Nga Artan Fuga
Me propozimet për antarët e qeverisë, papritur u fut edhe Inteligjencia Artificiale duke u paraqitur si një grua veriore e veshur bukur, me portret të hijshëm dhe me një pamje të pafajshme!
Kjo lojë futi publikun në debat. Opozita tha se nuk është mirë meqë Kushtetuta pranon se ministër mund të jetë një njeri dhe jo një makinë. Sigurisht si gjithmonë një argumentim i përciptë. Dikush mund t’i përgjigjej: E ndërrojmë ligjin, se mos është ligj i Zotit që nuk ndryshohet. Por, mund t’i thoshte edhe gjëra të tjera që deputeti Bardhi nuk i merr fare me mend ndoshta.
Presidenti i Republikës bëri sikur e aprovoi atë ministren që i ngjan pikturave të Kol Idromenos, por në të vërtetë duke luajtur rolin e të paditurit nxorri një dekret me “të futme”, ja la kryeministrit ta organizojë.
Por, në fakt nuk është fare ajo që debatuan analistët nëpër studio problemi real. Dihet se ajo që u deklarua se si ministër do të jetë edhe një makinë nuk është veçse një lojë, një metaforë. Merren me metaforën, jo me problemin.
Ka edhe nga ata që i thurrën lajme makinës sikur kjo na qenka shpëtimtare e etikës, e luftës kundër korrupsionit dhe budalliqe të kësaj natyre. Ndonjë e bën prej kohësh që t’i pëlqejë kryeministrit dhe ai ta kthejë vëmendjen nga personi në fjalë për të thënë : Ja kush më duhet!
Sa gjynah! Lodhet kot!
Problemi i vërtetë nga ana e shkencave të komunikimit dhe informacionit është krejt tjetër. Pa hyrë në hollësi sepse kërkon netë dimri pranë zjarrit në pyll për t’u diskutuar, në fakt problemet fillestare janë dy:
- A mund të përdoret Inteligjenca Artificiale në administrim, a jep ajo mundësi të reja? Pa dyshim. Nëse Diellën ata që e përdorin e përdorin si një femër të mendshme, të zonjën, atëhere ata do ta lumturojnë publikun. Por, nëse Diellën do ta përdorin duke e lënë të lirë nga kontrolli njerëzor, atëhere ajo do të nisi duke u prostituar, pra do të sillet si prostitutë. Atëhere e gjithë shoqëria do t’i ngjajë një bordelloje të madhe ku do të jemi përfshirë të gjithë.
Prandaj duhet studjuar si mundet që Diellën ta përdorim me dashuri, me elegancë, me efektivitet. Jo ta prostituojmë.
- A e shpëton Diella qeverinë dhe administratën nga korrupsioni, a siguron objektivitet në vendimmarrje, a është Diella e paanshme, pra a është Diella një femër e ndershme? Jo! Ajo s’është as e ndershme as e pandershme. Niçja do të thoshte se ajo është përtej së mirë dhe së keqes. Mund ta përdorësh si shenjtore, por edhe si lavire!
Përse? Histori e gjatë. Kërkohen njerëzit që merren me shkencat e komunikimit dhe informacionit që pas një debati serioz, jo amator, a gjysmë amator, jo me hamendje ideologjike, të ndajnë shapin nga sheqeri por jo përgjithmonë.
Se lindin paradokse: Pyesni Diellën: A duhet që Diella ta zëvendësojë njeriun? Pyeteni, pyeteni çfarë thotë!
Pyeteni Diellën për paradoksin e Rasellit: Nëse burrat nuk duhet të rruhen vetë, i rruan një berber dhe jo vetë ata. Berberi a e rruan veten? Po e rruajti veten bën gabim sepse një burrë nuk duhet ta rruajë veten, po s’e ruajti, atëhere mund të jetë berber, pra mund ta rruajë veten, por po e rruajti veten atëhere bën gabim sepse nuk duhet ta rruajë veten e tij si burrë, e kështu pafundësisht!
