Deri në 1500 euro si zanatçi? S’është ofertë pune për në Gjermani por në Shqipëri. Të rinjve që përfundojnë shkollat profesionale po ju ofrohen paga sa në Europë.
“Shkolla jonë eshtë e ndarë në disa degë si ndërtim, topografi, punim druri, mjete transporti ka goxha regjistrim sidomos në fillimet e regjistrimeve. Një student paguhet 1000-1500 euro në muaj.”
Ky është Xhemal Xhixha, nxënës i viti të fundit në shkollën e mesme të ndërtimit “Karl Gega” në kryeqytet. Garantimi i një vendi pune pas përfundimit të studimeve por dhe një pagë e mirë e ka bindur jo vetëm të mos largohet nga vendi por të zgjedh profesionin e topografit.
“Një miku im ishte topograf ndër vite dhe e ka kuptuar se cfarë vlere ka zanati më tha dhe mua që të vazhdoj për të njëjtin drejtim. Topografia merret me matje, rilevime, piketime dhe ky është zanat që ka punë sepse sot ndërtohen shtëpia, pallate dhe për këte duhet patjeter të kete një topograf, normal që do këtë punë.”
Nuk ndjek vetëm studimet për topograf por edhe punon në këtë profesion.
“Po madje mund të punësohemi dhe gjatë kohës që ndjekim zanatin, ka shumë biznese që kërkojnë punëtorë të rinj prandaj them nuk është zgjidhje që të largohemi.’’
Jo vetëm Xhemali por ka edhe nxënës në fusha të tjera profesionale që po i drejtohen këtyre sektorëve.
Eljona Mustafa e Shkollës Teknike Ekonomike ka zgjedhur të ndërthuri profesionin e stilistes së bashku me dizanjin digjital.
“Nuk ka shumë njerëz që e preferojnë por bëjnë edhe pak gabim sepse në qoftë se ti di ta menaxhosh një biznes ke shumë të ardhme. E kam pasion ka dhe të ardhura sepse cdo kush ka nevojë për veshje duhet të vishet dhe çdo dit shohim që moda sjell ide të reja, ja pse është dicka e bukur .”
Këtë ide të këtij fustani në tabletë, ajo do ta hedhi në copë për ta realizuar në fund.
“Në këtë rast ne po përdorim një program i cili mund te shprehësh idete e tua këtu dhe është vërtet i dobishëm. Është një mënyrë e mirë dhe e kohës , unë po bëj një fustan i cili është i kohës dhe kam përcjllë mendimet e mia, mund ta bëj sipas mendimit tim dhe më pas mund ta hedh në cope.”
Një interes në rritje të rinjtë e kanë edhe për turizmin, duke parë zhvillimin në 2 vitet e fundit.
“Biznesi aktualisht ka nevojë emergjente për punonjës, shkolla jonë me anë të këtyre studentëve të cilët ne po i aftësojmë për tregun e punës kanë mundësi për tu punësuar në këto biznese,” shprehet Yllka Peposhi, mësuese në Shkollën e Mesme Teknike.”
Është vëmendja e shtuar e qeverisë por dhe sistemi dual që shkollat ofrojnë, arsyeja kryesore që po i shtyjnë të rinjtë të zgjedhin këto profesione.
“Shkollat profesionale janë shkollat më të kërkuara për tregun e punës sepse vetë ndërtimi në vendin tonë kërkon profesionistë të kualifikuar me shkollë të mesme. Tek shkolla jonë me 1000- 1200 nxënës gjejnë vet vende pune dhe tani që janë duke mësuar një pjesë e tyre janë të punësuar disa vejnë dhe në profesion e tyre në mekanik, përpunim druri në hidrolik nëpër studio të ndryshme në topografi, pra që tani punojnë më pas në mbarimin e shkollës së mesme,” shprehet Xhevair Aliaj, Shkolla e Mesme e Ndërtimit.
Për të ndaluar emigrimin e të rinjve por dhe uljen e numrit të papunësisë, qeveria është zotuar për ushtrimin e shkollave profesionale në të 61 bashkitë e vendit deri në 2030. (Marinela Lina)