjen në një moment kur kjo parti ndodhet në dy kriza të mbivendosura: një krizë identiteti dhe një krizë besueshmërie.
Kjo parti për gati 10 vite ka jetuar me konflikte të brendshme, me retorikë përçarëse, dhe së fundmi me një klimë ku fati i familjes Berisha ka qenë më i rëndësishëm se çdo rindërtim i besimit publik.
Të ndalemi njëherë te e reja që mua nuk më duket e re. Sepse disa shkruajnë se këto lëvizje të reja mjaftojnë që lëvizin dhe automatikisht janë të dobishme.
Dakord por cilësia e njerëzve që i udhëheqin këto lëvizje ka rëndësinë e vet në opinionin publik. Salianji është një figurë që, objektivisht, mbart një ngarkesë politike dhe komunikative, për shkak të dënimit për çështjen “Babale”.
Pavarësisht debatit rreth asaj dosjeje, fakti ligjor mbetet: ai është i dënuar për mashtrim. Një dënim i tillë e rrënon seriozisht kapitalin moral të një politikani në cdo vend perëndimor. Çdo figurë politike që synon të ndërtojë kulturë të re politike nuk mund të nisë duke bartur një barrë të tillë.
Ajo ndoshta nuk e skualifikon juridikisht, por e dëmton rëndë politikisht. Sepse në pyetje nuk është vetëm kush del përpara, por edhe kush është në gjendje të krijojë standard.
Për këto arsye dhe jo vetëm për këto, lëvizja e Salianjit në sytë e qytetarit të zhgënjyer nga klasa politike e këtyre 30 viteve nuk shfaqet si projekt me bazë ideologjike apo koncept reformues.
Sado entuziazëm të përhapin mediat partnere, nga jashtë duket ende një përsëritje e modelit të vjetër.Unë e shoh si një betejë për pozicion brenda një partie të atrofizuar, e katandisur në një apo dy individë. Si e tillë nuk më intereson.
E dyta, ekziston edhe realiteti i tanishëm politik. Për problemet e tij me drejtësinë Sali Berisha e ka lidhur tashmë PD-në pas vetes si një biznes privat, jo si institucion publik. Pata një bisedë të gjatë me kryeredaktorin e gazetës DITA para se ta postoja këtë shënim. Jo vetëm ai por edhe disa analistë që pyeta, mendojnë se Berisha do ta marrë PD-në me vete në fundin e tij politik madje dhe biologjik. Nuk e lëshon kurrë në dorë tjetër. E ka si mburojë për këtë ditë të zezë që të mos i marrin pasuritë. Është banale por kanë të drejtë.
Ky është një mur i pakalueshëm.
Në këto kushte, lëvizja Salianji, NË RASTIN MË TË MIRË është thjesht një reaksion ndaj një partie që ka humbur busullën. Pa të ardhme anti-sistem. Nuk ka si të jetë një projekt ideologjik për një kulturë të re politike.



