Teksa komentonte protestën e paralajmëruar të opozitës, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka shpërthyer në kritika kundër lidershipit të Partisë Demokratike.
Gjatë një interviste televizive, Shehi tha se vetëm 5% e popullsisë së Tiranës të dalë në protestë, Rama vesh atletet dhe ikën vetë.
Sipas tij, problemi është tek idetë e rreme që lidershipi i PD-së iu jep protestuesve.
“Mirëpo, për sa kohë që nuk del qyteti… Tirana ka 1 milion banorë. Po 5% e Tiranës të dalë janë 50 000 veta. I vesh atletet dhe ikën vetë ky. Por, ti s’je në gjendje. E megjithatë, unë them që le të bëhet protesta. Por, ti i ushqen me një ide të rreme. I thua me datë 10 do ta rrëzojmë, me datë 11 pastaj… Mirëpo, vjen e shkarkohet kjo lloj energjie, bëhet e lodhshme, bëhet e pafrytshme”, tha Shehi.
Po ashtu kreu i LZHK-së ironizoi edhe lëvizjet e brendshme në PD, teksa tha se nga përplasjet brenda partisë, ia lehtësuan Ramës mbajtjen e pushtetit.
“Kush kishin emergjencë? Emergjencë kishin shefat e partisë, aty në betejë me njëri-tjetrin. Kishin dhe një emergjencë budallaqe brenda vetes duke menduar që tava del nga furra për ne. Nuk e ndajmë me të tjerët. Do ta marrim vetë të gjithën. Edhe morën vetëm tepsinë bosh. Ia lanë Edi Ramës.
Mirëpo, ky lloj teatri nuk mund të vazhdojë përjetësisht. Ka katër vjet që bën emergjencë Partia Demokratike. Një herë për vulën, një herë për kryetarin… Tani, në këtë lloj vorbulle thotë “hajdeni edhe ju të tjerët se ne jemi shumica”. S’është më punë çete kjo. Kjo ka dhe një punë llogjike”, tha ai në A2CNN.