Inteligjenca artificiale nuk merr dot vendime, ajo propozon alternativa, ajo nuk jep dot zgjidhje makrosociale për problemet sepse nuk e zëvëndëson dot shoqërinë me larmitetin e saj. Racionaliteti në shoqëri nuk është ai i frymëzuar nga shekulli i 19 – të sikur është një dhe i vetëm, por flitet për diversifikim racionalitetesh që Diella nuk e bën dot sot optimizimin e tyre. Racionaliteti nuk është i pavarur nga interesat njerëzore, dhe Diella nuk ka as Interesa personale as edhe grupore. Për të mos folur se sot atë e programojnë njerëzit, të dhënat mbi të cilat ajo bën “machinë learning”.
Diella gabon nëse e edukon keq, sikurse gabon një femër nëse burri e edukon keq.
Uaaau!
Sikur një gabon një burrë nëse gruaja e mëson keq.
Pyeteni Diellën: Mollën ja dha Eva Adamit, apo Adami e donte vetë se përndryshe nuk e kishte marrë?
Pra, në planin makrosocial por edhe më hollësisht Inteligjenca Artificiale sot është larg ta zëvendësojë njeriun, të heqi djallëzinë e tij, psillëqet e tij, të marrë vendime etike apo strategjike në vend të tij!
Nuk duhet të mashtrohet nga fytyra e bukur e Diellës.
Pas Djellës mund të fshihet një shënjtore, por pas Diellës mund të jetë edhe Djalli!
Për të qeshur: Si ta rregullojmë njeriun? Kollaj: E zhdukim njeriun dhe e zëvendësojmë me makinë! Cfarë dalje nga tema!
Askund në botën e zhvilluar teknologjikisht këto utopira të rrezikshme nuk i shkon njeriut në mendje t’i realizojë. Imagjinoni t’i lësh në dorë Diellës përdorimin e armëve bërthamore: T’i gjuaj apo mos t’i gjuaj? Ka makinë që e zgjidh këtë dot? Ndihmon njeriun ta zgjidhë? Po, padyshim, por vendimin e merr njeriu jo Diella.
Pse shkojmë kaq larg? Është mendësia e një vendi të vogël, të pazhvilluar teknologjikisht, që i përjeton ndryshimet që ndodhin nga literatura, informohet nga lloj lloj delirantësh, nga larg, që dëshirat i marrin pêr realitet, që në vend të hetojnë nisin të teorizojnë pa e njohur realitetin. Teksti ka zëvendësuar realitetin, për ta!
Shikim nga larg!
Si dikush që e shikon hënën të shndritshme nga larg dhe kujton, fëmija, se po të shkojë në Hënë do të shkelë mbi drita neoni!
Ky ka qenë përherë vesi ynë! E morëm komunizmin si derr në thes, teorikisht dhe shkuam para gjithë botës, kur të tjerët ishin kritikë dhe të matur.
Kështu edhe me të gjitha. Satelitë, paqe globale, drone, hapësirë ajrore e mbrojtur nga “traktori” i parë shqiptar, me pjesë kineze, ne prodhojmë makinën më të mirë ushtarake, ne viagrën, ne inteligjencën artificiale, ne … pasardhësit e Pirros së Epirit, Aleksandrit të madh, të Napoleonit!
Sikurse thoshte Hegeli për vendin e tij: Problemi është se duam të imitojmë Revolucionin Frëng, por e imitojmë idealisht, jo konkretisht, e hyjnizojmë, e përjetojmë në mënyrë abstrakte, jo realisht!
As mos e përzëmë Diellën, as mos kujtojmë se Diella jep zgjidhjet etike, antikorrupsion, apo se mund të na qeverisë në vendin tonë.
Dhe qeveritarëve mos u shkojë mendja se nesër mund t’i thonë prokurorit: Nuk e bëra unë, por Diella, dënoni atë!
Këtë nuk do ta hajë njeri!
Prandaj, kujdes!