Në fjalën e saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), deputetja e PD, Albana Vokshi denoncoi Shqipërinë si një qendër kryesore për pastrimin e parave të drogës, që përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe ekonominë evropiane.
“Ajo që mund të duket si një çështje shqiptare, në të vërtetë është një kërcënim për sigurinë evropiane.
Hetime të fundit nga Radio France dhe gazeta gjermane Die Zeit konfirmojnë atë që shumë shqiptarë e shohin çdo ditë me sytë e tyre: Shqipëria është kthyer në një qendër kryesore për pastrimin e parave të drogës, duke i shërbyer rrjeteve ndërkombëtare të trafikut, të cilat veprojnë në shumë vende të Bashkimit Evropian. Një nga mediat më të media amerikane, Fox News, vetëm dy ditë më parë e quajti kryeministrin shqiptar “Ramaduro”.
Ka një shqetësim në rritje. Grupet kriminale nuk e kanë më të vështirë të legjitimojnë fitimet e tyre. Shqipëria ua zgjidh këtë problem, duke ofruar një mënyrë të lehtë për të pastruar dhe ricikluar pasuritë e paligjshme përmes projekteve të ndërtimit me vlera prej miliarda eurosh.
Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me korrupsionin. Ka të bëjë me kapjen totale të shtetit shqiptar nga interesat kriminale.
Lejet e ndërtimit nuk jepen mbi bazë merite apo tregu, por si shpërblime politike, shpesh për subjekte që nuk kanë as kapitalin minimal të nevojshëm. Në shumicën e rasteve, aktorët e vërtetë pas këtyre projekteve janë rrjete kriminale. Dhe personi që i autorizon lejet, është vetë Kryeministri. Po të vini sot në Tiranë, është e mbushur me kulla të larta, shumë të tjera janë në ndërtim, e të tjera kanë marrë leje.
Çdo vit miliarda euro në ndërtim. Por mbi 40% e apartamenteve në këto ndërtesa janë bosh. Në Tiranë, çmimi për metër katror ka kaluar shumë qytete të BE-së: 3000, 5000, tashmë gjenden edhe me 10.000 euro për metër katror. Unë nuk mund t’i përballoj këto apartamente. Shqiptarët nuk mund t’i përballojnë. Nëse marr një kredi, do më duhen 50 deri në 100 vite për ta shlyer. Atëherë, kush i blen?
Ajo që dikur BE-ja e ndaloi si një amnisti fiskale formale, sot duket se po zbatohet në heshtje: një pakt i fshehtë mes politikës dhe krimit të organizuar.
Siç shkruan Die Zeit, edhe arkitektët ndërkombëtarë të ftuar nga kryeministri Rama kanë shprehur shqetësimin se kush do t’i blejë këto kulla, dhe nëse ata po shërbejnë në fakt për të legjitimuar pastrimin e parave.
Të nderuar kolegë,
Pse e ngre këtë shqetësim? Sepse nuk është vetëm cështje e Shqipërisë.
Kjo nuk po shkatërron vetëm ekonominë shqiptare, por po minon integritetin financiar evropian. Kur këto fonde kriminale pastrohen në Shqipëri, ato hyjnë sërish në BE, duke shtrembëruar tregjet dhe duke dëmtuar konkurrencën e ndershme. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit në të gjithë kontinentin tonë.
Ndërkohë, popullsia e Shqipërisë po bie në mënyrë dramatike, popullsia po plaket.
Një qeveri e kontrolluar nga interesat e trafikut nuk mund të garantojë as demokraci, as stabilitet. Këto interesa do të prodhojnë shumë shpejt përplasje, pandëshkueshmëri dhe, destabilizim rajonal.
Prandaj, i bëj thirrje kësaj Asambleje dhe Këshillit të Evropës të veprojnë pa vonesë:
-Të hetojnë origjinën e kapitalit në bumin e ndërtimit në Shqipëri.
-Të shqyrtojnë lidhjet politike-kriminale në nivelet më të larta të qeverisë.
-Dhe të mbështesin rritjen e ndërgjegjësimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Sa më gjatë të heshtim, aq më i madh do të jetë dëmi — jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vlerat që pretendojmë të mbrojmë në të gjithë Evropën dhe komunitetin transatlantik”, tha ajo në një sallë bosh, siç duket dhe nga vetë video që ka postuar në rrjetet sociale.