0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Der Spiegel: Pse Bashkimi Europian ka mbyllur një sy për Edi Ramën!

    Tani ai parakalon nëpër Evropë si të ishte një trofe. Në një “retreat” (takim pune) e CSU-së në janar, Edi Rama ishte i ftuari special, si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në vitin 1991, kjo parti u trashëgua nga komunisti Enver Hoxha dhe Partia e Punës.

    Markus Söder shfrytëzoi rastin në takimin e Kloster Banz për t’i dhënë garanci mikut shqiptar se vendi i tij “i përket BE-së”.

    Në maj, Rama shkëlqeu përkrah zëvendës-kancelarit Robert Habeck kur foli në ceremoninë e dhënies së çmimit “Karls” në Aachen – aty ku foli për frymën e tolerancës sipas koncepteve të Thomas Mann. Kryeministri i Shqipërisë shkëmben shpesh puthje me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, e cila ia lejoi vetes të shplodhej në vilën e Ramës në Adriatik verën e vitit 2023 me familjen e saj.

    Edi Rama, 60 vjeç, ka qeverisur dhe përfaqësuar Shqipërinë kandidate për anëtarësim në BE për 11 vjet. I gjatë si një pemë, Rama është një burrë me sjellje shpesh të moderuara. Një tip që pret mysafirët shtetërorë me atlete, ndërsa gazetarët, zbathur. Një pasardhës i vonë i borgjezisë socialiste, folës i disa gjuhëve në një nivel të lartë. Dikur basketbollist i kombëtares shqiptare dhe i njohur ndërkombëtarisht si piktor, për shumë në Perëndim ai është fytyra kozmopolite e Shqipërisë.

    Korrupsioni në të gjitha nivelet

    Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ishte në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë në muajin shkurt të këtij viti dhe gjeti fjalë lavdëruese për “Edin” dhe për reformën e tij në drejtësi: “Zyrtarët e korruptuar tani po mbajnë përgjegjësi”, tha Blinken: “Anëtarë të krimit të organizuar bien në burg dhe humbasin pasuritë e tyre, ky është një ndryshim i madh.

    Megjithatë, në raportin e fundit vjetor të Departamentit të Shtetit, gjërat tingëllojnë ndryshe. Për situatën në vendin anëtar të NATO-s, Shqipërinë e vitit 2023, thuhet: “Ka pasur korrupsion në të gjitha dikasteret dhe në të gjitha nivelet e qeverisë”. Kjo do të thotë: edhe në majë.

    Kundërshtari politik i Ramës pretendon se ai prej kohësh e ka kthyer vendin e tij në një autokraci të kontaminuar nga droga. Më saktësisht, thotë se ai toleroi avancimin e krimit të organizuar. Kreu i qeverisë e mohon këtë.

    I përballur me akuzat përkatëse nga SPIEGEL, kryeministri telefonoi vonë në mbrëmje dhe u përpoq të ndikojë në raportim: Ai i percepton akuzat si të kota, ofenduese dhe dëmtuese të pamerituara për vendin e tij.

    “Si mund të ndodhë, -u pyet Rama në qershor nga një gazetar italian,- që njëri pas tjetrit, ministra të ndryshëm u arrestuan për korrupsion, ndërsa ai vetë është ende në detyrë?” Përgjigja e ftohtë e kreut të qeverisë shqiptare: “S’ka pyll pa derra”.

    Stabiliteti i Ballkanit

    Rama, i parë me sytë e perëndimit, konsiderohet një njeri i stabilitetit në Ballkan. Mbi të gjitha, modeli i tij i negociuar me Melonin shihet me interes përtej Italisë: plani për të strehuar refugjatët dhe emigrantët në tokën shqiptare, pas kapjes së tyre në ujërat e Mesdheut.

    Sa më popullor bëhet jashtë vendit, aq më shumë rritet zemërimi në mjedisin përreth tij. Ata në rrethin e brendshëm, që dinë shumë dhe do të rrezikonin shumë, flasin vetëm me garancinë e anonimatit. Të tjerët dalin në rrugë. Në korrik, protestuesit e zemëruar hodhën kokteje molotov në rezidencën zyrtare të Ramës në Tiranë. Tashmë shenjat e djegies janë fashitur.

    Në qendër të Tiranës kanë mbetur gjurmë të tjera, më të vjetra. Piramida, për shembull, një ndërtesë ku dikur qëndronte statuja e mermertë e diktatorit Enver Hoxha, e krijuar nga babai i Edi Ramës.

    Kristaq Rama ishte një artist i afërt me sistemin, i cili u vërtetua se kishte bashkëfirmosur një dënim me vdekje në vitin 1988 si anëtar i të ashtuquajturit Presidiumi Popullor: kundër poetit opozitar Havzi Nela, i cili më pas u var.

    Kohët e reja, më të shndritshme kanë simbolikë të tyre një ndërtesë transparente, prej qelqi dhe çeliku. Është selia e SPAK, prokuroria e posaçne kundër korrupsionit. Ajo u themelua në vitin 2019 me nxitjen e SHBA-së dhe BE-së. Drejtuesi në detyrë nuk konsiderohet i preferuari i Ramës. Në votimin vendimtar të betejës, ai ndoshta ka përfituar nga fakti që ambasadori amerikan kishte insistuar të vëzhgonte personalisht procedurën – një votë mosbesimi ndaj kreut të qeverisë.

    Burgjet VIP me ofertë fitnesi

    Bilanci i mëparshëm i autoritetit të SPAK është i tillë: Ministri i parë i Brendshëm i Ramës u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre – fillimisht për trafik droge, në fund për një vepër tjetër. Ish-ministri i mjedisit i Ramës u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg për korrupsion në shtator 2023. Zëvendësministri i Shëndetësisë dha dorëheqjen për shpërdorim detyre. Ish-shefi i tij, më në fund shkoi në burg në korrik 2024 për përvetësim të fondeve të BE-së.

    Ish-ministri Ahmetaj: “Nuk jam gati të bëj kokën e turkut për kryeministrin”

    Në Shqipëri ekzistojnë tashmë të ashtuquajturat burgje VIP, siç zbuloi agjencia BIRN: qendrat e paraburgimit me departamente në të cilat personalitetet socialiste banojnë aty me kuzhinën, dushin dhe ambjentet e tyre të fitnesit.

    Megjithatë, ata nga rrethi i ngushtë i Ramës, të cilët i kërcënon një fat i tillë, zakonisht preferojnë të nisen në kohë. Një prej tyre është Arben Ahmetaj, ministër i Ramës i Ekonomisë nga viti 2013, më pas i Financave dhe nga viti 2021 si zëvendëskryeministër, numri dy në qeveri. Nga vëzhguesit politikë në Tiranë, Ahmetaj konsiderohej si një “ruajtës i thesarit” dhe një figurë kyçe në qeveri.

    Në korrik 2022, Rama e shkarkoi, pasi ishin grumbulluar materiale inkriminuese për Ahmetajn. Për kryeministrin, shoku i tij i hershëm kërcënonte të kthehej në një rrezik.

    Një vit më vonë, parlamenti i dominuar nga socialistët i hoqi imunitetin. Vonesa ishte e arsyeshme. Por i akuzuari për korrupsion dhe pastrim parash, ishte larguar në kohë. Pak ditë më vonë, SPAK lëshoi ​​një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj të arratisurit.

    Sistemi Rama

    “A ju shqetëson nëse pi puro?” pyet Arben Ahmetaj në takimin në një tarracë kafeneje në qendër të Luganos. Në të majtë shkëlqen liqeni, në të djathtë kalimtarët dhe turistët zviceranë bëjnë pazaret e fundit.

