Pas vendimit të Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar 19 deputetë të opozitës si pasojë e kaosit në kuvend seancën e shkuar, deputeti Dashnor Sula nuk ka kursyer akuzat ndaj kolegëve të mazhorancës.
Madje Sula, i ftuar në Breaking me Dafina Hysën në Top News, tha se ndihet në siklet ndaj kolegëve, pasi nuk është përjashtuar asnjëherë deri tani.
“Edhe unë isha aty. Pse nuk më përjashtuan mua? Më vjen dhe turp nga kolegët. Të enjten do përfshihem dhe unë, se këta të shtyjnë me zor”, tha ai.
Sipas deputetit Sula vendi është në diktaturë dhe deputetët e mazhorancës ngrenë kartonin për gjithçka u kërkon kryeministri.
“Këtu s’ka logjikë, nuk funksionon më asgjë. Unë shpreh keqardhjen ndaj deputetëve që firmosën përjashtimin.
Tre prej tyre, në Sekretariatin e Etikës nuk e di kush janë, anonimë që përdoren vetëm për firmë. Janë “dele” pa aktivitet politik dhe pa kontribut në kuvend”, tha deputeti Sula.



