Ervin Salianji i është përgjigjur “flakë për flakë” liderit demokrat Sali Berisha, pas një deklarate që ky i fundit bëri mesditën e sotme nga selia blu, teksa u shpreh se në burg ish-deputetit i kishin kërkuar “të firmoste një deklaratë se nuk do vriste Fatmir Xhafën.”
Politikani që u dënua me 1 vit burg për shpifje për akuzat ndaj socialistit Fatmir Xhafaj, e akuzon direkt Sali Berishën se prej frikës që ka për garën për kryetar të Partisë Demokratike, e ka nisur fillimisht me përjashtimin e tij dhe tani me shpërndarjen e shpifjeve.
“Sa për hallin që ka se mos “vras” Xhafën”, i flet subkoshienca se ka merak se mos “vrasim” Ramën me votë. Burri ka kohë te turpërohet gjithë jeten e vet, por të bier në këtë nivel është e paimagjinueshme dhe është fiks siç nuk e urojnë as kundërshtarët më të ashpër!
Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin. Akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë, siç dhe tregon mendësinë vrasëse sepse dikush që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten”, shkruan Ervin Salianji.
Ish-deputeti bën thirrje që Prokuroria e Posaçme të nisë hetimin për tentativë vrasje ose moskallëzim krimi, meqë këtë periudhë edhe vetë Sali Berisha po e mbështet SPAK. Ervin Salianji shkruan edhe për mbylljen e garës për zgjedhjet në PD, duke përjashtuar atë dhe të tjera figura kritike të Sali Berishës.
“Në mungesë të votës, shpik etiketa. Në mungesë të garës, shpall “të vetëpërjashtuar”. Sa më shumë flet për përjashtime, aq më e qartë bëhet frika nga gara. Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj.
Ironike që ky që flet për demokraci, është i pari që i trembet asaj. Unë nuk kam nevojë për bekime, as për leje. Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë. Pjesa tjetër është zhurmë për të mbuluar frikën”, vijon ai.



