Nga Albert Vataj
Gjergj Luca ka vendosur të rikthehet në treg, jo si biznesmen, por si fenomen. Dhe jo një fenomen dosido, por një “jaran premium”, i vetëcertifikuar, me garanci muskujsh, kapitali dhe… një vetmie që e shet si virtyt dhe si mundësi.
Ky është Luca që njohim, i paparashikueshëm deri në skaj, i pamëshirshëm në goditje, një cinik që e përdor ironinë si bisturi dhe sarkazmën si anestetik. Ai nuk del në skenë, ai e pushton atë. Dhe kur shfaqet, nuk pret momentin e duhur; e shpik atë dhe e imponon si realitet.
Kësaj here, spektakli vjen në një version që i tejkalon edhe kufijtë e tij, një shpallje dashurie në trajtën e një ankandi publik, ku ndjenjat ofertohen me tonet e një reklame agresive, stolisur me cinizëm dhe ironi dërrmuese.
“Jarani më i ri në treg quhet Gjergj Luca… i fortë, me lekë, me prona, me dy celularë, po pa dashnore…” – një CV sentimentale që tingëllon si dosje aplikimi për një tender emocional, ku kriteret janë të qarta dhe oferta, e hapur.
Thirrja drejtuar “grave politikane” nuk është thjesht provokim, është një satirë e zhveshur nga çdo konvencion, një akt ekspozimi ndaj një realiteti që ai e lexon si farsë. “Më zini dashnor… tu shohë perëndia e tu vlerësojë partia!”, këtu Luca nuk kërkon një lidhje, por demaskon një mekanizëm, duke e kthyer në skenë një realitet ku grotesku nuk është trillim, por përditshmëri.
Pamja është pjesë e koreografisë, gjysmë i zhveshur, me gërshërë në dorë duke rregulluar vetullat, si një Narcis rural që ka zbuluar vonë pasqyrën, por e përdor me një vetëdije të frikshme. Gjoksi i dendur dhe bicepset e ekspozuara nuk janë thjesht estetikë, janë argument. Një “proof of concept” për një treg ku ai pretendon të rikthehet si ofertë konkurruese.
Dhe më pas vjen goditja, aty ku ironia kalon në therje:
“Çfarë na bëri kjo moda e fundit? Të gjithë këta politikanët me nga një dashnor… edhe unë jam në treg.”
Kjo nuk është më shaka. Është një pasqyrë e shtrembëruar që, pikërisht për këtë arsye, reflekton më saktë se çdo imazh i drejtë.
Në dialogun me Bled Manen, Luca lëviz nga performeri te kërkuesi publik:
“Hape fjalën se mbeta në katund… jam singëll, i fortë, me lekë… kush do me pastru ndonjë lek, e ka te unë.”
Një rrëfim që luhatet mes vetëironie dhe një sinqeriteti brutal, ku tallja me veten dhe me të tjerët bashkëjetojnë pa kufi, duke u bërë një e vetme.
Në fund, Gjergj Luca nuk kërkon thjesht një dashnore. Ai kërkon vëmendje, sfidon moralin publik dhe godet hipokrizinë kolektive, në mënyrën e tij, të zhurmshme, të ekzagjeruar dhe, mbi të gjitha, të paimitueshme.



