Në një intervistë për “politico.eu”, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për mos vendosjen e sanksioneve nga Serbia drejt Rusisë, duke kërkuar mirëkuptim për pozicionin e Beogradit.
“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të ndryshëm nga shumë vende të tjera, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, tha Rama.
Ai shtoi se Beogradit, i cili është kryesisht i varur nga Moska për furnizime me energji, nuk duhet t’i bëhet presion për të kaluar shumë shpejt te sanksionet.
“Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre. Presioni i tepërt perëndimor ndaj Serbisë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.
“Ne ndonjëherë duhet të durojmë bashkë me të tjerët dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, përndryshe nuk mund ta mbajmë këtë komunitet të bashkuar për qëllime më të larta dhe më të mira”, shtoi ai.
“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqejë apo mund të dëshirojmë. Por, më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të këqij për të gjithë dhe, veçanërisht, për këtë rajon”, tha Rama, deklaratat e të cilit kanë trazuar rrjetin.