Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Lushnjes ku një 58-vjeçare nga fshati Çinar ka ndërruar jetë në ambientet e Bashkisë së Lushnjes.
Gruaja, e identifikuar si Shpresa Cani, kishte shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse iu ishte hequr ndihma ekonomike.
Pasi është paraqitur në zyrën e informacionit, ajo është drejtuar Drejtorisë së ndihmës sociale.
Viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes së emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyrë.
Më pas 58-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren.
Sapo ka kryer takimin ajo është ndier keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnje. Pas mbërritjes së ambulancës, mediat shkruajnë se gruaja kishte ndërruar jetë në vend.
Pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjes ka referuar materialet në Prokurori, për të hetuar shkaqet e vdekjes së 58-vjeçares.
Kjo ngjarje mësohet ka tronditur kryebashkiaken Eriselda Sefa, e cila, sipas disa mediave, ka kërkuar të therej një pulë e zezë në ambientet e bashkisë.
Mesa duket kryebashkiakja ka marrë gjërat me radhë, fillimisht ka vendosur që të heqë “syrin e keq” nga Bashkia se ka zgjedhjet lokale para, në vend që të shkonte në Policinë e qytetit që të japë llogari për atë që ndodhi në zyrën e saj, me një qytetare për të cilën mban përgjegjësi.