13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çfarë priste Sali Berisha

    Nga Bedri Islami

    Në harkun e pak orëve, drejtuesi i Rithemelimit, Berisha mori dy vendime, të cilat kanë qenë të pritura për shumë kënd, e, jam i bindur, edhe për familjen e tij.

    Komisioni Special i Apeleve në Britaninë e Madhe la në fuqi vendimin e Home Office, sipas të cilit Berisha është i padëshiruar në tokën angleze.

    Dje, në njërën nga seancat e përsëritura Apeli i GJKKO nuk e ndryshoi masën e sigurisë, Berisha dhe dhëndri i tij, Maltezi do të vazhdojnë të jenë në arrest shtëpiak.

    Duke pasur të ditur edhe deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, sipas së cilës Departamenti i Shtetit nuk ndryshon qëndron ndaj personave “non grata”, edhe kur ata marrin vulën e partisë, atëherë gjendja politike e drejtuesit të Rithemelimit, që tani është edhe drejtues i opozitës, PD, është në të njëjtin vend si edhe më parë. Ai ndodhet në një rrethim të trefishtë: nga dy shtetet anglo – saksone, të cilat , jo vetëm nuk duan e nuk pranojnë asnjë lloj bashkëpunimi me të, por edhe në arrest shtëpiak , prej një gjysmë viti, çka përbën edhe gjendjen e tij më të rënduar.

    Çfarë priste Sali Berisha? Çfarë prisnin pasuesit e tij?

    Berisha, që në momentin kur u bë i njohur vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, si askush tjetër, e dinte më mirë se loja ishte drejt përfundimit, dhe, nëse do të kishte pranuar humbjen symbyllazi, atëherë gjithçka do të kishte qenë më e rëndë, më poshtëruese dhe mbi të gjitha, një fund i rëndë.

    Pasimi i këtij vendimi nga Britania e Madhe ishte goditja tjetër, që, po ashtu, e priste se do të ndodhte.

    Nëse në herën e parë fajin e hodhi në fondacionin Soros, në prapështitë e Edi Ramës, çka më pas iu shtua edhe Lulzim Basha, në herën e dytë fajtori i vetëm ishte ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, të cilin e akuzoi për gjithçka, korrupsion, abuzime me detyrën, i ngarkuar me mëkate të rënda.

    Berisha, që e filloi lojën përmes një alibie të një gjyqi farsë në Francë, e zhvendosi çështjen e tij  në Angli, duke menduar , jo pa të drejtë, se e gjithë loja e tashme politike, në mos tjetër, do të zinte vend në pasuesit e tij. Në fakt, ia arriti. Shpesh herë njerëzit nuk besojnë atë që është e qartë, por atë që duan ta besojnë. Ndër të gjithë këto, njeriu më i bindur se asgjë nuk do të ndryshonte ishte vetë kreu i Rithemelimit, loja politike e së cilit shkon tej e për tej nivelit dëshirues të shumë nga mitingashët që venë pas tij, por edhe më perfide se loja e pa skrupull e Gazmend Bardhit.

    Pasuesit e Berishës prisnin me ankth që gjendja të ndryshojë, pasi, ndryshe nga sa ishte loja në Francë, ku një zyrë avokatie as nuk luajti gishtin për të ndryshuar atë çka nuk ndryshohet, në Angli, studio ligjore ishte dhe vazhdon të jetë nga më të njohurat, në analet e së cilës kishte çështje të mëdha dhe ku gjenin strehë njerëzit apo firmat jashtëzakonisht të pasura. Ajo nuk është një studio ku “falen” të varfrit, por qendra që merr përsipër çështje që kushtojnë aq fort, saqë rrallë njerëz guxojnë të trokasin në atë portë.

    Është çështje tjetër se si e përballoi honorarin e tmerrshëm familja Berisha, kjo nuk është në temën e këtij shkrimi, por, ndërsa pasuesit e tij hidhnin valle poshtë dritareve dhe duke tundur dy gishtat brohorisnin fitore, nga një vendim gjykate që u risillte atyre vulën, logon, financat – kjo është më themelore, dhe të drejtën e përfaqësimit, prisnin që, përmes një treshe gjykate në Shqipëri do të ndryshonte menjëherë qëndrimet e pa kthyera kurrë më parë të dy institucioneve nga më të rëndësishmet në botë, Home Ofice në Londër dhe Departamenti Amerikan i Shtetit në Uashington.

