10.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    DEBATET/ Erion Braçe i revoltuar me ndarjen e buxhetit: Boll më, nga 30 miliardë lekë që u shpërndanë, vetëm 200 milionë për bujqësisë

    Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar i revoltuar pas përfundimit të Komisionit të Ekonomisë dje pasi nga 30 miliardë lekë të shpërndara, për bujqësinë u dhënë vetëm 200 milionë lekë.

    Përmes një statusi në rrjetet sociale, Braçe pyet se: A nuk kishte 1 miliard lekë për bujqësinë? Prandaj them unë që nuk ia vlen më. Nuk dihet nëse ky është një paralajmërim i deputetit socialist për lënien e mandatit, pasi dhe më herët ne reagimet e tij, deputeti i PS-së ka shprehur se është koha për punë tjetër. “Paratë u ndanë, 30 miliardë u shpërndanë. Bujqësisë iu dha vetëm 200 milionë lekë! Vetëm kaq! Prej dy muajsh ,kam kërkuar me ngulm 1 miliard lekë për dy zëra të skemës mbështetëse: Naftën falas për bujqit, tufën bazë të matrikulluar.

    Mendova të paguanim plotësisht 1/3 e familjeve bujqësore që nuk kanë marrë naftën ende; 2000 i kam veç unë në Divjakë e Lushnjë. Mendova të paguanim plotësisht 3400 familje blegtorale që edhe pse kanë plotësuar kushtet, nuk kanë marrë ende paratë! Pra, kërkoj prej muaj vetëm 1/30 e parave që u shpërndanë sot! Jo! Për naftën nuk do ketë më para pas këtij akti; për tufën bazë të matrikulluar do ketë vetëm 200 milion për vetëm 1000 familje blegtorale nga 3400 që kanë mbetur pa paguar. Kaq!

    Po mësoj që ministria e bujqësisë ka vendosur kështu! Argumenti: janë populizëm e propozime për të rritur popullaritetin e një njeriu; e dëgjova me zë e sy me sy sot! Bujqit janë të fundit kur ndahen paratë e buxhetit, fakti është ky! Kur ata janë të fundit, unë skam pse të jem i pari. Boll më! As që ia vlen më! Më pëlqen më mirë pa popullaritet! Por një gjë po ua them ama: Tërshëra nuk është kurrë grurë, pavarësisht ngjyrës”, thotë Braçe.

    SHQETËSIMET

    Deputeti i PS-së ka debatuar ashpër me Delina Ibrahimajt, ministër i Financave për alokimin e një fondi për FSHF dhe KOKSH pasi sipas tij ato kanë para. Braçe ngriti shqetësimet për alokimet e fondeve për ALB Gazin dhe Aviacionin Civil duke aluduar se kur do shpenzohen në kaq pak kohë. Braçe thotë se fondi duhet ti dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “Sa është mos realizimi i shpenzimeve kapitale? Sa janë detyrimet e prapambetura në total në 31 dhjetor të këtij viti. I shtohet rindërtimit fondi 12.4 miliardë lekësh, në buxhet fillestar kemi pasur 20 miliardë lekë të reja. Kur planifikuam vjet këtë vit, thamë që jemi pranë fundit me procesin e rindërtimit, sa para paguajmë ne deri në 31 dhjetor në total dhe sa para të tjera na duhen për të mbyllur këtë proces? Pyetje tjetër për disa zëra, 2 miliardë lekë për korporatën e investimeve.

    Meqë do votojmë ne për këtë 2 miliardë lekëshin, cilat janë projektet dhe për çfarë do të shpenzohen këto? 2 miliardë për ‘Alb Gaz’ dhe 2 miliardë lekë të tjera për Aviacionin Civil! Këto që shkojnë tek ‘Alb Gaz’-i, për çfarë projektesh konkrete. Jam kurioz ta di këtë! 500 milionë lekë për projektet e digjitalizimit për policinë e shtetit dhe DPD, çfarë do të bëhen konkretisht në këto dy institucione? 250 milionë lekë për KOKSH, ju e dini që KOKSH është OJQ, çfarë u bë vjet me 500 milionë lekë që i dhamë këtij institucioni për të njëjtën arsye për infrastrukturën sportive. Kemi Ministri të Arsimit e Sporteve, e nuk shkojnë te ministria që është për këtë punë. Qershia mbi tortë, 70 milionë lekë për FSHF, për ekipin kombëtar, dini gjë që këto s’kanë lekë. Është OJF që bërtet gjithë ditën për statusin e saj nga politika, ankohet te UEFA, që po më marrin statusin. Do paguhen 70 milionë lekë te FSHF për çfarë? Të çosh atje ku ka shumë është problem”, tha Braçe.

    Spaho, kritika Ibrahimaj: Çmimet e mallrave janë rritur 

    Deputet i PD-së, Edmond Spaho, kritikoi ministren e Financave dhe Ekonomisë se të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit janë për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Spaho kërkoi shpjegime për masën e ndikimit të tyre në ekonomi dhe përse nuk është shfrytëzuar në rritjen e mbështetjes për qytetarët.

    “Doja të dija veç punës së mirë të qeverisë, a ka ndonjë faktor të jashtëm që ka ndikuar në mbledhjen e më shumë të ardhurave, për shembull rritja e çmimeve, pasi se dëgjuam. Nëse ka ndikuar ky faktor, në çfarë mase? Ju thatë se ka rritje të konsumit familjar! Me thënë të drejtën, unë në familjen time se ndjej këtë, por nëse ka ndodhur te të tjerët do gëzohesha, nga se ka ardhur kjo rritje e konsumit? Janë rritur pagat e pensionet? Është ulur inflacioni përtej normës së vjetore? Më rezulton që mallrat e shërbimet janë rritur, madje, ato që lidhen direkte me shportën, këtu, shtojmë dhe kursimet për energjinë elektrike, pasi jemi nën kërcënime të shumta në treg”, tha Spaho.

    Replika e tij erdhi pasi më herët ministrja Ibrahimaj prezantoi ndryshimet e parashikuara në buxhet. Sipas saj, “Performanca e mirë ekonomike e vendit ka sjellë rritje me 5 miliardë lekë të të ardhurave në buxhetin e shtetit të vitit 2022, duke i rritur ato në nivelin 581.8 miliardë lekë për vitin 2022”. Ibrahimaj bëri të ditur se me aktin normativ është rritur fondi rezervë në 3.5 miliardë lekë, fondi për politikat e të pagave krahasuar me aktin normativ korrikut shkurtohet me gati 700 milionë lekë, ndërsa shfuqizohet fondi 3 miliardë lekë i planifikuar për shpronësimet. Një pjesë e fondeve do të shkojë edhe për rindërtim, sipas nevojave të Ministrisë së Financave. Në fillim të vitit, në funksion të rindërtimit ishte fondi 20 miliardë lekë, ndërsa pas rishikimeve të vazhdueshme arrin në 32.4 miliardë lekë. Një pjesë tjetër e fondit të rishikuar, 1 miliard lekë do alokohet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor. Më rishikimin e buxhetit nuk ka ndryshim në deficitin buxhetor, që qëndron 83.8 miliardë lekë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit