Nga Rezarta Reso
Fjala e parë që më vjen në gojë, është: shumica e shqiptarëve. Fjala e dytë: antikomunistët ish-komunistë. Fjalët e tjera: të gjithë hasetçinjtë, të pazotë për t’u matur e përballur me formimin dhe arritjet e saj. Me kaq mund ta mbyllja diskutimin, por m’u kujtua kur tridhjetë vjet të shkuara emigrova në SHBA. Vendi i parë që vizitova, sapo mbërrita në qytetin ku jetoj edhe sot e kësaj dite, ishte biblioteka.
Atëherë nuk e ngisja makinën dhe më kujtohet që i kërkova tim eti të më linte aty dhe të vinte për të më marrë kur të mbyllej. Nuk dija nga ta nisja, por dija se kisha një pasion të jashtëzakonshëm për historinë, psikologjinë, problemet sociale dhe pa dyshim për politikën, ndaj fillova të rrëmoja e të tërhiqja nga raftet lloj-lloj librash me këto subjekte. U ndala sidomos te filozofia e politika.
Me dhjetëra e dhjetëra shkolla, drejtime, këndvështrime, kundërshtime, që nga fillimet e mendimit filozofik në botën antike e deri ditën që po gërrmoja e lirë ç’të doja. Askush nuk po më survejonte se ç’po kërkoja, askush nuk më ndaloi të mbushja torbën me Aristotel e Platon, me Kant e me Spinoza, me Marks e me Lenin, me Frojd eme Mao Ce Dun… Libra të Enver Hoxhës nuk kishte, por kisha lexuar boll prej tyre.
E kështu, në rrjedhë të viteve, lexova ç’desha, krahasova, krijova ide të reja, ndryshova ca të vjetra, shkunda ca që më rezultuan tejet arkaike e pa vlerë. Ashtu mes librash, e lirë dhe pa asnjë kufizim, nisa një tjetër rrugëtim, që ende nuk ka sosur. Ajo ç’ka mësova, ishte që asgjë që kam lexuar ose vazhdoj të lexoj, nuk ishte pa vlerë, nuk ishte e rrezikshme, nuk ishte e frikshme, e papranueshme… Ajo ç’ka mësova e kuptova, ishte qasja ime ndaj asaj që lexoja, çfarë më përshtatej, çfarë më bënte të ndjehesha më mirë, çfarë më ndihmonte të arrija aty ku doja unë.
Kam ngritur ca vlera brenda vetes, ca parime, dhe pikërisht ky apo ai libër vetëm më shërbejnë për t’i mbrojtur e për t’i përsosur ato ç’ka më bëjnë kjo që jam, ashtu, me të mirat e dobësitë që kam.
Në këtë rrugëtim, një nga pasionet e veçanta ka qënë përballja me atë që në Shqipëri kam dëgjuar se e quajnë “mendimi ndryshe”. E lehtë? Jo. Ama e domosdoshme. Vija nga një familje qytetare. Me gjyshër e strëgjyshër të gjesdisur e të shkolluar në Europë. Një familje që, si shumë e shumë familje të shtresës së mesme të paraluftës, kishte krijuar mirëqënie në saje të një pune të ndershme, por që fatkeqësisht regjimi komunist ia mori shumicën e pronave.
Qemë me fat që nuk na burgosën dhe nuk na e morën shtëpinë ku jetonim. Brenda mureve shahej komunizmi e tallej Enveri, kurse jashtë tyre unë recitoja vjersha për partinë e dilja në televizor. Nuk isha e vetmja, në fakt, pasi kisha edhe një shoqëri të bekuar e të mrekullueshme, që besonte në ato gjëra që besoja dhe unë.
Jo vetëm kaq, por kisha të njohur “me krahë të ngrohtë”, që vetëm më kanë ndihmuar. Kam njohur komunistë të lodhur, të zhgënjyer, të frikësuar që thonin se ai nuk ishte komunizmi, tek i cili kishin besuar… Pas shumë kohësh dita e përmbysjes erdhi. Disa nga ëndrrat u bënë realitet.
Prej më shumë se 30 vitesh jetoj në Amerikë dhe në Shqipëri kthehem për pushime e për të takuar mikeshat e mia. Ndryshime pa fund aq sa nuk njoh më rrugën e shtëpisë ku u rrita. Nuk orientohem dot, humbas, hutohem… Televizori më çorienton akoma më shumë, sidomos kur “shoh “VIP-at” në “Shtëpinë më të famshme në Shqipëri”.
Nivel i frikshëm injorance, homofobie, racizmi, padijeje, arrogance boshe dhe gjuetije mishi. Shoh debate mbi politikën apo problemet sociale nga opinionistë, gazetarë e politkanë. Një cirk ku gjithkush flet, ndërpret, ironizon, kërcënon, tallet, thumbon, shan. Askush nuk dëgjon çfarë thotë tjetri. Gjithkush është më i ditur dhe më i saktë se çdokush tjetër. Pikërisht në këtë realitet shfaqet papritur Lea Ypi.
“E lexove këtë Lea Ypin?”, ulëritej nëpër Facebook e Instagram. “Uaaaa, po qenka një marksiste e thekur, një soroiste, një komuniste e hapur fare”, “Sorosi ka paguar Edi Ramën për ta bëre kryeminstre. Edhe librat Sorosi ia boton dhe ia perkthen në tërë gjuhët”, “Ka një burrë plak”, “Ka diploma fallco”… Tërë të zezat veç për Lean i kishin ruajtur.
Flamurin kundra Lea Ypit e ka marrë në dorë një farë Evi Kokalari, një klloune, mike e ngushtë medemek e familjes Trump, por që gojët e liga thonë se paguan për të bërë një foto me ta… E bija e një ish-sekretari partie të devotshëm, e cila po shkumbon ditë e natë nëpër portale me ca pamflete si fletërrufetë e dikurshme, që Lea të shpallet “Armike e popullit”.
Një histerizëm i turpshëm shpellar, që të neverit jo vetëm nga niveli i mllefit dhe nga mungesa e informacionit, por mbi të gjitha nga paturpësia e spekulimeve dhe shpifjeve se ç’përfaqëson në të vërtetë Lea Ypi. Kjo Kokalari paska kushërirë Musine Kokalarin. E kishte vënë në biografi i jati kur u pranua anëtar Partie dhe mbi të gjitha Sekretar Partie?
“Kush është Lea Ypi? Nga ç’familje vjen? A i njeh?”, pyeta një ditë tim atë.
“Si, moj, nuk i njoh?! Edhe ti i njeh mirë. Eshtë vajza e Dolli Veliaj Ypit, moj, dhe mbesa e teta Fozit”. Mbeta gojëhapur. Vajza e Dollit të dashur, që më mrekulloi me romanin “Amore a la Morra”?! Mbesa e teta Fozit, që sa herë vinte të vizitonte gjyshen time, unë ulesha në një stol të vogël derisa më nanuriste gjumi, teksa dëgjoja historitë e treguara aq bukur për kohën e kaluar. E pra, Lea ka edhe një gjyshe tjetër, po aq të fortë sa Leman Ypi, që duroi e sakrifikoi brutalitetin e komunzmit me një dinjitet të rrallë.
Rriti fëmijë të mrekullueshëm, si nëna e Leas, Dolli, por dhe motrat e vëllezerit e saj. Ishin pikërisht këto zonja me gjak e shpirt artisti, me ëndrra e mendje të hapur, kërkuese, konkurruese, ato që mëkuan një Lea shkrimtare, artiste, filozofe.
Dhe, nëse Sorosi e paska vënë re, hahaa, bravo i qoftë. Ka kuptuar një njeri që i takon progresit, lirisë, emancipimit dhe jo urrejtjes, gjakderdhjes dhe skllavërisë nga një palë zinxhirë komunizmi në të tjerë zinxhirë fashizmi.
Ka ndryshime Shqipëria, pa dyshim, por ajo që vë re me trishtim, është që sa pak dashuri dhe mirëdashje ka mes shqiptarëve. Sa të vështirë e kanë shqipot të pranojnë idetë ndryshe nga të tyret… sa të kërcënuar e ndiejnë veten nga shkëlqimi apo arritja e dikujt… sa të lehtë e kanë të vënë nofka, të tallen, të sajojnë të paqëna, si puna e kësaj Kokalares… Bolshevizmi, moj Kokalare, nuk ishte vetëm marksizëm, socializmi nuk ishte vetëm bolshevizëm dhe marksizëm, socialdemokracia është ndryshe nga socializmi marksist e kështu me radhë. Ç’të keqe ka t’i mësosh këto, moj e uruar?! A nuk të vlejnë për të mësuar se si t’i luftosh më mirë e më paqësisht?
E meqë ra fjala, do të të sugjeroja të lexoje “Socialism 101: A Crash Course in Socialist Political Theory” nga Kathleen Sears,. Ke mundësi që të marrësh ca njohuri fillestare, sepse nuk ke asnjë ide për çfarë flet. Njih “armikun” tënd, pastaj sulmoje! Dëgjoi leksionet e Leas! Do të lehtësohesh nga mllefi, më beso. Kemi shumë për të mësuar e kuptuar, para se të shpallim luftë.
Unë jam 62 vjeç dhe çdo ditë i përsëris vetes: Mos kujto se di shumë!



