Kryetari i Bashkisë së Kavajës, demokrati Fisnik Qosja, ka filluar të marrë pjesë në çdo takim të kryeministrit Edi Rama.
Madje, ai pati një “përplasje” të vogël me kreun e qeverisë, i cili i tërhoqi veshin për legalizimet, për të cilat i tha se është “demokrat dhe 0”.
Ndërkohë, Qosja pranoi publikisht se është “demokrat” dhe kishte bërë disa legalizime.
Por, duket se e gjithë marrëdhënia mes Qoses dhe qeverisë ka filluar disa muaj më parë, ku ai ka kërkuar vazhdimisht edhe mbështetjen e qeverisë.
Disa zëra flisnin për një “tradhti” të Qosjes ndaj PD-së, në momentin që kryetari i partisë së Kavajës nuk u vu në listat e sigurta, dhe u zëvendësua nga kushëriri i Elvis Roshit.
Zgjedhjet përfunduan dhe rezultati ishte ai që doli nga kutitë, ndërkohë që për gjithkënd, socialistë apo demokrat, jeta private dhe ajo publike vazhdojnë.
Paraja që ata menaxhojnë s’ka as bindje politike dhe mund t’i jepet kujtdo, ku në Bashkinë e Kavajës tenderin e pastrimit të Golemit e merr një socialist.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia e Kavajës ka shpallur në datën 14 korrik 2025 fitues firmën “Alko Impex Construction” me pronar Arbër Abazin.
Mësohet se Abazët kanë fituar kontratën e shërbimit, mbi kufirin e lartë monetar.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “shërbimi i pastrimit të Njësisë Administrative Golem”, me një afat prej 60 muajsh.
Kriter i fituesit ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, ndërkohë që bën ofertë “Alko Impex” me vlerë 329 milionë lekë, firma FUSHA dhe REJ ofruan 330 milionë lekë.
Qosja është treguar diplomat, duke mos skualifikuar asnjë firmë siç ndodh rëndom në të gjitha institucionet publike.
Ai i ka kualifikuar të tria ofertat, të cilat janë ndarë vetëm nga disa “qindarka”, ndërkohë që qasja e tij në këto kohë është më shumë te mazhoranca sesa te vetë Partia Demokratike.
Këto lëvizje bëhen me qëllim që shteti të financojë disa projekte në atë zonë, të kërkuara me shumë ngulm nga Bashkia e Kavajës.