28.5 C
Tirana
E hënë, 4 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Dhoma gazi për shqiptarët” – Thirrjet skandaloze që trazuan Maqedoninë

    Një incident i rëndë me tone nacionaliste dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve ka ndodhur gjatë ndeshjes parakualifikuese për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar të shtunën në qytetin e Kumanovës.

    Në prani të drejtuesve më të lartë të shtetit – përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviç – një pjesë e tifozëve në tribunë lëshuan thirrje të hapura anti-shqiptare, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet.

    “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër” – ishte një nga refrenët që u dëgjua qartë gjatë sfidës, sipas raportimeve nga media lokale.

    Skandali nuk përfundoi aty. Gjatë lojës, u dëgjuan edhe thirrje më të rënda si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke rikthyer në kujtesë retorika të errëta dhe të rrezikshme nga historia e Evropës.

    Incidenti ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale ndërsa një ditë më pas thirrjet janë dënuar nga autoritetet. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti bëri thirrje që rasti të zbardhet.

    “Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit, në Kumanovë. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike”, tha Mexhti.

    Kreu i partisë “Besa”, Bilall Kasami duke dënuar thirrje ka porositur se një shtet si Maqedonia e Veriut nuk është një rezervat etnik, por mozaik kulturor i cili duhet ndërtuar me frymën e përbashkët.

    “Ajo që ndodhi në Kumanovë nuk është vetëm një moment turpi për sportin, por një goditje me grusht ndaj idesë më themelore të qytetarisë: që ne jemi të ndryshëm, por të barabartë. Fyerjet raciste nuk janë “shprehje spontane të pakënaqësisë”, por tërbime primitive që kërkojnë vend në një kohë që nuk u përket”, tha Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

    Edhe VMRO-DPMNE-ja në pushtet i ka dënuar thirrjet, duke i cilësuar ato si të përgatitura nga struktura kriminale që duan të mbulojnë veprimtarinë e tyre të ndyrë me urrejtje dhe përçarje.

    “Dënojmë çdo sulm nacionalist dhe gjuhë të urrejtjes, pa marrë parasysh se nga vijnë. Kjo i shkon për shtati vetëm rrymave dhe partive politike që me vite mbjellin politika të urrejtjes ndaj njëri tjetrit”, – u shpreh Brane Petrushevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Veprimet i ka dënuar edhe opozita. Arben Taravari i ka cilësuar si thirrje ndaj të cilave kryeminsitri nuk guxon të heshtë.

    “Dje në Kumanovë, në një ndeshje basketbolli, në prezencë të Kryeministrit Mickovski, përfaqësues të VLEN-it, ministrit të punëve të Brendshme Toshkovski e të tjerë pushtetarë, neve, shqiptarëve na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas!”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqitparët.

    Ndërsa BDI kërkoi dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN.

    ”BDI kërkon përgjegjësi politike për skandalin në Kumanovë: Të dorëhiqen Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Njëkohësisht, kërkojmë që të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri që janë në pozita kyçe ekzekutive, të distancohen publikisht nga ky akt i papranueshëm dhe ta ngrenë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, – theksuan nga BDI.

    Alsat shkruan se thirrjet i dënuan edhe subjektet tjera politike, si dhe Federata e Basketbollit duke kërkuar përgjegjësi nga autoritete dhe zbardhej të rastit.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit