Konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal.
Të hënën e kaluar, kreu i grupimit Foltorja apo Rithemelimi në PD, deputeti i shpallur non grata nga Perëndimi për korrupsion, Sali Berisha, bllokoi foltoren e Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën se po i mohon lirinë e fjalës.
Deputetët e opozitës kishin kërkuar prezencën e kryeministrit Edi Rama në sallë, ndërsa një kërkesë e bërë më herët gjatë ditës për ndryshimin e rendit të ditës për të mbajtur një mocion me debat për çështjen McGonigal, u rrëzua me votë nga mazhoranca.
Pas tensioneve në Kuvend, Sali Berisha dhe 4 deputetë të PD-së u përjashtuan me 10 ditë.
Çfarë përmban Dosja e Uashingtonit
Dosja e Uashingtonit, dosja hetimore që lidhet me marrëdhëniet e McGonigal me Shqipërinë, paraqet një zyrtar që në mënyrë aktive kërkon para nga shqiptario-amerikani i raportuar si Personi A, ndërsa udhëton në Shqipëri në mënyrë të përsëritur, udhëtime për të cilat, nuk paguan.
Sipas aktakuzës [Link], “jo më vonë se gushti 2017-ës, i akuzuari McGonigal u takua me personin A dhe pyeti nëse Personi A mund t’i siguronte atij para”.
Më 5 shtator 2017, McGonigal i raportoi FBI-së se do të kryente një vizitë “jozyrtare” në Shqipëri. Hetuesit zbuluan më vonë se ai nuk kishte treguar se do të ishte në këtë vizitë nën shoqërinë e Personit A, se shpenzimet e udhëtimit nuk po paguheshin prej tij, se ai do të udhëtonte edhe në Kosovë dhe se ai do të takohej edhe me Personin B.
Më 7 shtator, i akuzuari dhe Personi A diskutuan për paratë dhe ai i tha se do t’ia siguronte gradualisht.
Më 9 shtator ai takohet me kryeministrin Edi Rama dhe diskuton mes të tjerave edhe licenca kërkimi për naftë. Partneri i tij dhe i Nezës është Shefqet Dizdari, një individ që njihet si avokat, por drejton një kompani nafte. Këtij personi i kanë dalë emaile, që e lidhin me Gazpromin rus dhe kompani serbe të naftës. Dizdari, Neza dhe McGonigal janë partnerë në biznese të regjistruara në Shqipëri që në 2007.
Më 5 tetor 2017, McGonigal mori 80 mijë dollarë nga Personi A në Nju Jork. Dy pagesa të tjera prej 80 mijë dhe 65 mijë dollarë pasuan më vonë atë vjeshtë.
Në 16 tetor 2017, McGonigal njoftoi FBI-në për një udhëtim tjetër në Shqipëri, ku sërish nuk deklaroi se do të takohej me kryeministrin shqiptar. Ai gjithashtu nuk pagoi për udhëtimin.
Më 20 nëntor 2017, ai është në Shqipëri ku takohet me Ramën. Sërish, as ai dhe as FBI nuk paguan për hotel e për ushqime.
Më 25 nëntor 2017, McGonigal informon Departamentin e Drejtësisë për një hetim të ri potencial në lidhje me burimin e fondeve për lobimin e një partie në Shqipëri. (Kjo është pjesa për të cilën, grupi i Berishës akuzon se ka të bëjë me të) Sipas PD-së, Rama korruptoi zyrtarin e FBI në mënyrë që ky i fundit të hetonte lobuesin e PD në SHBA.
Në dhjetor 2017, McGonigal, Personi A dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama, hëngrën darkë në Uashington D.C.
Në 22 janar 2018, McGonigal mori informacion “mbi një shtetas amerikan lobist” nga Personi A dhe ia kaloi këtë informacion një agjenti special në varësi të tij. Sipas aktakuzës, “Personi A e mori informacionin nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.”
Personi B ndihmoi në lehtësimin e hetimit të FBI-së, mes të tjerash, duke paguar shpenzimet e udhëtimit të një dëshmitari që u intervistua në Evropë.
Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI në Nju Jork hapi zyrtarisht një hetim penal të fokusuar te lobisti amerikan me kërkesë të të akuzuarit McGonigal dhe nën udhëzimin e tij.
Në 4 Mars 2018, McGonigal pati një darkë e dytë në Uashington me Ramën, Personin A dhe zyrtarë të tjerë.
Aktakuza vijon më poshtë me udhëtimet e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Në 14 shtator 2018, McGonigal tërhiqet nga puna e tij në FBI.