Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar 20 leje ndërtimi, objekte të cilat pritet të ndërtohen përgjatë bregdetit shqiptar, nga jugu në veri, duke e kthyer veçanërisht bregdetin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi.
Mes vendimeve të miratuara në mbledhjen e fundit, KKT i ka hapur rrugë edhe lejeve të ndërtimit në projektin Durrës Marina & Yacht, me subjekt zhvillues shoqërinë “Durrës Marina” sh.a.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbitokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi 1, 6, 7 dhe 8 kate mbitokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, Zona 02, Zona e menaxhimi A02 dhe A04, me vendndodhje në “Marina & Jahtet e Durrësit”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Durrës Marina” sh.a.”, thuhet në vendimin e KKT-së.
Po ashtu, një numër i madh lejesh ndërtimi janë dhënë edhe për resorte në Gjirin e Lalëzit, në Shëngjin dhe përgjatë bregdetit në Jug.
Për zonën e Lezhës është dhënë leja me objekt “Godina me funksion banimi, Shëngjin”, leja e dytë e miratuar nga KKT është Objekte me funksion banimi dhe shërbimi dhe objekt me funksion hoteleri dhe kazino, me përfitues shoqërinë Dukagjini Group. Në rendin e ditës në mbledhjen e KKT-së kanë qenë dhe dy projektet e porteve turistike, atij të Durrësit dhe të Vlorës.
Për Portin e Durrësit, ku KKT miratoi lejen e ndërtimit për 9 godina. Ndërsa për Portin e Vlorës dhe në bregdetin e Lazit u miratuan total 6 leje. Në lidhje me bregdetin e jugut janë miratuar një sërë projektesh.



