5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Deputetët socialistë, si “pula” para “dëshmitarit” Edi Rama

    Kryeministri Edi Rama u thirr si dëshmitar të mërkurën në komisionin hetimor për “aferën e inceneratorëve”, ku iu përgjigj pyetjeve të opozitës për përgjegjësinë e tij në procedurat ligjore. Rama u dha mbrojtje politike tre kontratave konçensionare që llogariten në një vlerë 430 milionë euro, por nuk bëri të njëjtën mbrojtje për personat e përfshirë në procedurat e dhënies së tyre, bashkëpunëtorë të tij në qeveri apo në pushtetin lokal. Interesant ishte fakti se asnjë deputet socialist i këtij Komisioni, nuk bëri pyetje për Edi Ramën. Ata qendruan për 10 orë thjesht duke parë me admirim Ramën, si debatonte me deputetët e PD.

    Disa herë bëri të painteresuarin për të gjithë procedurat e ndjekura deri në firmosjen e këtyre kontratave,  që sipas tij i bënte një “makineri shtetërore” dhe quajti veten udhëheqës të një “revolucioni mjedisor”. “Kryeministri zgjidhet për të udhëhequr dhe përgjigjet për çfarë dhe pse do e bejmë këtë gjë. Se si bëhet janë një makineri shtetërore, si hallkat e një zinxhiri, ku të gjithë kanë bërë detyrën e vet”.

    Të njëjtin pretendim e riktheu disa herë në formulime të ndryshme duke këmbëngulur se roli i tij si kryeministër ishte për të vendosur për politikat dhe jo për gjërat teknike dhe se invenstimi i qeverisë për tre impiantet e përpunimit të plehrave ishte një e mirë e dosmodoshme për vendin.

    Kryeministri nuk pranoi të jepte përgjigje për përfituesit e kontratave konçensionare dhe akuzat për korrupsion të ngritura nga drejtësia për ish-ministrin e tij Lefter Koka,  që inicoi dhe firmosi këto kontrata,  i cilësoi si akte individuale.

    I pyetur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku, nëse ishte në dijeni që të treja kontratat janë fituar nga nje grup kompanish, që zotërohen nga të njëjtët persona, ai tha se “nuk hyjnë në punën e kryeministrit këto. Mua me intereson puna. Nëse dikush në ëeto hallka përtej detyrës ka bërë gjëra që s’duhet prandaj kemi bërë reformën në drejtësi.”

    Kryeministri ishte i qartë në atë që i quajti “përgjegjësi individuale” për secilin prej zyrtarëve të përfshirë në proces që mund të ketë bërë akte korruptive. Ai e vlerësoi bashkëpunimin me Kokën, por edhe pse foli për prezumim pafajsie për të, pranoi se “është shumë e dhimbshme kur një bashkëpunetor bën këtë pas krahëve”.

    Ai tha se kryeministri nuk mund të marrë vesh se çfarë bën pas shpine ai, pasi “kryeministri e merr vesh vetëm kur është vetë vetë pjesë”. Por, “ky nuk është rasti me mua as me mënyrën si punon kjo qeveri”, shtoi ai.

    Rama iu përgjigj me retorikë politike shumë pyetjeve konkrete që kishin të bënin me kontratat, kompanitë përfituese, etapave ligjore të procedurave, dhe madje dhe për vendimin e qeverisë të firmosur nga vetë ai për kontratën e Elbasanit, ku u ndal tu shpjegonte deputetëve se vendimet e firmosura prej tij në fakt ishin vendime të Këshillit të Ministrave. “Nuk merrem me procedurat”; “nuk merrem me supervizorin” apo “nuk është puna ime” ishin disa prej përgjigjeve të tij për pyetjet e deputetëve që kishin të bënin me këto kontrata konçensionare.

    Lidhjet me përfituesit e konçensioneve 

    Në mbrojtjen e tij para komisionit hetimor Kryeministri Rama u mundua të ndante projektet e incineratorëve nga emrat e personave të përfshirë në dhënien dhe përfitimin e këtyre kontratave.

    Ai tha se ishte krenar për atë që kishte arritur qeveria e tij me pastrimin e mjedisit duke iu referua disa herë kohës së qeverisjes së PD-së, apo duke cituar edhe ish-kryeministrin Berisha për nevojën dhe incenerimit të mbetjeve.

    Por, ai tha se krenaria ishte vetëm e qeverisë dhe jo e “atyre që e zbatojnë”, kur deputeti Belind Këlliçi e pyeti se pse “tre bashkëpronarët Stela Gugallia, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të shpallur në kërkim dhe  ish-ministri që ka firmos me ta si Autoritet Kontraktues, që është në burg” nuk vinin në komision të thonin qe ishin krenarë.

    Kryeministri nuk pranoi që i njihte përfituesit e kontratave konçensionare Klodian Zoto dhe Stela Gugallia edhe pse deputeti Këlliçi i nxori foto dhe video gjatë ditës së përurimit të inceneratorit të Elbasanit me ta.

    “Nuk i njoh. Asnjë mundësi. Nuk i kam taku ndonjëherë. Këta po kërkohen se prokuroria dyshon se ka një aferë mes tyre e ish-ministrit”- tha Rama.

    Edhe pas këmbënguljes së deputetit të PD-së se ai ishte shumë afër tyre dhe ishte në biznesin e tyre, Rama këmbënguli se nuk i njihte. “Nuk i njihja mo nuk i njihja”- iu drejtua ai me ton pak më të lartë Këlliçit, ton të cilin e përdori në vazhdimësi në përgjigjet me deputetët opozitarë.

    Ai po ashtu iu shmang një përgjigje direkte nëse ishte thyerje etike udhëtimi i Ish-ministrit të financave Arben Ahmetaj me Mirel Mërtirin dhe kërkoi që të pyetej Ahmetaj për vërtetësinë e pretendimit të deputetit. Por, kur Këlliçi iu referua vendimit të gjykatës së Kumanovës për aksidenin ku u përfshinë Ahmetaj dhe Mërtiri ,  Rama sqaroi se në datën e këtij vendimi Ahmetaj nuk ishte ministër pasi në qeveri ishin “ministrat e Lulit”.  Ai pranoi se në kodin e etikës së qeverisë janë shtuar klauzola të reja për marrëdhëniet e ministrave me biznesmenët, ndërsa shtoi se politika në Shqipëri është si autobus unaze, ku dalin të gjithë kushërinj e të njohur.

    Rama nuk arriti të qartësojë as rolin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, në dhënien e konçensionit të Tiranës, ku u rikthye çështja e mungesës së një vendimi të Këshillit Bashkiak për këtë gjë. Belind Këllici risolli në vëmendje dokumentin e firmosur nga Erjon Veliaj në mars 2017 ku shprehte dakordësinë në parim për inceneratorin e Tiranës dhe i tha kryeministrit se kryebashkiaku kishte vendosur në mënyrë të paligjshme për një angazhim financiar miliona euro pa vendim të këshillit bashkiak. Por, Rama e cilësoi nul miratimin e Veliajt pasi ajo ishte një miratim në pranim dhe këmbënguli se ekzistonte një vendim i Këshillit Bashkiak dhe i dha Këlliçit një vendim të shtatorit 2017, të njëjtën shkresë që edhe vetë Veliaj kishte referuar një ditë më herët si dëshmitar  në komision.

