Analisti Dritan Hila tha se protesta e sotme e Sali Berishës, ishte ndër më të dobëtat, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes së ulët, por edhe për shkak të ri përsëritjes së narratives, dhe mungesës së ideve.
“Një protestë e dobët ishte kjo e sotmja. Asnjë protestë e Berishës, nuk i afrohet protestave që bënte Basha. Nuk shikoj asnjë ndryshim përveç narratives agresive të Berishës apo Bashës.
Gjuha e Berishës është shumë e vjetruar, shumë larg epokës që po jetojmë. Berisha flet për revolucione, përmbysje të sistemit, po të kujt sistemi, këtij kapitalist?
Problemi i dytë që vërej unë është mungesa e ideve. Çfarë do të bëjë Berisha kur të vijë në pushtet? Do të ndërrojë administratën?!
Problemi i tretë është që në asnjë vend të botës, nuk i zhvillojnë partitë politike. Protestat zhvillohen nga organizata, nga sindikata, studentë etj, etj.
Partitë politike protestat i zhvillojnë në parlament, por këta tanët aty e kanë mendjen të zihen me njëri-tjetrin, vula ime apo vula jote!
Problemi i katërt është rënia dramatike e kualitetit të udhëheqësve të PD. Unë shikoj vetëm disa papagaj që hanë shiritin, dhe flasin. Asnjë ide të tyre. E pritshme kjo rënie. Numrat nuk e kanë kaluar 10 mijë persona. Po ju kujtoj vetëm një fakt.
Kur bëheshin ndeshjet dikur në stadiumin Qemal Stafa, që mbushej dhe kishte një kapacitet prej 20 mijë vetash, kur dilnin tifozët mbushej sheshi Italia, sheshi Nënë Tereza dhe Bulevardi.
Tani me zor mbushet nga kryeministria deri te rruga Elbasanit dhe kam 10 mijë veta”, u shpreh Hila në Dritare TV.