Çmimi i bukës masive nëpër rrethet e Shqipërisë është rritur për herë të tretë brenda një periudhe shumë të shkurtër, nga 100 lekë në 130 lekë.
Gëzim Peshkëpia, kryetar i Shoqatës së Bukës, Brumrave dhe Pastiçerisë, thotë se nga 130 lekë që është tani, çmimi i bukës masive pritet të shkojë deri në 150 lekë.
Kjo rritje çmimi sipas tij do të reflektohet edhe në kryeqytet ndonëse Peshkëpia thekson se situata në Tiranë është më e kontrolluar se nëpër rrethe.
“Rritja e çmimit të bukës nëpër rrethe është individuale dhe po reflekton koston shtesë të transportit si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve. Transporti i miellit nga fabrikat në Tiranë deri në magazinat e rretheve është nga 25-35 lekë/kg. Kostoja shtohet sërish pasi mielli nga aty transportohet në furrat e bukës.
Qeveria e ka të pamundur që të frenojë rritjen e çmimit të grurit të ndikuar nga ndalimi i importit në Rusi dhe Ukrainë”, shprehet ai.
Ndër të tjera ai thekson se situata nuk mund të konsiderohet abuzuese duke parë të gjithë efektin domino të rritjes së çmimeve.
Çmimet janë rritur sidomos në furrat e vogla të bukës të cilat nuk tregtojnë produkte pastiçerie.
“Çmimi i miellit është rritur dhe jemi detyruar edhe ne të rrisim çmimet e bukës. Një thes të vogël mielli që ne e blinim 150 lekë të vjetra, tani është shtrenjtuar në 220 lekë. Edhe një kilogram miell “Primo” në ditët e para të marsit u shit me 100 lekë nga 80 lekë që ishte tregtuar në mars.
Për momentin, buka është rritur me 20 lekë, kryesisht bukët që ishin më të vogla në përmasa. Njerëzit po ankohen por as ne nuk kemi çfarë të bëjmë në një situatë të tillë,” tha një nga shitëset duke ngritur supet si për të dashur të shfajësohej.
Ndërkohë, shumë qytetarë të rretheve kanë nisur të ankohen për rritjen e çmimit të bukës nëpër rrjete të ndryshme sociale.
Duke publikuar faturat e çmimeve ata shprehen se nuk po e përballojnë dot as blerjen e bukës, produktin që ata e konsiderojnë bazën e shportës së ushqimeve të tyre.
Në 2021-shin Shqipëria ka importuar rreth 326 mijë tonë drithëra ku gati 50% e tyre ishin nga Rusia.
Bota ende po përpiqet të rikuperojë furnizimet që gjatë sezonit të kaluar ishin me mangësi dhe çmimet e larta nga pushtimi i Ukrainës jo vetëm e vonuan rikuperimin por edhe shumfishuan kostot zinxhir.