    Deputeti Këlliçi argumentoi se shkresa e Veliajt nuk ishte pa bazë duke lexuar dhe një tabelë përllogaritje të kostove bashkangjitur shkresës, të cilën Rama tha se nuk e dispononte. “Nuk ka asnjë lloj problemi në këndvështrimin tim”-tha Rama, duke shtuar se më e rëndësishme ishte pasoja, që kishte të bënte sipas tij me pastrimin e qytetit. Ndërsa sipas deputetit opozitar “shkresa ka prodhuar pasoja financiare për qeverinë dhe qytetarët e Tiranës” dhe pretendoi se pagesat nga thesari i shtetit kishin nisur në shkurt 2018 pa një vendim të Këshillit Bashkiak.

    “Ju duhet të merrni masa për dikë që ju ka futur në këtë mesele, si mund t’i bëni avokatinë” e pyeti ai kryeministrin. Rama tha se nuk po bënte avokatinë e askujt, pasi fondet i ka angazhuar vendimi i qeverisë, jo shkresa e Veliajt dhe këmbënguli se nuk kishte shanse që thesari të bënte pagesa pa vendim të këshillit bashkiak.

    Ai nuk pranoi të komentonte për pagesat e kompanisë konçensionare të Tiranës për kompani konsultimi në zotërim të Klodian Zotos dhe Stela Gugalias apo kontratat me kompani të dënuara për avazim fiskal. “Nuk kam unë lidhje me këto, unë përgjigjem për situatën e mjedisit, si e gjeta, si është sot”- i tha ai Këlliçit.

    Rama nuk iu përgjigj as disa pyetjeve teknike të deputetit të Elbasanit Luçiano Boçi i cili i kërkoi një VKM me të cilin të jetë ndryshuar Autoriteti Kontraktor nga Ministria e Mjedisit tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, apo për 17 shkresat e datës 16 dhjetor mes ministrive që i paraprinë vendimit të datës 17 dhjetor të miratimit të kontratës së Elbasanit në qeveri.  Rama preferoi të përfshihej në debat politik me deputetin.

    Drejt fundit të dëshmisë që zgjati më shumë se 10 orë kryeministri humbi qetësinë dhe kaloi në një fjalor me epitete fyese ndaj deputetes Ina Zhupa pasi ajo lexoi njoftimin e SPAK mbi akuzat ndaj Kokës dhe pronarëve të kompanive konçensionare. “S’të vjen turp” i tha ai asaj duke e cilësuar këtë si ngritje akuzash penale në komision në kundërshtim me ligjin. Edhe kur Tabaku i kërkoi të mos fyente deputetët, ai tha se “tani në fund fare kjo bën një recitim sikur është në një botë tjetër. Kjo është të kesh shkulur spinën me trurin”.  Tabaku u detyrua ta mbyllte mbledhjen ndërkohë që Rama vijonte të fliste. Ai vijoi debatin edhe pas fikjes së sinjalit live duke iu rikthyer shifrës 430 milionë euro të artikuluar nga opozita si shifër e abuzimit me kontratat konçensionare. “Kjo është një ballonë që u shfry”- tha ai pasi në një debat të mëparshëm me Tabakun ajo i tha se kishte të bënte me përllogaritjen e totalit 30 vjeçar që i kushtojnë shtetit shqiptar këto konçensione.

    Kryeministri u duk se e kontrollonte mbledhjen të paktën nga “pikpamja teknike”, pasi kryetarja e komisionit Tabaku u ankua disa herë se teknika e Kuvendit i kishte hequr kontrollin mbi mikrofonat e sallës, siç ndodh zakonisht.  Ajo tha se nuk kishte mundësi të mbyllte mikrofonin e dëshmitarit gjatë debateve të tij me deputetët ku disa herë përdori gjuhë intimiduese dhe me epitete fyese ndaj tyre.

    Deputetët socialistë nuk patën asnjë pyetje për kryeministrin e tyre, të cilin e ndoqën në heshtje gjatë gjithë kohës.

    Komisioni hetimor do të paraqesë raportin përfundimtar të premten, ku sipas gjitha gjasave do të dilet me dy qëndrime të kundërta nga opozita dhe mazhoranca.(BIRN)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit