Në një postim në Facebook, Jamarbër Malltezi, ish-funksionar i Partisë Demokratike dhe familjar i kryetarit të saj, Sali Berisha, publikon një dokument të vitit 1991 të titulluar: “Procesverbal për dorëzimin e materialeve dokumentare në Arkivin e Ministrisë për ruajtjen e tyre me vlerë historike”. Dokumenti është sekret dhe mban firmën e dorëzuesit, ish-ministrit të Rendit Publik, Aredin Shyti.
Z. Malltezi e përdor dokumentin për të (ri)denoncuar Preç Zogajn si një bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit duke e akuzuar se ai ka prodhuar 141 faqe spiunime. Zogaj figuron në dokument me pseudonimin “Çiftelia” dhe trajtohet aty nën kategorinë “dosje personale”. Megjithatë një tjetër emër është edhe më interesant: Pjetër Arbnori.
Në të njëjtin dokument – që me siguri nuk i ka shpëtuar z. Malltezi – Arbnori figuron me dy materiale: një dosje përpunimi dhe një fashikull dënimi. Dosja e Përpunimit përmban 379 faqe dhe aty Arbnori figuron me pseudonimin “Toma” krahas emrit të plotë.
Data e dosjes së përpunimit nis më 7 mars 1961 kurse fashikulli i dënimit pak muaj më vonë, 29 maj 1961.
Arbnori është figurë e njohur e fillimeve të pluralizmit dhe ai ka disa nderime në emër të Republikës. Por përfolja e tij e vazhdueshme në media për bashkëpunim nuk u zbardh ndonjëherë institucionalisht.
Ky dokument sjell në vëmendje një nevojë për të gjykuar mbi bazë dokumentare shumë figura mbi të cilat ka ende çfarë të hulumtohet. Ne patën mundësinë të dëshmojmë zhurmën e madhe mbi shtetasin I.M disa vjet më parë, që u hamendësua se ishte Ilir Meta. Zhurmë që pushoi siç nisi. Kush ishte pra Petër Arbnori?



