Larg kostumi të politikanit, Dashamir Shehi ka folur për rrugëtimin e tij nga rinia, familja, politika dhe kontributin e tij të ardhshëm në shoqëri.
I tërhequr nga jeta partiake, në një intervistë në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH, Shehi tha se nuk do të largohet nga angazhimi i tij në shoqëri dhe politikë duke kontribuar me eksperiencën e tij.
“Jam tërhequr nga jeta partiake, por atë publike do vijoj të jap kontributin tim dhe idetë e mia. Duhet të hapësh rrugët edhe për të rinjtë, unë bëra sa munda në jetën time politike. Janë bërë shumë gjëra, jo gjithçka ka shkuar mirë se ka pasur dhe gabime, por sot vijoj të jap kontributin përmes ideve të mia që vijnë nga përvoja e gjatë,” u shpreh Shehi.
Kur kujton kohët e fillimit të demokracisë, Shehi tha se nuk u arrit të realizohej iluzioni i të rinjve në atë kohë, “ta bënin Shqipërinë si gjithë Evropa”. Sipas tij, një shoqëri demokratike kërkon një zhvillim të thellë ekonomik dhe kulturor dhe se vendi edhe sot ka një demokraci të brishtë dhe institucione të pafata për të qenë të pavarura.
“Kur e nisëm demokracinë menduam se duke ngritur institucionet demokratike dhe bërë disa ligje do e bënim Shqipërinë si e gjithë Evropa. Kjo ishte një iluzion i kot. Të krijosh një shoqëri demokratike kërkohet një evolucion ekonomik dhe kulturor, kur institucion kanë një traditë. Ne kemi tentuar të bëjmë demokracinë parandej sot e kësaj ditë demokracia është e brishtë dhe e pa zonja për të krijuar institucione demokratike të forta dhe të pavarura”, tha ai.
Një temë që e shqetëson Shehin është emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë. Ai e sheh këtë si një dramë për vendin dhe e konsideron si hallin më të madh të Shqipërisë.
“Më vjen keq që pjesa më e mirë dhe e shkolluar e Shqipërisë ndodhet jashtë saj. Kjo është një dramë e një kombi dhe një qeveri serioze duhet të mendojë për këtë punë. Kjo është halli më i madh që ka vendi sot. Politika e Shqipërisë nuk ka tentuar të ngrejë shtetin, por të marrë pushtetin. Ky është mentaliteti sot dhe uroj që gjenerata e re të sjellë ndryshimin,” u shpreh Shehi.
Duke folur për rininë e tij, Shehi thekson se ajo që kujton me mall janë lidhjet njerëzore, që sot gjithnjë e më shumë po e humbasin kuptimin e tyre.
“Tiranë sot ofron shumë më shumë gjëra për rininë dhe njerëzit por ka humbur raportin njerëzor. Nga koha e fëmijërisë dhe rinisë ajo që më merr malli është pikërisht raporti njerëzor që kishim me njëri-tjetrin”, tha ai.
Për të ardhmen, Shehi shprehet se vendi duhet të angazhohet për një shoqëri më demokratike dhe të drejtpërdrejtë, ku të mos ekzistojnë më politikanë që dominuan 30 vite në politikë.



