Deputeti i PD Dashnor Sula në një intervistë për Ora News, tha se jeojmë në një realitet ku dhe pleq e plaka po ikin nga Shqipëria.
Por pavarësisht problemeve që ka vendi ai shprehet se opozita e ka bërë si duhet punën e saj pasi nuk ka lënë gjë pa denoncuar.
Dashnor Sula: Nëse deri dje iknin të varfrit sot ikin pjesa e niveleve të tjera që janë shtresa e mesme. Po ikin dhe pleq e plaka të cilët po i marrin fëmijët e tyre. Ky është realiteti. Pavarësisht problemeve që kemi opozita nuk po lë gjë pa denoncuar.
Sakaq ai foli dhe për gjuhën degraduese që është përdorur në parlament ku u shpreh se “unë nuk do të vesh brekushet e Edi Ramës, kam fytyrën time, kam faqen time, kam origjinën time, kam zonën time që përfaqësoj”.
Dashnor Sula: Kush nuk e kupton që po shuhet ky vend që ne kemi disa pleq e disa laka këtu le të vazhdojë. Unë nuk do të vesh brekushet e Edi Ramës, kam fytyrën time, kam faqen time, kam origjinën time, kam zonën time që përfaqësoj.
Përfaqësoj ata që më kanë zgjedhur mua. Nuk më kanë sjellë aty të them fjalë të pista, të shaj e as të ofendoj, as nuk kam për ta bërë asnjëherë këtë gjë.
Sula u shpreh se është kundër organizimit të protestës së radhës të opozitës më datë 6 dhjetor.
Sipas tij organizimi i protestës në një ditë të tillë është jonormale.
Dashnor Sula: Unë kam qenë pjesëmarrës në të gjitha protestat e opozitës deri tani. Por kjo protesta e datës 6 dhjetor mendoj që nuk është normale.
Nuk mund të ndodhi pasi ne jemi shtet demokratik, po aspirojmë për të aderuar drejt BE dhe data 6 dhjetor është dita e mbledhjes së gjithë kryeministrave të BE që janë pjesëmarrës këtu dhe mendoj se nuk do të ishte normale.
Për hir të interesave të Shqipërisë do të thoja që një ditë më parë apo më mbrapa nuk do të ndryshonte asgjë. Më vjen keq për një vendim të tillë.
Tani jemi në një epokë digjitale që në sekondë informacioni del në të gjitha cepat e botës. E vërteta në çdo moment dhe në çdo kohë vete, nuk është nevoja për këtë moment.
Unë e kam thënë në protestë shkoj si qytetar pastaj si politikan. Ky është një moment që nuk do të doja kurrë të kemi një përplasje.
Unë jam i vendosur derisa të kem frymë kundër Edi Ramës, kundër qeverisë së Edi Ramës, sa të ketë frymë.