    Qëndrimi ndaj politikës së ndjekur nga Berisha, bëmave të ndodhura, fatkeqësive të shkaktuara, qëndrimeve të tanishme, ndjenjës anti euro – atlantike , korrupsionit madhor, nëpërkëmbjen e sistemit të drejtësisë, vrasjeve të ndodhura në Gërdec dhe në Bulevardin e Madh, para zyrave të tij dhe me urdhër nga vetë ai, janë vështirë të harrohen, e, aq më pak, të amnistohen.

    Ka një dallim thelbësor të sjelljes, seriozitetit dhe saktësisë së qëndrimeve të institucioneve të drejtësisë apo politikës në shtetet anglo – saksone ndaj atyre në Shqipëri.

    Njeriu që e di më mirë se gjithë Rithemelimi dhe PD së bashku është pikërisht Berisha. Ai vështirë të ketë  harruar se pikërisht në Shtetet e bashkuara pasuesi i tij biologjik humbi gjyqin, për çështje që ishin krejtësisht të qarta ku ai vetë kishte qenë ideator, zbatues dhe përfitues i asaj që po ndodhte në fabrikën e vdekjes në Gërdec, ku edhe fëmijët punonin për familjen kryeministrore, si të ndodhte kjo në romanet e dhimbshme të Dikensit.

    Ai, Berisha, e di krejt mirë se rikthimi i tij në vitin 2005 nuk ishte asgjë tjetër, veçse shkapërderdhja e së majtës, ndryshimi i rregullave të lojës, bashkimi i tij me një pjesë të së majtës, LSI, që u bë gangrena e mëtejshme e këtij vendi. Ai e dinte krejt mirë se loja politike e tij me ndërkombëtarët kishte përfunduar prej kohe. E dinte se shansi që i ishte dhënë në vitin 2005 kishte të bënte me zullumet e së majtës, por jo me dobinë e së djathtës, që ai mendonte se përfaqësonte.

    Ndryshe nga pasuesit e tij, ai edhe sot e kësaj dite, e di se ndryshimet që mund të ndodhin në botë, nuk e prekin gjendjen e tij politike, nuk kthejnë pas llogaritë politike dhe familjare që ai ka bërë.

    Synimi i tij që, përmes kësaj loje me gjyqe në Francë dhe gjykime në Angli, të mbante edhe më tej frerët e një force politike që ka lidhur qerren pas fatit të tij, ishte më lehtë i mundshëm. Ai ka hedhur në lojë zaret e së ardhmes së familjes së tij, kur ai vetë të mos jetë më njeriu i dorës së fortë të opozitës, duke bërë hapat e duhur që trashëgimia familjare të jetë edhe në partinë që e ka pushtuar prej vitesh.

    Për të, nuk është e rëndësishme se çfarë mendojnë dhe përse protestojnë pasuesit e tij. Shumë prej tyre kanë pasur mburrjen e vetme se i kanë qëndruar besnikë, çka e kërkojnë edhe si shenjë mbi varr, të tjerë vazhdojnë të rrinë nga lojaliteti i shumë viteve, e në fund, më të shumtët që e dinë se mund të qëndrojnë ende në politikë dhe se fati i tyre varet nga çasti i Berishës, për të qenë ata dikush në jetën e së ardhmes.

    Berisha e dinte se nuk priste asgjë nga gjykimi në institucionet angleze, ashtu si e dinte se farsa  e një procesi në Francë nuk ishte asgjë më shumë se sa alibia e tij.

    Atij i duhej, i duhet edhe tani, do i duhet edhe në të ardhmen, besnikëria e një grupi njerëzish rreth tij, gjysma e të cilëve mezi pret që ai të largohet dhe të hapë rrugë në politikë, dhe gjysma tjetër ende mund të besojnë se një ditë gjithçka do të ndryshojë.

    Këto të fundit nuk janë problemi i Berishës. Për këto dhe mendjen e tyre nuk do të merrte mundimin të harxhonte një pasuri të tërë me studiot angleze të avokatisë. Këto i duhen si forcë për të pasur në kontroll gjysmën  e parë, të cilët mezi presin që ai të heqë këmbën zvarrë dhe bashkë me veten të marrë edhe familjen e tij.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit