Nga Aranit Muraçi
Imagjinoni që, nëse për presidentin e ardhshëm do të arrihej një konsensus i gjerë mes Ramës, Berishës, Metës dhe Bashës dhe ai të mos votohej fare nga Kuvendi!
Logjikisht presidenti nëse votohet në popull kërkon të jetë më i votuar se vetë qeveria.
Bazuar në kushtetutën tonë një president i cili nuk merr numrat e nevojshëm në Kuvend do të ishte i paligjshëm. Pra, kushtetuta nuk parashikon pëlqime, as qejfmbetje individuale.
Ajo nuk parashikon që presidenti të jetë i majtë apo i djathtë, bjond apo brun, kaçurrels apo pa flokë fare, i gjatë apo i shkurtër, i shëndoshë ose i dobët, grua ose burrë, akademik a me diplomë të blerë (të paverifikuar), politikan ose jo, peshngritës apo jurist, doktor, artist etj.
Sipas kushtetutës emri i tij duhet të propozohet nga të paktën 20 deputetë dhe të votohet brenda tre raundeve të para me 84 vota nga Kuvendi, ose në raundin e katërt dhe të fundit me vetëm 71 deputetë.
Nëse Ramës do t’i lutet faktori ndërkombëtar që të propozojë një përpaqësues nga opozita, e zëmë Bashën, dhe ai e pranon ofertën atëherë presidenti i ri nuk do të dalë nga radhët e PS-së.
Kaq i thjeshtë është debati.
Opozita e vendit e mbetur aktualisht pa kryetar, për shkak të sherreve të brendshme, në vend që të gjejë një zgjidhje dhe një kryetar mbi palët e përfshira në konfliktet e fundit që e çuan atë në përçarje, paradoksalisht është përfshirë në debatin rreth një presidenti konsensual.
E thënë me fjalë të tjera aktualisht nuk e dimë se cili do të jetë, por dimë që emrin e propozimit dhe të zgjedhjes së presidentit të ri e ka zotëruesi i mazhorancës së përbërë nga 77 vota të Kuvendit, Edi Rama.
Për çfarë konsensusi diskutohet?
Ka edhe një histori interesante. Presidenti i vetëm i cili nuk ka patur konflikte ose është kontestuar më pak nga njëra palë ka qenë presidenti i vetëm i zgjedhur pa konsensus nga PS me votat e saj, Rexhep Mejdani.
PS i kishte 84 votat për të zgjedhur edhe presidentin e vitit 2002. Por kreu i opozitës së asokohe Sali Berisha u ankua te ndërkombëtarët (pretendoi paligjshmëri me deputetët e Dushkut) dhe kërkoi një president konsensual. Fatos Nano ia plotësoi dëshirën. Berisha i dërgoi emrat, Nano dha pëlqimin për Alfred Moisiun.
Dihet sakaq raporti konfliktual që pati Moisiu me PD-në pas marrjes së postit të lartë të kreut të shtetit, ndonëse presidenti ishte konsensual dhe i propozuar nga opozita.
Edhe pse kishte një marrëveshje që presidenti të zgjidhej konsensualisht PD e prishi atë në rastin e parë. Në vitin 2007 Bamir Topi dogji karrierën e 6 deputetëve socialistë, pasi ata thyen vendimin e PS-së duke plotësuar numrin e votave që kërkonte votimi në Kuvend i emrit të tij kur u propozua nga PD pa marrë konsensusin e PS-së.
Topi mbante postin e kreut të Grupit Parlamentar Demokrat para se të zgjidhej President, por duke parë cilësitë e lidershipit që zotëronte në PD, Berisha besohet se e propozoi në postin e lartë të kreut të shtetit për të mos krijuar rivalitet në parti. Dihet më tej raporti konfliktual i Topit me ish-partinë e tij pasi mori detyrën e lartë të kreut të shtetit.
Ndryshimet kushtetuese, pas marrëveshjes PS-PD i hapën rrugë zgjedhjes së një presidenti pa qenë nevoja për konsensus ndërpartiak. Presidenti nga viti 2012 e këtej mund të zgjidhej me 71 votat e maxhorancës. PD ndonëse ishte në qeverisje gjatë vitit 2012, madje kishte marrë edhe drejtimin e bashkisë së Tiranës një vit më parë, e zgjodhi presidentin nga radhët e saj me vetëm 73 vota nga 76 deputetë të pranishëm në sallë pa konsensus. Ish-ministri i Brendshëm ndonëse me përvojën e presidentit pas kthimit në parti nuk arriti as aty të dalë mbi palët për t’i dhënë zgjidhje konflikteve të brendshme.
Në vitin 2017 Ilir Meta u propozua nga PS dhe u zgjodh president edhe me votat e LSI. Në mungesë të opozitës votuan pro tij 89 deputetë (nevojiteshin 71 vota pro). I njëjti president u shkarkua me 104 vota nga shumica që doli prej zgjedhjeve të legjislaturës së kaluar, shkarkim të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Dihet edhe raporti konfliktual i tij me PS-në dhe së fundmi me PD-në e drejtuar nga Basha.
A mund të kemi një president konsensual mbi palët, megjithëse pas marrjes së detyrës e kaluara ka treguar se mund të jetë po aq edhe konfliktual. Berisha tha se PD nuk do të votojë asnjë kandidaturë të propozuar nga Rama, qoftë edhe nëse ajo vjen nga radhët e opozitës. Berisha i druhet në fakt miratimit të kandidaturës së Bashës nga socialistët. Ai ka kërkuar indirekt rikthimin e skemës së vitit 2002, që t’i jepet atij e drejta e propozimit.
Sipas kushtetutës, Berisha dhe cilido faktor tjetër politik me 20 deputetë thjesht kanë të drejtën e propozimit të presidentit në Kuvend.
Nga ana tjetër janë të shumtë senatorët e PS-së, të cilët e lakmojnë një post të tillë. Qeveria aktuale përbëhet nga shumica gra. Një grua është zgjedhur edhe në krye të Kuvendit. Duke qenë se emrin e ka Rama në dorë, probaliteti është që presidenti i ri, të jetë grua, çka do të ishte historike.
Megjithatë, për presidentin Rama nuk është çudi që të nisë konsultimet edhe me qytetarët përmes platformës “Presidenti që duam”. Nëse do të përballet me vështirësi ose pakënaqësi brenda radhëve të tij, kryeministri politikisht mund të përdorë shprehjen e famshme: Punë ka, por nuk ka profesionistë!