Nga Fejzo Subashi
Sjellja dhe qasja e Dash Sulës, duke u bërë pjesë e administratës së qeverisë Rana, nuk është thjesht një akt individual apo një zhvillim i radhës në jetën politike. Ajo përbëjnë një mesazh qytetar me vlerë, që shkon përtej emrave, partive dhe rrethanave, dhe që i drejtohet drejtpërdrejt aktorëve dhe klasës politike shqiptare.
Në thelb, ky mesazh është i thjeshtë, por thellësisht i nevojshëm dhe shumë i domosdoshëm dhe rëndësishëm: kontributi për vendin nuk është pronë e partive, as privilegj i militantëve, dhe as peng i interesave personale apo i karrigeve politike.
Çdo qytetar, e aq më tepër çdo aktor politik, ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral dhe qytetar të kontribuojë për vendin, aty ku ka mundësi, aftësi dhe ndërgjegje për ta bërë këtë. Ky detyrim nuk buron nga një logo partie dhe nuk kushtëzohet nga një bindje politike; ai buron nga përgjegjësia ndaj Shqipërisë. Në një realitet ku politika shpesh kërkon bindje të verbër, rreshtim pa mendim dhe heshtje në emër të “unitetit”, marrja e përgjegjësisë personale për të qenë i dobishëm për vendin përbën akt pjekurie, guximi dhe dinjiteti qytetar. Pikërisht për këtë arsye, qasja e Dash Sulës meriton mirënjohje. Ky veprim nuk është largim nga parimet, por afrim me thelbin e tyre. Nuk është përfitim personal, por gatishmëri për të marrë barrë. Dhe mbi të gjitha, është një sfidë e hapur ndaj një kulture politike të gabuar, ku besnikëria ndaj partisë vendoset mbi përgjegjësinë ndaj interesit publik.
Kjo është një thirrje e qartë për klasën politike:
askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng kontributin e një qytetari;
askush nuk ka të drejtë ta ndalojë shërbimin ndaj vendit për hatër të karriges;
dhe askush nuk duhet të guxojë ta paraqesë Shqipërinë si pronë ekskluzive të një force politike. Kur një politikan refuzon të kontribuojë për vendin vetëm sepse mundësia nuk vjen nga “ngjyra e duhur”, ai nuk po mbron parime – ai po mbron interesin e vet. Dhe ky është dëm i drejtpërdrejtë për vendin.
Prandaj, sjellja e Dash Sulës nuk duhet parë si përjashtim, por si standard.
Standard që politika duhet ta ndjekë.
Standard që qytetaria duhet ta kërkojë. Standard që i kujton të gjithëve se Shqipëria është mbi partitë dhe mbi individët. Ky është mesazhi që ka nevojë sot vendi: më pak pengmarrje politike,
më pak robëri ndaj partisë, dhe më shumë përgjegjësi qytetare në politikë.



