Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka zbuluar për herë të parë propozimet e tij për strategjinë e rezistencës së PD-së kundër qeverisë Rama, të cilat ngjallën debate në shumë media.
Gjoni tha se përballë arrogancës së qeverisë, ai kishte propozuar disa lëvizje të forta, duke nisur që nga ngujimi dhe greva e deputetëve, e deri te ndryshimi i formës së protestave.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte propozuar që deputetët të paguanin nga 1500 euro nga rrogat e tyre, në mënyrë që të mbanin me ushqime dhe ujë protestuesit, që këta të fundit të rrethonin Kryeministrinë.
Sipas Gjonit, protestat vetëm me fjalime nuk kanë dhënë rezultete, duke shtuar se nevojiten protesta të qëndrueshme, në mënyrë që Rama të dorëzohet.
“Ka pasur një konfuzion dhe shkrime të pafundme që zoti Gjoni kërkon të sjellë njerëz me pagesë në protesta. Jo nuk është e vërtetë. Ja ta sqaroj unë. Është thënë mënyra e parë ngujim në Kryesi dhe Parlament. Të ndahej grupi parlamentar.
Sepse sot për herë të parë në Parlament, edhe në kohën e Enver Hoxhës, nuk është kaluar qeveri dhe program qeverie pa diskutime. Është dita më e zezë që ka pasur parlamenti. E dyta dhe është shumë e rëndësishme, ndodhi jo vetëm shkelja e Kushtetutës, por edhe shkelja e rregullores.
Dhe u mendua që të bëhet një reagim shumë i fortë. Ngujim, grevë urie nga një pjesë e deputetëve. Dhe e treta, që format e protestës që kanë qenë deri tani, kanë qenë efektive, por jo aq sa duhet. Dhe jo njerëzit të bëjnë një xhiro, të dëgjojnë 10 fjalime dhe të shkojnë sërish në shtëpi, por të ndryshohet mënyra e qasjes. Pse? Sepse në vetëvete protestat e kësaj natyre e kanë demoralizuar edhe elektoratin edhe njerëzit sepse thonë ‘vijmë bëjmë një xhiro në bulevard dhe ikim’.
Tani unë propozova një mënyrë tjetër, një institucion, që sot është më i kapuri, më i korruptuari… 20 mijë veta të organizohen dhe deputetët nga xhepat e tyre të paguajnë nga rroga nga 1000-1500 euro, që të rrijnë, t’i mbajnë me ujë dhe me bukë, jo për t’i sjellë. 20 mijë veta, nëse do të rrethojnë një institucion, edhe masa popullore do ngrihet. Deputetët duhet të sakrifikojnë vetë, duhet të jenë në ball të protestave”, tha mes të tjerash Gjoni.



