Gazetari Elvis Hila është dhunuar në Lezhë nga dy persona. Sipas kallëzimit të vetë gazetarit në polici kjo ka ndodhur për shkak të detyrës, gjë të cilën e konfirmon edhe policia.
Blutë e Lezhës sqarojnë se ngjarja ka ndodhur sot (25 janar) rreth orës 16:40, ku dy personat i kanë dalë përpara gazetarit dhe e kanë dhunuar. Në këto momente ka ndërhyrë edhe bashkëshortja e tij, e cila edhe ajo është dhunuar fizikisht.
Nderkohe shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
Njoftimi i policise
Goditen për shkak të detyrës një gazetar, shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shpallën në kërkim shtetasit I.(E). A. 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati.
Këta shtetas, rreth orës 16:40, në qytet Lezhë, i kanë dalë përpara shtetasit E.H., 32 vjeç, banues në Lezhë, me profesion gazetar, si dhe e kanë dhunuar fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij shtetasen B. H., e cila në ato momente ka ndërhyrë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se, këta shtetas e kanë dhunuar fizikisht gazetarin për shkak të detyrës.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.