    Ahmetaj është një njeri që ka udhëtuar mjaftueshëm, i mësuar me jetën e luksit. Që në moshë të re konsiderohej si një nga yjet në ngjitje mes socialistëve. Në vendlindje e kanë pagëzuar si “tigri”. Pavarësisht një urdhër-arresti ndërkombëtar, ai aktualisht po shijon mërgimin e tij në Lugano dhe shpreson të përfitojë azilin politik në Zvicër.

    Ahmetaj nuk dëshiron të thotë asgjë për akuzat e ngritura ndaj tij në vendlindje. Për shembull, nëse ishte ai që krijoi lidhjet mes organizatorëve të një skandali për impiantet e djegies së mbetjeve. Janë projekte të dyshimta, shumë pak prej të cilave janë realizuar, por që i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë qindra miliona euro. Sipas gazetarëve të pavarur, paratë thuhet se kanë përfunduar në xhepat e qarqeve të afërta me qeverinë, por edhe në mediat pranë tyre.

    Edhe udhëtimet luksoze të Ahmetajt, me sa duket të financuara nga organizatorët e skandalit, në mënyrë të alternuar me gruan dhe të dashurën e tij, në hotelet me pesë yje të Milanos apo në Côte d’Azur, luajnë vetëm një rol periferik në këtë takim. Ai preferon të flasë për Edi Ramën.

    Pra: Pas 11 vitesh në pushtet, cili është faji i Ramës për faktin se Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Transparency International, me gjithë financimet me miliarda perëndimore?

    Ahmetaj fut puro të ftohur në tavëll dhe thotë për marrëdhënien e tij me Ramën, të cilin ndonjëherë e quan “Kim Jong Un”, një aludim për diktatorin e Koresë së Veriut: “Nuk jam gati të bëhem koka e turkut e kryeministrit. Ai është përfituesi i reformës në drejtësi, e cila u financua nga SHBA-ja dhe BE-ja, tani ai po përdor gjyqësorin kundër kundërshtarëve të tij politikë dhe kundër të gjithë atyre që kundërshtojnë kërkesën e tij për pushtet”.

    Ish-zëvendëskryeministri ka dyshime se sistemi Rama po tolerohet në heshtje në Perëndim: “Nuk e kam idenë pse evropianët nuk duan të shohin se çfarë po ndodh në Shqipëri. Ata kanë shërbime të shkëlqyera inteligjence që e dinë në detaje çfarë ndodh, veçanërisht për pastrimin e parave dhe krimin e organizuar”.

    Ahmetaj konfirmon raportimet, sipas të cilave Shqipëria ishte kthyer në një narko-shtet të ushqyer nga trafiku i drogës gjatë mandatit të Ramës: “Përmbytja e vendit me kanabis nga viti 2014 deri në 2017 ishte axhenda e fshehur ekonomike e kryeministrit”. Rritja e krimit të organizuar, që ushqehet nga kjo, ka ndryshuar masivisht ekonominë dhe shoqërinë shqiptare: “Rama beson se ai ende kontrollon mjedisin kriminal, por tashmë është ai që kontrollohet”.

    A po mbyllin sytë evropianët ndaj Ramës?

    “Ursula von der Leyen e quan ‘i dashur Edi’”, ky është tashmë një sinjal,” thotë Frauke Seebass nga zyra e Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Bruksel: “Duhet ta shihni fenomenin Rama në një kontekst më të gjerë – nga BE-ja. Bëhet fjalë për një qasje të ngjashme me biznesin, një përpjekje për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor. Rama, ndryshe nga Aleksandar Vuçiç në Serbi, nuk konsiderohet antievropian. Është shumë më komod; prandaj u vendos që ta mbyllin një sy, pse jo edhe të dy.”

    A do të pasurohet Rama në kurriz të të tjerëve? “Nga perspektiva e Brukselit, kjo nuk është aq e rëndësishme,” thotë Seebass: “Aderimi i Shqipërisë në BE nuk është për debat në të ardhmen e afërt”.

    Vetë kreu i qeverisë tha për televizionin shtetëror italian Rai: “Sinqerisht nuk shoh që politika në Shqipëri të jetë helmuar nga mafia”. Pretendimi i Ahmetajt se bosët e mafias hynin dhe dilnin në zyrën e tij është një deklaratë e rreme, për të ardhur keq, pasi “njerëzit priren të besojnë gënjeshtrat dhe jo të vërtetën”.

    Rama i druhet reputacionit që ka vendi i tij. “Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, durimi ynë s’ka fund”, siguroi kryeministri për SPIEGEL dy vjet më parë në vilën e tij në Adriatik: Shqipëria ishte një diktaturë e izoluar, “Koreja e Veriut e Evropës, në të cilën ishte ende e rrezikshme të dëgjoje Beatles në fund të viteve ’80, prandaj them se, në terma absolut, ne kemi arritur më shumë në këto 30 vjet se çdo vend tjetër në Evropë”.

    Varfëria, papunësia, emigracioni

    Statistikat thonë diçka tjetër. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, më shumë se një e treta e 3.3 milionë banorëve të dikurshëm janë larguar nga vendi që nga viti 1991. Paga mesatare është rreth 750 euro. Pothuajse një e treta e të rinjve të mbetur janë të papunë.

    “Shkrirja e interesave politike dhe mediatike me ato të kriminelëve dhe oligarkëve” – kështu funksionon sistemi Rama, thotë një ish-qeveritar që këmbëngul të mbetet anonim: “E gjithë kjo bëhet me bekimin e BE-së dhe SHBA-së”. Nuk ka asnjë tender publik që të mos përfundojë në rrethin njerëzve të tij. Në thelb, Rama e çoi të gjithë vendin në krim, tanimë Shqipëria është e përshtatshme për një rast studimor të korrupsionit, e megjithatë Rama dinak arrin të gjejë njohje në perëndim. .

    Fatos Lubonja është i njohur për kritikat thelbësore ndaj kreut të qeverisë. Shkrimtari dhe autori i njohur konsiderohet ndërgjegjja e së majtës shqiptare. Lubonja është djali i një të besuari të ngushtë të Hoxhës, i cili u kritikua më pas. Ai qëndroi në burg për 17 vjet, shumicën e kohës në kampe pune si miniera famëkeqe e Spaçit. Vetëm në vitin 1991, u lirua si një nga të burgosurit e fundit politikë në vend.

    “Unë pashë veten te Edi Rama i ri, – thotë Lubonja, – të dy donim të dilnim nga hija e baballarëve tanë pranë regjimit”. Në vitin 2000, megjithatë, Rama u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe që nga viti 2013 është kreu i qeverisë. Vitet e gjata në pushtet e kanë ndryshuar shokun e tij, tregon Lubonja: “Ai është bërë një narcisist i egër, një djalë i zgjuar por pa bindje, ndryshe ditën dhe ndryshe natën, një njeri që ka nevojë për pushtetin si oksigjeni për të marrë frymë.

    Lubonja ankohet gjithashtu se Perëndimi, veçanërisht familja e partisë socialiste evropiane, po mbyll sytë ndaj realitetit të zymtë shqiptar. “Çfarë është nafta për vendet e tjera, në Shqipërinë e Ramës janë trafikantët e drogës me paratë e tyre”. Në debatin e fundit të përbashkët, ai e quajti kryeministrin “mashtrues”: “Sepse është krokodil – gojë e madhe dhe pa veshë”.

    Nga kanabisi te kokaina

    Rama synon mandatin e katërt vitin e ardhshëm. Perspektiva tregon se do të ketë sukses. “90% e komuniteteve tani janë në dorën e tij, thuajse kushte ruse”, thotë gazetarja investigative Klodiana Lala“Nëse dikush ngrihet dhe thotë: “Unë personalisht i kam dhënë para Edi Ramës”, asgjë nuk do të ndodhë me të, qeveris ligji i heshtjes së mafies, ligji i Omertà-s.»

    Disa hetues konfirmojnë për televizionin shtetëror italian Rai dhe SPIEGEL se ka kontakte në nivelin më të lartë të qeverisë me krimin e organizuar. Tregtia fillestare e kanabisit u shndërrua në biznesin e tonelatave me kokainë. Urganizatat shqiptarë janë lidhur me N’drangheta kalabreze dhe me kartelet e Amerikës Latine.

    Prokurori italian Francesco Mandoi, i punësuar përkohësisht nga Rama si komisioner kundër korrupsionit, nxjerr një bilanc të kthjellët: “Baronët e drogës kanë njerëzit e tyre kudo në administratë, në institucione; tani janë në gjendje ta zbusin qeverinë”. Ai vetë, sipas Mandoit, me paralajmërimet e tij nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

    Investime nga Kushner dhe Grenell

    Paratë e mafies shqiptare të drogës kalojnë jo pak drejt rrokaqiejve, të cilët kanë ndryshuar peizazhin e qytetit dikur të zymtë të Tiranës. Ndërtimi do të vazhdojë edhe në bregdetin e Adriatikut. Dhëndri i Donald TrumpJared Kushner dhe ish komisioneri amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, po planifikojnë investime të mëdha atje me bekimin e Ramës. Rama, Grenell dhe Trump e kanë njohur dhe vlerësuar njëri-tjetrin që nga koha kur ndoqën planin për të ridimensionuar kufijtë e Kosovës dhe Serbisë nën sytë e përfaqësuesit të atëhershëm të BE-së për Punët e Jashtme.

    A po e shkrin Rama pasurinë e vendit të tij në këmbim të vullnetit të mirë politik? Ish-agjenti i lartë i FBI-së, tashmë i dënuari, Charles McGonigal, pranoi se kishte marrë ryshfet në Shqipëri për shërbime në interes të qeverisë. Ai ka pranuar edhe disa takime me Edi Ramën në godinën e qeverisë. Kryeministri mohon fajin.

    “McGonigal u pagua nga njerëz të zyrës së Ramës,” thotë Sali Berisha, presidenti i parë i Shqipërisë për zgjedhjet e lira në 1992 dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike. Ai ulet në katin e tetë të një pallati në qendër të Tiranës.

    Berisha ndodhet në arrest shtëpie. Ai akuzohet edhe për korrupsion, SHBA-të i kanë ndaluar hyrjen. Për më shumë se 200 ditë, ish-kreu i shtetit nuk lejohet të largohet nga shtëpia e tij. Ai herë pas here pret mysafirë. Vetëm pak minuta më parë Ilir Meta doli nga dera, mes të cilëve edhe ish-presidenti. Tani Berisha më në fund mund të flasë.

    “E mbaj mend ende mirë diktaturën Hoxha – as atëherë nuk ishte kaq e kontrolluar sa është tani nën Ramën”, thotë 80-vjeçari, i cili mban një kravatë të gjelbër në të verdhë dhe mansheta argjendi në këmishën e tij të bardhë: “Shqipëria është një lloj diktature, narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë”.

    Berisha nxjerr tabletin e tij dhe tregon të dhëna që vërtetojnë se edhe vëllai i Edi Ramës, Olsi, është i përfshirë në trafik droge. Olsi Rama i mohoi akuzat. Berisha, megjithatë, këmbëngul në pretendimin e tij se Perëndimi është i verbër ndaj kushteve të vërteta në Shqipëri: “Ju marshoni me sy të lidhur drejt një katastrofe”.

    Parë nga ballkoni i Berishës në katin e tetë, njerëzit poshtë në rrugën Mustafa Matohiti të Tiranës duken të vegjël. Çdo mbrëmje në orën tetë ata marshojnë deri këtu, për të mbështetur heroin e tyre nën arrest shtëpiak. Më pas paraqitet Berisha, që sulmon shkurtimisht “Narko diktaturën” e Ramës dhe zhduket sërish. Pas disa minutash gjithçka ka mbaruar. Deri natën tjetër.

    Edi Rama arrin t’i mbijetojë edhe kësaj.

    Der Spiegel

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit