8.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Cili do ta tradhtojë i pari tjetrin: Iliri apo Monika?

    Nga Bedri Islami

    Në të gjithë këto ditë, duke parë përplasjen mes çiftit Meta – Kryemadhi, me tensionet që për shfaq, grindjet, herë përballë njëri tjetrit, e herë të tjera nga studiot televizive, në sheshe të hapura apo në mbledhjet partie, me ultimatume të thëna drejt për së drejti , apo nënkuptime përmes buzëqeshjesh, mendimi i natyrshëm është se cili prej tyre po bëhet gati të tradhtojë njëri tjetrit, apo, se cili e ka tradhtuar i pari tjetrin.

    Ilir Meta ka ditë që luan rolin e sherr – budallait. Është e dhimbshme të shikosh njeriun që ishte jo shumë kohë larg , i pari i shtetit. Që kishte qenë gjithçka. Është trishtueshëm të mendosh se këto njerëz na kanë qeverisur. Këto që nuk e rruajnë as për burg as për prokurori. Që në 30 vite i kanë hipur pushtetit, kanë burgosur drejtësinë, kanë bërë pasuri marramendëse, janë sjellë me pushtetin më keq se me çifligun e babait, megjithëse nuk kanë pasur asgjë në ngastrat e tyre.

    Është i çmendur Ilir Meta? A është vërtet kaq e zemëruar gruaja e tij? Ato që, njëri pas tjetrit apo të dy bashkë, turfullojnë ndaj njëri tjetrit dhe sistemit janë të turpshme edhe për një rrugaç ordiner, jo më për një familje që kushdo mund të ketë menduar se përfaqëson shtetin.

    Por kjo nuk është themelore. Si njëri, ashtu edhe tjetri janë të gatshëm të lënë në baltë shoqi – shoqin. Askush të mos dyshojë për këtë. Megjithëse shiten për trima të mëdhenj, që kanë pas vetes “ 300 mijë Vojo Kushër”, njerëzit që kanë pas vetes numërohen me gishtërinjtë e dorës, e jo shumë larg, me gishtat e njërës dorë. Përgjithësisht hajdutët nuk janë trima. Nga ky rregull nuk përjashtohen as këto.

    Kryemadhi ka shijuar në këto vite atë që as e ka menduar ndonjëherë dhe nuk ka pasur fantazinë as ta mendojë. Nëse do i kishin thënë Monës studente se, një ditë, në vilën e saj të stërmadhe, do të kishte banja të posaçme për qenë dhe mace, do të kishte kapur flokët e do të kishte zënë kokën.

    Meta, po ashtu, nëse dikush do i kishte thënë se një ditë do të kishte vilë luksoze në bregdet, e pastaj një vilë ngjitur me të vjehrrën, po ashtu do të kishte qeshur me të madhe. Të nisur nga hiçi, u bënë gjithçka. U bënë sundues dhe tani që i është lëkundur froni, ata po bëhen gati të braktisin anijen e tyre. Problemi është vetëm se kush do të jetë i pari në braktisjen e tij.

    Të jemi të qartë. Një jetë e kaluar përmes shantazheve ndaj të tjerëve, duke kërkuar për një firmë 700 mijë euro; e shkuar përmes një mijë e një enigmave dhe përvetësimeve, e sunduar nga forca dhe shtypja e së drejtës, nuk prodhon as jetë të ndershme, as njerëz besnikë, dhe as traditë të fortë familjare.

    Ata mund të thonë çfarë të duan për njëri tjetrin, të jenë përbetuar për besnikëri, të jeni kthyer në kujtimet e hershme, ku janë takuar për herë të parë dhe në cilin cep janë puthur, kjo nuk e zhbën të vërtetën, se, secilën herë që janë parë me njëri tjetrin, në të gjitha vitet e përbashkëta, deri tani, e kanë ditur se kanë përballë jo vetëm bashkëshortin, por edhe një keqbërës, një përvetësues, në fund, një hajdut , që nuk ndryshon nga të tjerët, veçse nga madhësia e vjedhjeve që janë bërë.

    Ata e njohin mirë njëri tjetrin. Meta bashkëshort ndryshon nga Meta ish president. Si president ishte mediokër, pa asnjë fantazi në drejtimin e shtetit, përgjithësisht njeri i pa lexuar, që nuk përkon ideja e tij me asgjë reale dhe të kohës; asnjë vizion nuk është shfaqur tek ai në vitet e presidencës. I mbyllur në një kuti të fildishtë ai krijoi rrethin e tij të betejës kundër qeverisë, për të mbetur në lojën e politikës dhe për të zbehur të vërtetat që po i ndjente se i silleshin rrotull.

    Dosja CEZ-DIA është hapur në kulmin e viteve të tij si president, kur ende ishte enigmë dhe forca e tij politike në bashkëqeverisje, viti 2019. Kur ai e kuptoi se kishte rënë në kurthin e Edi Ramës ishte vonë për t’ u zgjuar , dhe, kur provoj të zgjohej , ishte vonë për mendësinë e tij si politikan i forcës. Ndryshe nga sa pritej.

    Ai mbetet një ndër faktorët kryesorë të humbjes së opozitës në zgjedhjet politike të vitit 2021 dhe, nëse mbetet në këtë lojë “vojokushërit”, do të jetë edhe personazhi i humbjes së vitit 2025. Tani që këmba i ka rrëshqitur, ai është i gatshëm të “tradhtojë”, jo vetëm në jetën bashkëshortore, bashkëluftëtaren “ legjendare”, Monika Kryemadhin.

    Është luftë për mbijetesë, dhe, para se të shkojë ai drejt një fundi të skajshëm dhe të turpshëm, le të shkojë ajo. Përgatitjet janë bërë. Përjashtimi nga kupola e drejtimit të partisë është përgatitur. Pas pak ditësh do të ndodhë. Largimi nga shtëpia, si është folur në media, ka ndodhur. Në mentalitetin e tij vetëm njëri do të jetë fajtor, ose ai, ose Monika.

    Koha e akuzave i përshkon të dy. Njërin në aferën e CEZ-it, tjetrën në kohën kur mori përsipër të shpartallojë LSI-në. Njëri në afera qindra milionë eurosh, se Iliri luan rëndë, një dorë e ka 700 mijë euro; tjetra me afera që kanë të bëjnë me paratë e dërguara tinëzisht në Amerikë, apo harxhimet për estetikën e saj pamore. Një grua që në fillimet e saj mendonte për drekën e së nesërmes, në çastin kur shpenzon qindra mijëra euro për operacione estetike, ajo ka menduar edhe për të ardhmen. Nuk e ka ndër mend të sakrifikohet si gra të tjera për burrin e saj.

    Në fund të fundit, edhe pse çdo gjë e kanë bërë bashkë, e ka më të lehtë të vazhdojë e vetme në vilat e ngritura, se sa të përgjojë pas dyerve për vizitën e radhës. Burgu është gjë e rëndë për këdo, veçanërisht për ata që shkojnë aty nga parajsa.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit