Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti është pyetur jashtë Kuvendit për takimin e mbrëmjes së të mërkurës të Ervin Salianjit me strukturat e PD-së, ku ishte i pranishëm edhe Ilir Alimehmeti.
“Ervini është miku im, një djalë flori”, u shpreh shkurtimisht ai, duke mos pranuar të komentojë.
Ndërsa kërkoi që fokusi të vendoset tek Belinda Balluku, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, e cila është marrë e pandehur për abuzim me tendera.
“A ka ndonjë pyetje për Ballukun, për qeverinë? Për Ballukun që s’ka ardhur.
Ervini është miku im, një djalë flori, por unë dua një pyetje për qeverinë, përqëndrohuni se ngelët tek opozita”, tha ai.
Ndërsa deputeti Tritan Shehu tha se nuk komenton zgjedhjet personale të çdo njeriu.
Deputeti Saimir Korreshi tha se takon çdo demokrat:
“Unë takoj çdo demokrat, pavarësisht nga emri dhe mbiemri. Unë kam pirë 100 herë kafe me Ervinin, tani nuk e pres unë edhe njëherë“, tha ai.
Edhe Xhelal Mziu u shpreh se: “Çdo demokrat është i mirëpritur kudo dhe për të qenë një armë më shumë kundër kësaj qeverie”.
Agron Gjekmarkaj nga ana tjetër nuk pranoi të flasë për gazetarët, duke i thënë “Ditë të mbarë”.
Edhe Klevis Balliu, i pyetur lidhur me situatën brenda PD-së, pasi Ervin Salianji mblodhi strukturat në Durrës, u shpreh se fokusi duhet të jetë tek Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me fonde.



