-0.5 C
Tirana
E diel, 29 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çudira shqiptare: Jemi vendi më i varfër në Europë, por udhëtojmë me avion, jo me tren (7 mijë pasagjerë me tren dhe 1.6 milion me avion)

    Nga Aranit Muraçi

    Ka një fakt interesant. Shqipëria është vendi i vetëm i Europës që ndërtoi aeroportin e më pas hekurudhat. Kjo për arsyen e prapambetjes së saj historike. Aeroporti kërkonte më pak kohë dhe shpenzime, ndërsa për të ndërtuar hekurudhat u deshën dakada, madje edhe me punë vullnetare.

    Fluturimet e para në vendin tonë, në fakt, filluan në vitin 1926, por aeroporti i parë ndërkombëtar i Tiranës iu nënshtrua rikonstruksionit dhe u hap mes viteve 1955-1957. Në atë kohë linjat hekurudhore në Shqipëri thuajse nuk ekzistonin. Por edhe pse hekurudhat u ndërtuan me shumë mund e sakrifica, çuditërisht ato prej vitesh u janë hequr shqiptarëve si një mundësi e mirë dhe e lirë për transportin kombëtar të mallrave apo edhe të qytetarëve.  Sot hekurudhat, plot 30 vite pas rënies së komunizmit, duhet të ishin një mundësi e mirë dhe e lirë për transport ndërkombëtar të mallrave, qytetarëve, apo dhe të turistëve.

    Disa projekte për të lidhur hekurudhat tona me ato të vendeve të tjera kanë mbetur në letër, për faktin e thjeshtë se ende nuk është në funksionim hekurudha që lidh Tiranën me Durrësin.

    Cili është ai vend tjetër i Europës, që kur i ka pasur, i ka sabotuar linjat hekurudhore ashtu si Shqipëria?

    Cili është ai vend tjetër që i sheh ato si një “kosto udhëtimi”, veç Shqipërisë?

    Sipas INSTAT, në Maj 2022, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 1.882 pasagjerë. Krahasuar me Maj 2021, ky tregues është rritur me 2,9 herë.

    Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, kanë udhëtuar me linjë hekurudhore 7.626 pasagjerë, duke u rritur me 3,4 herë  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në muajin Maj 2022, transporti ajror i pasagjerëve zë 87,0 % të transportit gjithsej.

    A nuk tingëllojnë ironike këto shifra?!

    Po sipas Instat, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Maj 2022 është 450.796 pasagjerë, duke u rritur me 2,9 herë, krahasuar me Maj 2021. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në pesëmujorin e parë të vitit 2022 është 1.598.066 pasagjerë, duke u rritur me 3,2 herë, krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2021.

    Duke iu referuar Instat, në Maj 2022, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 65.599 pasagjerë. Krahasuar me Maj. 2021, ky tregues është rritur me 80,2 %. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, kanë udhëtuar me linjë detare 240.873 pasagjerë, duke u rritur me 55,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

    Një pjesë të mirë të volumit të transportit kombëtar e ndërkombëtar, si për mallra ashtu edhe për qytetarë, kudo në Europë, por edhe në botë, e zë transporti hekurudhor.

    Edhe në transportin ndërkombëtar të mallrave shqiptarët duket se përdorin linjat ajrore, pasi ai hekurudhor nuk ekziston.

    Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin Maj 2022, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.618 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 35,1 %, krahasuar me Maj 2021.

    Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin Maj 2022 është u ulur me 13,9 %, krahasuar me Maj 2021. Në muajin Maj 2022, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 161,1 ton, duke u ulur me 17,8 %, në krahasim me Maj 2021. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 817,4 ton, duke u rritur me 1,4 %, krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2021. Në Maj 2022, numri i fluturimeve të kryera është 3.588, duke u rritur me 2,2 herë, në krahasim me muajin Maj 2021.

    Pra, në mungesë apo në lënien në harresë të hekurudhave, Shqipëria pavarësisht kostove më të larta të transportit ajror duket se ka ecur “para në kohë” me të gjitha vendet e zhvilluara, duke preferuar masivisht për udhëtime ndërkombëtare, atë që është zbuluar më vonë, ndonëse është edhe më i kushtueshmi nga të gjithë: transportin ajror. /Liberale.al/

        

     

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit