Nga Emirjon Senja
Dikur, kur nuk kishim keto sherbimet e-banking dhe kur franceze, greke dhe italiane mbizoteronin tregun, nderkohe qe mbarevajtja e bankes varej edhe nga sherbimi dhe kur konkurrenca ishte me e forte, sherbimi ne sportele ishte me profesional dhe me njerezor.
Tani me sa kam hasur, por edhe nga eksperienca te treguara, gjerat jane kthyer se prapthi.
Prej gati 10 vitesh nuk futesha ne ndonje prej sporteleve te Bankes Kombetare Tregtare. Me ngjall bezdi ajo logo qe prej nje incidenti me keqmenaxhimin e te dhenave personale ketu e nje dekade me pare.
Belaja me çoi qe te isha i detyruar te shkoja per nje sherbim, ndoshta më i thjeshti në botë, të cilin pasi kam shëtitur tre sportele të Banka Kombëtare Tregtare , dy ditë të shkuara dëm dhe disa telefonata, ende nuk e kam marrë.
E nis dje te filiali i “Ish-Kinostudios”. Gjej aty ca njerëz që pasqyronin lodhje dhe moskokëçarje. Papritur zhduket njëra prej punonjëseve të sportelit.
Punonjësja tjetër që mbeti, prej gati 20 minutash nuk po kryente veprime.
Nuk e mora vesh pse.
Një kliente po priste si pemë para saj dhe nga batutat e buzëqeshjet e shkëmbyra mes tyre kuptova që nuk kishte ndonjë nxitim edhe pse kishte shumë si unë që po prisnin të merrnin shërbim.
Ika që aty pasi me llogaritë e mia, me dilte radha andej nga ora 20:00 nëse do të vijonin të punonin me atë ritëm.
Shkoj te filiali i “Ali Demit”. Radha, radhë sërish.
Epo me vjen radha dhe mua.
Përballë, dikush që nuk merr përsipër të ekzekutojë një veprim të thjesht duke tentuar të më përcjellë sërish.
Konica këta individë i përshkruan si “njerëz makina”. Po nëse është kështu, thjesht punë “click-u”, pse nuk fusin disa robotë aty dhe na kursejnë përballjen me të paaftë dhe të pamotivuar?!
Pas insistimit tim dhe shfaqjes së një damari që me bëhet jeshil kur ma sjellin në majë të hundës, punonjësja shkon e pyet drejtoreshën, të cilit i dha Zoti udhë dhe i “shkeli butonin Vepro!”.
“Njeriu makinë” u rikthye në vendin e vet dhe nisi të bëjë veprimet, por nuk ishte e thënë.
Procedura u ndërpre sepse nuk kisha rifreskuar të dhënat. Me demek, paskam qenë klient i BKT para 10 vitesh dhe mqs kam ndryshuar kartën e ID, duhej të rifreskoja të dhënat.
Përpiqem t’i shpjegoj sjellshëm “njeriut makinë” që as nuk më “plas” fare të jem klient i BKT, por kryej atë veprimin për të cilin kam ardhur dhe të zhdukem nga këtu.
Në atë moment “njeriu makinë” sikur hoqi prizën dhe nuk mori më asnjë komandë.
Ika!
Sot, shkoj te filiali i “Shkollës së Baletit”.
Radha radhë!
Pres dhe unë radhën që siç më tha “njeriu makinë” të rifreskoja të dhënat njëherë pastaj të merrja shërbimin, për të cilin kisha shkuar.
Epo shyqyr me erdhi radha dhe mua.
Sa bëhem gati, vjen e-maili: Bllokoni veprimet në filial pasi kemi për të bërë update sistemin!
Na kapi “çarku” mua dhe dy veta të tjerë aty, me të njëjtin hall: Rifreskimi i të dhënave!
Ndërkohë që përpiqësha t’i shpjegoja një zonje aty që është filiali i tretë që shëtis në dy ditë, u stakua gjithçka përreth. Dikujt aty që e thërrisnin Drejtoreshë, nuk i bëri përshtypje fare se çfarë po ndodhte nga ana tjetër e xhamit, por vijoi e qetë bisedën me të pranishmin në zyrë.
Ika dhe sot pasi më thanë që të kthehesha të hënën.
Ore paskemi qenë mirë kur ishim keq, mendova.
Tani, pse besoj unë që sistemi bankar shqiptar po degradon në mënyrë të rrezikshme.
1-Paraja e lehtë;
2-Punonjës të pakualifikuar
3-Largimi i brandeve
Këto janë vitet e arta të bankave sa i përket fitimeve. Qarkullimi i madh i parasë në treg, në “të bardhë” apo të “zezë” ka bërë që të rriten ndjeshëm të ardhurat e bankave si nga kreditë, nga shërbimi i borxhit, nga investimet e tyre, por pse jo, edhe nga komisionet e shërbimeve.
Fitimet e lehta duket po bëjnë që bankat të mos e shohin suksesin të produktet që ofrojnë dhe shërbimi ndaj individëve e bizneseve, por nga faktorë te tjerë, pse jo edhe jashtë kanaleve bankare. Këtu nis dhe rreziku.
Kjo ka sjellë një ulje të vigjilencës, në rastin më të mire duke u pasqyruar në situata absurde si ajo më sipër.
Sa i përket punonjësve të pakualifikuar, ky është fakt i pamohueshëm. Largimi masiv i të rinjve nga vendi si edhe pagat ende mizerabël që ofrohen për punonjësit e sporteleve në banka bëjnë që aty të rekrutohen edhe individë me mungesa të theksuara të aftësive profesionale.
Nga Shqipëria janë larguar disa banka nga vende të BE-së, gjë e cila sigurisht që ka ulur standardin e sistemit bankar në vend.
Pse besoj që ky është degradim i rrezikshëm?
Sepse filialet dhe punonjësit janë ato që pasqyrojnë mendësinë e kompanisë sipër. Nëse kompania nuk e vret mendjen për shërbimin ndaj klientëve kur përballet me klientin, imagjino se sa seriozisht mund t’i qaset situatave atje ku s’ka sy. Sulmet kibernetike të para ca viteve e konfirmuan këtë.
Tani, Banka e Shqipërisë duhet të verë dorë në këtë histori sepse duket se situata po përkeqësohet nga viti në vit. Kujtoj këtu edhe radhët e famshme në sportelet e Intesa San Paolo Bank.
E keni vënë re që përgjithësisht, për shumë shërbime, më shpejt mbaron punë te zyrat e shtetit se te ato të privatit?