Dy kulla “binjake” të reja pritet të ndërtohen në një nga zonat më të populluara të Tiranës, përgjatë Rrugës së Kavajës.
Kullat janë reklamuar nga firma që i ka projektuar: “Një organizëm i ri i gjallë ngjitur me bulevardin më të rëndësishëm të Tiranës, duke prezantuar një dialog të ri midis arkitekturës, hapësirës publike dhe mjedisit natyror të qytetit” – shkruhet në faqen e saj në Instagram.
Sipas saj, kompleksi integron me kujdes hapësirat e shitjes me pakicë, hapësirat e zyrave, një hotel, njësi banimi dhe një gamë të gjerë lehtësirash publike dhe private.
Projekti do të ketë qendra tregtare dhe një restorant në çati, të cilat do të ofrojnë pamje panoramike të Tiranës.

Por, kush do t’a ndërtojë? Firma projektuese “Coldefy” shkruan se klienti është Glob3X. Nëse do të shkosh të faqja e internetit të kësaj kompanie, rezulton se edhe ajo e ka reklamuar projektin në fjalë.
Ajo shkruan se kullat do të ndërtohen së shpejti. E njëjta firmë ka marrë leje nga KKT për një projekt në zonën e 5 majit, apo edhe në rrugën Zenel Bastari.
Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, klientët e projektit në fjalë të kullave të stërmëdha binjake në Tiranë, janë Skënder dhe Visjan Dedja nga Burreli.
Dy kullat do të ndërtohen ngjitur me pallatet ekzistuese.



