4.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çfarë kërkon Berisha më 6 dhjetor?

    Ditën kur në Tiranë do të jenë përfaqësuesit më të lartë politikë dhe shtetërorë të Bashkimit Evropian, ngjarje që, për herë të parë ndodh në Shqipëri, opozita e Berishëw ka shpallur vendimin për të demonstruar edhe një herë kundër qeverisë.

    Është e drejtë e saj kur, si dhe me cilin shkak, të saktë apo të sajuar të protestojë. Aq më shumë një individ, i cili protestën e ka adrenalinë, ashtu si ka pasur edhe shumë gjëra të tjera, të cilat kanë qenë në të prapshtën e Shqipërisë. Berisha është i njohur për këtë dhe askush nuk duhet të çuditet, apo, edhe më tej, t’i bëjë thirrje “mos pro testo, o njeri se turp”. Le të protestojë. Të mbushë sheshin me njerëzit e tij, të mbajë dhjetëra fjalime, qoftë ai vetë, qoftë vëllai i tij politik, dhe në fund të deklarojë se kjo ishte protesta më e madhe në historinë e Shqipërisë, si ka ndodhur pas çdo proteste.

    Çfarë kërkon ai vetë? Ai ka mësuar aq nga politika 32 vjeçare e viteve të fundit se pushteti nuk merret me dhunë. E ka provuar disa herë, sidomos në shtator 1998, dhe çfarë ka pështyrë në drekë, e ka lëpirë në darkë, duke e mbushur selinë e vjetër të tij me metingashë të armatosur, që, para një shteti që kishte ulur poturet, mburreshin se bënë revolucion, por nuk ua mbante të dilnin nga vrima.

    Ai e ka mësuar se, vetëm një herë mund të kalojë miu përmes vrimës së veshit, dhe kjo ndodhi kur rrëzoi qeverinë e Stabilitetit, nga ngutja për pushtet, të cilin e mori në mënyrën më plebishitare të mundshme, jo nga merita e tij, dhe e dorëzoi në mënyrën më të pabesuar, si njëri nga njerëzit më të urryer të kohës, duke lënë pas mijëra viktima.

    Sado demonstrata e protesta të mbajë Saliu, sado të përplasë këmbët dhe të nxitë ndasinë, asgjë nuk ndryshon prej Saliut në qeverisjen e vendit. Ky do të vazhdojë të drejtohet, së paku deri në prillin e vitit 2025 nga “armiku” i tij i radhës, “Edvini”.

    Ai e ka mësuar se protestat e tij nuk ngjallin “admirim nëpër botë”,  është qesharake edhe ta mendosh diçka të tillë; askush nuk është entuziast që, një si Saliu organizon një protestë. Ai është sot në shkallaren e fundit të përkrahjes së tij politike euro-atlantike, edhe më poshtë nga ajo që ndodhte në vitin ’97.

    Mjeriu që gëzohet më shumë për 6 dhjetorin është pikërisht shefi i qeverisë, kundër të cilit thuhet se po protestohet.

    Ata që mendojnë se Saliu e ka me Ramën dhe aferat e tij, është i gabuar. As për atë pjesë të turmës që ekzaltohet pas tij, nuk e ha meraku e as i bëhet vonë. Ata janë aty ku i ka lënë, do të jenë aty edhe më pas.

    Më shumë se çdo gjë tjetër ai proteston për vete. Proteston për të pasur edhe de jure monopolin e partisë që drejton si Rithemelim. I duhet domosdo që vula e partisë, ashtu si zyrat dhe legjitimiteti të jenë pronë e tij. Këtë e kërkon me çdo kusht. Duhet të jetë partneri i vetëm opozitar, ku të kalojnë takimet ndërkombëtare, ku diplomatët të jenë të detyruar të sjellin mendime, të përplasen dhe të kërkojnë zgjidhje.

    Në katundin e tij politik ai është i pari, këtë nuk e përmbys gjë, por atij i duhet ligjërimi i drejtësisë për të qenë i pari edhe në qytetin e politikës, sidomos në atë qytet që njohin ndërkombëtarët. I duhet 6 dhjetori për t‘u dëshmuar evropianëve se cili është lideri i opozitës që mund t’ju prishë terezinë.

    Heshtja e tyre e vret. Ai e vuan këtë, sepse është mësuar të jetë njeriu i domosdoshëm për të negociuar, shpesh si njeriu i së keqes që duhet ndalur. Ai e di se, jo pak herë, është pikërisht e keqja që merret parasysh në marrëdhëniet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për vende si Shqipëria.

    Në 21 janar ai e ndolli këtë me deklarimin për antimeting dhe, kur u tërhoq, u quajt burrë shteti. Kur BE i kërkoi të tërhiqej, ai gjeti “kompromisin”, duke lënë të veprojë një komision parlamentar fantazmë, që u zhduk sapo vetë Berisha e kuptoi se loja kishte dhënë frytet e saj. Të vrarët u lanë mënjanë, diplomatët perëndimorë sikur ranë në qetësi dhe gjithçka që kishte ndodhur, u la “të zgjidhej nga drejtësia shqiptare”, të cilës dihet kush ia jepte komandat.

    Ajo që ëndërron Berisha është një lutje perëndimore që të mos bëjë asnjë protestë. Është pritje e kotë. Kudo në botë ndodhin protesta të tilla dhe, sa më shumë që një qeveri të jetë liberale ndaj tyre, aq më demokratike do të duket. Një qeveri despotike do e ndalonte një protestë të tillë, dhe ka qenë ëndrra e Saliut që Edvini i tmerrshëm i qeverisë apo shumica e tij parlamentare të bënte thirrje e të merrte vendime për ndalimin e saj.

    Saliu është në sikletin më të madh të jetës së tij. Po ikën nga politika pa përmendore dhe i damkosur. Pas vetes ka mëkate e krime të mëdha që nuk amnistohen.

    Shqiptarët në shumicë e kanë sikterisur me kohë, tani edhe dy shtete të fuqishme kanë dhënë verdiktin e tyre, njëri më i rëndë se tjetri.

    Qeveritë perëndimore e dinë, ndoshta edhe më mirë nga vetë Berisha, se cilat janë mëkatet, fajet dhe korrupsioni i qeverisë së tanishme. E njohin harbutllëkun, diletantizmin, mungesën e perspektivës, lidhjet mes kësaj qeverive dhe të fortëve, oligarkë apo rrugaçë, njohin gjithçka, deri në detaje. Por nuk do ta ndërrojnë atë me Berishën, paçka se ky vrasës protestuesish ka ende bindjen se ky vend është kaq kot sa mes dy zgjedhjeve të këqija, pra, mes tij dhe Edi Ramës, perëndimi mund të provojë edhe një herë atë. Nuk do të ndodhë.

    Askush nuk është më i gëzuar se Edi Rama për protestën e 6 dhjetorit. Askush nuk do të humbë më shumë se vetë organizatori. Në 6 dhjetor Berisha do të protestojë për fatin e tij. Kaq është e gjithë historia. Të nesërmen, 7 dhjetor, ai do të mësojë se në fatin e tij asgjë nuk ka ndryshuar. Kaq do të jetë e gjithë historia.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit