5.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ç’i kanë sjellë rendit dyshja Çuçi-Nano?

    Ngjarja e rëndë e Himarës, ku një efektiv policor vrau me gomone një vajzë 7-vjeçare, pasi kishte thyer çdo ligj e rregull, erdhi pas dy udhëzimeve të forta nga lart për angazhim maksimal policor në bregdet, një nga vetë ministri Çuçi e një kryepolici Nano. Siç u vërtetua dhe nga rasti tragjik, situata në terren ishte larg nga ajo që u tha me fjalë e me qarkore.

    Kundërshtarët e qeverisë, nga opozita e shoqëria civile, kanë kohë që akuzojnë pushtetin për propagandë, por realisht duhet thënë se nuk ka patur më parë një qeveri ku ajo që thuhet prej saj, mjeshtërisht, siç e ka talent Rama, të mos gjejë aspak shprehje reale e të prekshme në terren. Sidomos te rendi. Ngjarja e Himarës i vuri vulën. Është kjo dhe të drejtësia. Ndërkohë që vijon të promovohet reforma në drejtësi, veç të larguarve me vetting, mes tyre dhe shumë që s’e meritonin, duke bërë që të ketë padrejtësi dhe në vetë reformimin e pretenduar të drejtësisë, padrejtësitë në drejtësi vijojnë të jenë ulëritëse.

    Mjaft të thuhet se për dy raste flagrante të ngjashme me atë që ndodhi në Himarë, autorët janë jashtë hekurave. Ju kujtohet besoj njeriu që goditi çiftin me foshnjë në vijat e bardha në Tiranë dhe që ia mbathi…ai tani është i lirë. Po kështu dhe personi që goditi me skaf çiftin e plazhistëve në Jale një muaj më parë.

    Kjo e Himarës ishte kulmi i shumëçkaje po shkon së prapthi me qeverinë, paçka se e gjendur në kriza që deri dje nuk i mendonte askush. Edhe po të mos qenë ato, pothuajse nuk ka patur asnjë sinjal se punët po venë mbroth në rilindjen e pretenduar të Shqipërisë.

    Për ta bërë më konkrete, ç’gjë ndryshe po sjell Çuçi në rend, po Nano? Deri më tani asgjë. Dhe kur themi asgjë, kemi parasysh atë finalen e çdo pune, atë që e sheh dhe e prek qytetari i thjeshtë.

    Kujtojmë se ky qytetar i thjeshtë do i jipte një shuplakë drejtuesve të rendit pak ditë më parë në Shkodër, duke protestuar për arrestimin e një efektivi të ndershëm, të cilën e donte një komunitet. Ishte dhe një shuplakë për qeverinë.

    Ishte dhe një leksion se nuk ka nevojë të bësh teste droge ndër policë, siç ia nisi punës Nano, një idiotësi që u raportua por nuk u trajtua si e tillë. Njeriut apo zyrtarit më mirë ia bën testin shoqëria. Në marrëdhënie me të, si qytetar apo si shtetar, provohet lehtësisht nëse është i denjë apo jo. Çfarë testi droge do t’i bëhej shef Saimir Rustemit kur një komunitet ngrihet në revoltë për arrestimin e tij për tendera?! Një njeri gjithnjë i aksionit në terren, në luftë të pakompromis me krimin, arrestohet për firmën e tij formale që, duke i rënë nga Kina, të çojnë në një tender(!!!).

    Ndaj, ajo që ndodhi në Himarë, është “mbushje kupe” për të gjithë këto, me çmimin e lartë të humbjes së jetës së një fëmije, duke i bërë të ndihen të urryer e poshtërruar ata që marrin përgjegjësi qeverisjeje pa qenë të zotë të qeverisin dot siç duhet.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit