Agim Zeqo dhe Ilir Shtufi janë dy ndërtuesit e kullës që ka zhurmuar këto ditë gushti Tiranën.
Dy biznesmenët janë edhe fqinj me vilat në Rolling Hills, një nga komplekset rezidenciale pas TEG në periferi të Tiranës.
Gazetari Mero Baze thotë se në një prej tyre jeton Shkëlzeni me gruan e re.
Janë tre vila ngjitur në Rolling Hills, lagjia e të pasurve të Tiranës. Vila 99 është e Agim Zeqos, që njihet me nofkën “Gimja i Red Bullit”, Vila 97 është e motrës së tij. Në mes është vila 98. Me letra pronar rezulton Ilir Shtufi, “investitori” i kullës në qendër të Tiranës. Praktikisht banor i vilës është Shkëlzen Berisha.
Shkruan Baze:
“Nuk është ndonjë problem i madh se të gjithë e dimë që Shkëlzeni ka lekë për më shumë se një vilë si ajo.
Problemi është tek fshehja e pasurisë së njerëzve që merren me politikë. Në praktikën e tij jo dhe aq shumë inteligjente, ai është bazuar tek fshehja e pronave tek një rreth i ngushtë njerëzish, që janë gjithsej 3 deri 4 vetë, të cilët marrin përsipër të kenë emrin tek certifikata e pronave të tij në bregdet dhe vilat ku jeton.
Po ta shikosh kompozimin e “Mëhallës së Kullës” që jeton brenda Rolling Hills, aty janë të gjithë, “Gimja”, Sandri, Ilir Shtufi i vërtetë, që është Shkëlzeni, ai që heq dherat, dhe të tjerë partnerë të here pas hershëm të grupit të kullës.
Meqenëse gjithë debati është rreth Shkëlzenit dhe babait të tij “parimor”, tani ai duhet të bëjë publike marrëdhëniet e tij me vilën që jeton në “Mëhallën e Kullës”.
Nëse ja ka marrë me qira Ilir Shtufit, të na tregojë kontratën e qirasë. Nëse ai ja ka dhuruar si njeri i varfër, të na e tregojë që i është dhuruar.
Meqë çështja e kullës është çështje e ndjeshme politike, për shkak të përfshirjes së tij në atë histori, së pari SPAK duhet të hetojë me metodat tashmë të perfeksionuara të tij, se kush banon në vilën nr. 98 në Rolling Hills.
Aty janë kamerat e sigurisë, aty janë rojet, aty është administratori i Rolling Hills, aty është komshiu “Gimja” dhe fisi i tij, aty janë gjithë ortakët e fshehtë dhe të hapur të kullës. Madje po shkoi sonte mund ta gjejë dhe atë vet aty. Kjo nuk ka më dyshime.
Dyshimet që duhet të provojë SPAK, kanë të bëjnë me faktin, nëse djali i Sali Berishës fle në një vilë që është në emër të pronarit formal të kullës, por që është e tij, si shumë biznese të Shtufit, apo Shtufi ja kë lënë vilën që të ketë afër “Gimen”, që të diskutojnë modalitetet e kullës, meqë është njeriu që ka mundësuar lejen.
Gjithë “Mëhalla e Kullës” janë fqinjë dhe në Rolling Hills. Nuk di a i ka bashkuar kulla, apo ngaqë kanë qenë bashkë, kanë vendosur të bëjnë kullën.
Ndaj para se sa SPAK ta bëjë këtë hetim për fshehje pasurie, është mirë që Shkëlzeni të thotë me gojën e tij pse jeton aty dhe a është kjo e vetmja pronë e Shtufit që ai përdor si të vetën”
Vila e Shkelzen Berishes në Rolling Hills dhe foto te postuara nga vet gruaja e tij Armina Mevlani nga mjedise te vilës që është në emër të Ilir Shtufit.