12.5 C
Tirana
E diel, 13 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çfarë ka ‘shqiptare’ filmi më i suksesshëm i të gjitha kohërave, drejtuar nga një grua

    Nga Edona Llukaçaj

    Tashmë është zyrtare se filmi më i shikuar i vitit 2023 është “Barbie”, duke lënë pas prodhimin e bazuar në të vërteta historike, “Oppenheimer”. Në fakt, me mbi 1.34 miliard dollar fitime deri më tani, “Barbie” është shpallur edhe filmi më i suksesshëm i të gjitha kohërave drejtuar nga një grua.

    E ndonëse, fillimisht, i kritikuar jo pak si një film sipërfaqësor, me dialogje e monologje të varfëra dhe me ide jo fort të përpunuara, nuk ka diskutim se ndikimi i “Barbie”-t ka qenë i madh në mbarë botën, i krahasueshëm me atë të kukullës perfekte – që nuk përfaqëson askënd, do thonin kritikët – të zonjës Ruth, ndër dekada.

    Ndonëse në Shqipëri nuk është folur për gra të iluminuara rreth problemeve të marrëdhënieve të tyre në çift që kanë zgjedhur të ndahen, pasi panë filmin, apo për një valë feministe që post-B pranon celulitin e ankthin si pjesë të jetës, as këtu shfaqja e tij nuk kaloi krejt heshturazi.

    Të apasionuarit pas kinemasë apo pas kukullës epike – sidomos femrat për të cilat ajo ishte shoqja simbol e fëmijërisë – veshën rroba “pink”, dhe vërshuan në kinema, me raste bashkë me familjen, të shihnin Barbie-n njeri. Shpesh duke njësuar problemet e tyre të përditshmërisë me ato që gruaja Barbie u përball në botën reale.

    Por ndryshe nga çfarë mund të ketë qenë qëllimi i krijuesve të filmit dhe mesazhet shoqërore universale që kanë dashur të përcillnin, disa sekuenca të “Barbie”-t dukeshin sikur qenë xhiruar në arenën politike të Shqipërisë.

    Si filmi në fjalë, politika shqiptare është e mbushur me fjalime e dialogje sipërfaqësore. Dhe si në çdo film, prodhuar për audiencën e gjerë, çështjet me peshë preken me retorikë populiste ose serviren me pak humor. Ashtu si të vinte për të qeshur nga vetëzgjedhja e z.Basha për të disatën herë në një tjetër kryesim.

    As sepse si “Barbie”, shfaqjet politike të vendit tonë duhet të këshillohet të ndiqen nga fëmijët nën 13 vjeç veçse në shoqërimin e të rriturve. Për shkak se banaliteti e nënkuptimet e papërshtatshme, të llojit “me bajga në fytyrë”, mund të mos japin mesazhin e duhur për çdo grupmoshë.

    Por skena e filmit që të kujton veçanarisht politikën shqiptare është ajo kur Barbie tipike, personazhi kryesor i filmit përshëndet Barbie-t e tjera me përzemërsi e një buzëqeshje të madhe “Hi Barbie” (Përshëndetje Barbie).

    Dhe të gjitha Barbie-t e botës imagjinare – sportistja, gjykatësja, mjekja, mësuesja, shkencëtarja, ajo me syze e mbipesha e më radhë – i japin të njëjtën përgjigje “Hi Barbie”, tashmë të famshme në gjithë botën.

    Kështu edhe këtë fillimshtatori, kur shqiptarët kishin muaj që prisnin se kush do ishin ministrat e rinj, të papërlyer e të aftë të implementonin strategji zhvillimore, me ndonjë përjashtim të rrallë të njëjtat zonja ngjyrashumë i thanë njëra-tjetrës “Hi ministre” nga dikastere të ndryshme. I karakterizonte një ëmbëlsi dhe buzëqeshje prej Barbie.

    Ironikisht ndryshe nga Barbie-t e filmit, që qëndrojnë në profesionet e tyre, pra shkencëtarja nuk bëhet fotomodele, ministret tona si Barbie akrobate mund të kërcejnë nga një ministri në tjetrën. Madje mund të krijohen për to ministri të posaçme që pozicioni të mos iu ndryshojë. Ndërsa ato që nuk ia dolën të ishin të përfshira në kabinetin qeverisës morën poste brenda partisë, një lloj rikthimi në kutinë e kukullave nga ku mund të riciklohen sërish. Nuk jam e bindur nëse ka një kategori Barbie-sh rezervë në film, si për kabinetin qeverisës.

    Gjithsesi, në mënyrën e vet, “Barbie” është film me fund të lumtur e mesazhe përbashkuese. Uroj fort që edhe nismat e qeverisë të saporiformuar të jenë të suksesshme. Si thotë populli “na ardhtë fundi me hajër” me këto kukulla, Barbie a jo.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit