Për vitin 2024, shoqata e ndërtuesve parashikon rritje me 20% të çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Shkak është rritja e taksave, pas ndryshimit të çmimeve të referencës. Rritje çmimesh do të ketë edhe në qytetet e tjera, në veçanti në qytetet bregdetare. Si shembull jepet Bashkia e Vlorës që propozoi rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga niveli 4% në 6%.
“Në ndërtim, kostot direkte nuk do të jenë më të larta, ndërsa ndikimi i taksave nga qeveria pritet të jetë në rritje. Nëse në Tiranë sot aplikohet maksimumi i taksës së ndikimit në infrastrukturë (8%), disa qytete, si p.sh., Vlora, kanë hedhur në diskutim rritjen e kësaj takse nga 4% aktualisht, në 6%.
Ndryshimet e çmimeve të referencës deri më sot kanë dhënë ndikim vetëm në qytetin e Tiranës, me rritjen e çmimit të referencës në gjithë territorin e kryeqytetit, që pritet të rrisë koston e ndërtimit mesatarisht 40% më shumë.
Sigurisht që kjo rritje kostosh do të shoqërohet me çmime më të larta. Çmimi do të rritet besoj mesatarisht me 20%”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.
Parashikimet e arkëtimeve për këtë taksë, referuar të dhënave të projektbuxhetit, pritet të jenë në vlerën e 6,3 miliardë lekëve në vitin 2024. Në 2025-2026, arkëtimet do të jenë nga 6,5 miliardë lekë.
Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja u nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e të tjera.
Për ndërtuesit me kosto të pajustifikuara, sektori është ngarkuar edhe nga taksat e tjera, duke përfshirë taksën 3% të kontributit në strehimin social, taksimi i mbetjeve inerte.
Ndërtimi kontribuon rreth 11% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, por vitet e fundit vihet re rënie e fitimit nga viti në vit në sektorin e ndërtimit.
Kjo ka ardhur kryesisht prej 10-fishimit të taksave në sektorin e ndërtimit, duke sjellë kështu një rritje të konsiderueshme të çmimit të apartamenteve e për rrjedhojë, për një pjesë të popullsisë, blerja e një apartamenti bëhet mision i pamundur.