2.5 C
Tirana
E mërkurë, 31 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Dha dorëheqjen apo do e shkarkojnë? Çfarë ka ndodhur me kryepolicin e Shqipërisë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka reaguar për herë të parë pas lajmeve për një dorëheqje të mundshme nga ana e tij.

    Për Report TV ai është shprehur se nuk e ka ndërmarrë një akt të tillë dhe nuk ka ndërmend ta bëjë as në ditët në vijim.

    “Nuk e kam dhënë dorëheqjen. Nuk kam ndërmend të dorëhiqem”, raportohet të ketë thënë Gledis Nano.

    Ai e mban këtë post që prej tetorit të vitit të kaluar, kur zëvendësoi ish-kryepolicin Ardi Veliun.

    Lajmi për dorëheqjen e tij qarkulloi sot në media, ndërsa në rrugë zyrtare nuk ka pasur asnjë reagim as nga Nano dhe as nga institucioni që ai drejton.

    Report TV bën me dije se burime jo zyrtare informojnë se brenda javësh, qeveria mund të emërojë drejtorin e ri, teksa ende nuk janë të njohura arsyet e zëvendësimit.

    Report TV mëson se për rreth 90 minuta në zyrën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ka qenë kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP, ish-SHÇBA) Muhamet Rrumbullaku, i cili disa herë është përfolur si personi qe do emërohet në krye të Policisë së Shtetit.

    Mirëpo në një komunikim për Report TV, ai e ka mohuar që do marrë drejtimin e Policisë së Shtetit, në vend të Nanos, duke thënë se nuk është pjesë e Policisë së Shtetit.

    Sulm i orkestruar?

    Lajmi për një dorëheqje të mundshme të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano ka qarkulluar prej ditës së djeshme dhe sot mediat ishin në pritje të një konfirmimi, ose mohimi, gjë që nuk ka ndodhur.

    Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati tregoi bisedën që kishte zhvilluar me drejtorin e policisë para se ai të largohej nga zyra paraditen e së hënës, ku nuk u kthye për 5 orë.

    Ferhati tha se Nano e ka cilësuar situatën një sulm të përqendruar ndaj tij, ndërsa është shprehur se nuk i kuptonte arsyet e aludimeve për një largim të tij.

    “Në mëngjes kam pasur një bisedë me drejtorin e policisë përpara se të largohej nga zyra mëngjesin.

    Ai më tha saktësisht se është një sulm i përqendruar ndaj tij dhe se ai vetë se kuptonte arsyen mbi këto aludime që ishin hedhur”,  u shpreh gazetari Ferhati.

    Ferhati nuk mohoi zërat për një krizë në radhët e policisë.

    “Po të flasim për spekulime, flitet për marrëdhënie të tensionuara  mes drejtorit të Përgjithshëm dhe ministrit të Brendshëm”, – u shpreh gazetari.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit