“Teksa Trump përgatitet të rikandidojë për president, dhëndri i tij Kushner bën marrëveshje biznesi përtej oqeanit Kushner, njëherazi ish zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, ka pohuar se është afër finalizimit të projekteve të biznesit për pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi”- shkruan New York Times lidhur me lajmin e përhapur dje mbrëma për investimin e dhëndrit të Donald Trump në Ballkan.
Artikulli është shkruar nga Eric Lipton, Jonathan Swan dhe Maggie Haberman.
Më poshtë, pjesë nga artikulli i NYT:
“Të premten e kaluar, dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner pohoi se ishte në prag të përfundimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi. Kushner është rasti më i fundit i familjarëve të ish-presidentit që zhvillon lidhje biznesi jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa zoti Trump kërkon. të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Planet e z. Kushner në lidhje me Ballkanin duket të jenë edhe rezultat i marrëdhënieve të ndërtuara gjatë kohës që z. Trump ishte president i SHBA. Zoti Kushner njëherazi ish zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se për marrëveshjet në Ballkan kishte bashkëpunuar me Richard Grenell, i cili ka shërbyer për pak kohë si drejtori në detyrë i inteligjencës kombëtare të presidentit Trump dhe, më pas, si ambasadori ShBA në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm në Ballkan.
Një nga projektet e propozuara është kthimi i një ishulli në brigjet e Shqipërisë në një destinacion turistik luksoz.
Sipas një anëtari të parlamentit serb dhe pohimeve nga kompania e z. Kushner, projekt i dytë është një hotel luksoz, 1500 njësi banimi dhe një muze në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, më saktë në vendndodhjen e selisë së dikurshme të Ushtrisë Jugosllave, e cila u shkatërrua në vitin 1999 nga bombardimet e NATO-s.
Të dy këto dy projekte pritet të ndërtohen në tokë që kontrollohen nga qeveritë përkatëse, pra edhe se marrëveshjet do të duhet të finalizohen me këto qeveri.
Projekti i tretë mendohet të jetë po në Shqipëri. Bëhet fjalë për ndërtime në gadishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare prej 1000 hektarësh në jug të Shqipërisë, pjesë e desticanionit turistik të Vlorës, ku, sipas planit, pritet të ndërtohen disa hotele dhe qindra vila.
Përfshirja e zotit Kushner do të jetë nëpërmjet firmës së tij investitore, Affinity Partners, e cila krahas të tjerë investitorëve të huaj, është financuar me 2 miliardë dollarë amerikanë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Një zyrtar i Affinity Partners deklaroi se nuk ishte përcaktuar ende nëse fondet saudite do të jenë pjesë e ndonjërit prej projekteve që zoti Kushner po shqyrton në Ballkan.
Në një intervistë z. Kushner tha: “Jemi shumë të kënaqur. Këto marrëveshje nuk i kemi finalizuar ende, pra ato mund të mos konkretizohen, por kemi punuar fort dhe jemi shumë pranë (finalizimit).”
Zoti Kushner e krijoi kompaninë e tij të investimeve, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku kishte pozicionin e këshilltarit të lartë.
Ai ktheu në kapital marrëdhëniet që kishte ndërtuar gjatë negociatave qeveritare në Lindjen e Mesme, ku përfshihet marrëdhënia e ngushtë me princin e kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të Arabisë Saudite.
Zoti Kushner arriti të siguronte 2 miliardë dollarë nga fondi i pasurisë së sovranit të Arabisë Saudite dhe qindra miliona dollarë të tjera nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Deri më tani, publikisht ai ka hedhur disa hapa për të investuar shuma të konsiderueshme të këtyre parave.
Gjatë kohës që ka qenë pjesë e administrates edhe zoti Grenell ka krijuar lidhje të vyera, ku, dukshëm, përfshihen edhe lidhje që i kanë siguruar ekipit të Kushner një mundësi nga brenda për të investuar në Ballkan. Gjatë periudhës kur ishte pjesë e administratës Trump, zoti Grenell ka punuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës.
Këto diskutime përfshinin në mënyrë jo të drejtpërdrejt Shqipërinë, pasi shumica e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë etnikë dhe Shqipëria ka rolin e saj në diskutimet rajonale.
Zoti Grenell ka mbajtur raport të afërt me zotin Trump edhe pasi ky i fundit u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe ka vijuar ta mbrojë atë publikisht.
Sipas burimeve që duan të ruajnë anonimatin, privatisht, z. Grenell ka pohuar se shpreson të jetë sekretar i shtetit në një administratë të dytë Trump. Por në një intervistë, nuk ka pranoi të adresonte interesimin e tij për postin e sekretarit të shtetit. U shpreh se nuk e kishte vendosur nëse do t’i bashkohej administratës së ardhshme të Trump.
Presidenti i Public Citizen, Robert Weissman, i cili punonte mbi marrëveshjet e biznesit që i konsideronte si konflikt interesi gjatë administratës Trump, tha se këto marrëveshje të planifikuara ishin joetike dhe do të ngrinin vetëm pyetje të reja për familjen Trump, veçanërisht nëse zoti Trump rizgjidhej.
“Në këtë pikë të ciklit zgjedhor Jared Kushner duhet të ngrijë çdo plan të ri investimi,” tha zoti Weissman. “Në veçanti ky plan investimi duket se ka në vete tendencat më korruptive të administratës dhe familjes Trump.”
Përfshirja e familjes Trump në marrëveshje të jashtme biznesi ka qenë një prej fokusëve kryesorë të mandatit të zotit Trump, ndërsa kritikët, në fund, e paditën me pretendimin se familja po përfitonte në mënyrë jo të ligjshme pagesa të huaja, të cilave iu referohej si shpërblime ndaj Kushtetutës.
Këto çështje u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë si të diskutueshme, kur zoti Trump la detyrën, por ato mund të rihapen nëse ai do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Që nga largimi i tij, zoti Trump është bërë partner në një projekt zhvillimi në Oman, një marrëveshje tek e cila u përfshi nga një firmë saudite pasurish të patundshme, e cila ka lidhje me qeverinë saudite.
Zoti Kushner kundërshtoi me forcë idenë se ai po trajtohej në mënyrë preferenciale për shkak të detyrës së tij të mëparshme në qeveri dhe që ndonjë nga projktet e tij të kishte lidhje me ish-presidentin.
“Askush nuk po ‘më jep’ marrëveshje,” deklaroi z. Kushner, i cili këmbënguli se nuk kishte në plan të kthehej në Uashington, nëse vjehrri i tij fitonte përsëri presidencën. “Unë operoj me mjaft përpikëri dhe këto investime do të sjellin shumë të mira për komunitetet lokale, partnerët tanë dhe investitorët tanë.”
Ndërsa përfaqësuesit e zotit Trump nuk iu përgjigjën emaileve të shumta që iu adresuan pët këtë çështje.
Që nga sulmi i 6 janarit në Kapitol, y. Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka kanë qëndruar relativisht larg aktiviteteve politike të zotit Trump.
Z. Kushner dhe bashkëshortja e tij e kanë vizituar Shqipërinë dy here, pas largimit të zotit Trump nga detyra. Ata udhëtuan me zotin Grenell, e madje u takuan edhe me kryeministrin e Shqipërisë.
Z. Kushner dhe znj. Trump, së bashku me z. Grenell, janë fokusuar disi në Sazan, një ishull mesdhetar në jug të Shqipërisë që deri në fund të Luftës së Ftohtë ishte përdorur nga Bashkimi Sovjetik dhe nga qeveria komuniste e Shqipërisë si bazë e fshehtë ushtarake për nëndetëset. Sipas planit, në ishull do të ndërtohet një hotel dhe vila luksoze.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Sazani ka qenë thuajse bosh, por është afër një tjetër destinacion turistik në Shqipëri.
Ishulli dy milje katrorë me reliev të thyer ka qindra bunkerë dhe tunele të epokës së Luftës së Ftohtë, të projektuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore dhe të cilët kanë qenë kryesisht të papërdorura që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Ishulli gjendet vetëm një gjysmë ore me skaf nga Vlora, një destinacion turistik në jug të Shqipërisë, ku qeveria e Arabisë Saudite po shpenzon para për përmirësimin e shërbimit të energjisë elektrike si dhe të shërbimeve të tjera publike, si ndihmë për promovimin e turizmit në Shqipëri.
Zoti Grenell, një ish-bashkëpunëtor i Fox News dhe konsulent mediatik, është duke punuar ngushtë me zotin Kushner dhe firmën e tij të investimeve. Grenell është përpjekur që t’i transformojë marrëdhëniet që ai ndërtoi në Shqipëri dhe gjetkë në Ballkan në përfitime personale. Ai e ka vizituar rajonin vazhdimisht dhe është takuar me drejtues të industrisë së hotelerisë, si dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Ne po kërkojmë mundësi për të investime të huaja në Ballkan, më konkretisht në Shqipëri, dhe bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm”, është shprehur zoti Grenell në një nga një sërë intervistash që ka dhënë për televizione dhe gazetë të ndryshme në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit.
Menaxhimi i projekteve nga afër pritet të bëhet nga Asher Abehsera, një zhvillues i pasurive të paluajtshme nga Kalifornia, i cili ka punuar më pare për projektet e z. Kushner në Brooklyn. Në fakt, ai ka vizituar Ballkanin bashkë me z. Grenell dhe z. Kushner për të inspektuar sitet për zhvillim, u shpreh z. Kushner….



