Vrulli i largimit nga Shqipëria i disa profesioneve specifike si mjekë, infermierë, informaticienë ka nisur prej vitesh.
Vilma Koxhaj ishte një prej atyre që në vitin 2016 vendosi të largohej nga Shqipëria për në Gjermani.
Por rikthimi pas pandemisë në qytetin e saj të lindjes i ndryshoi mendjen për t’u zhvendosur përfundimisht në Berat, ku tashmë po ndërton startup-in e saj.
Në një intervistë për “Monitor”, Vilma tregon se cilat janë arsyet që e rikthyen atë në Shqipëri, duke ecur kundër rrymës dhe çfarë do të ofrojë sipërmarrja e saj më e re në fushën e IT.
Vilma, ju keni vendosur të ktheheni në Berat pas një përvoje disavjeçare në Gjermani ku emigruat, pse kjo zgjedhje?
U largova nga Shqipëria drejt Gjermanisë në vitin 2016. Kam studiuar Informatikë dhe aty u integrova në tregun e punës ku jam ende aktive.
Punoj si “Bussines Intelligence Consultant” për një kompani në Mynih.
Pas largimit u ktheva në vitin 2021 për të parë situatën dhe në korrik të vitit të kaluar vendosa që të kthehem përfundimisht.
Një nga arsyet e rikthimit është që të jem afër familjes dhe në qytetin tim, por edhe sepse shoh një ndryshim të dukshëm në qytet, në raport me disa vite më parë.
Shoh se Berati është më i gjallëruar, po rikthehet në identitetin e tij si qendër historike, po zgjerohet dhe aty jeta ka marrë një tjetër ritëm.
Pas rikthimit, ju po angazhoheni me një sipërmarrje që pritet të sjellë punësim në Berat. Mund të bëni një përshkim të shkurtër të asaj që ju synoni të ngrini?
Jam duke punuar për një startup në fushën e IT. Më saktë të menaxhimit të bazës së të dhënave dhe raportimit.
Është një biznes që do të zhvillohet online me projekte të huaja, por me staf që do të punojnë në Berat.
Dua që të krijoj hapësira për të rinjtë që të zhvillohen profesionalisht dhe të qëndrojnë në Berat.
Ky qytet tashmë po i ngjason një qyteti europian dhe ndryshimi vihet re kudo, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në gjallërimin e jetës kulturore, artistike. Është bërë një punë e mirë mendoj në shumë aspekte.
Berati është një destinacion i rëndësishëm turistik në këndvështrimin tuaj, si ka ndryshuar ai në këto vite?
Turizmi në Berat është zgjeruar në kohë dhe hapësirë. Tashmë disa orë nuk mjaftojnë më për të vizituar Beratin. Çdo vizitor duhet të kalojë të paktën një natë në bujtinat e Kalasë, Mangalemit.
Është vërtet magjike. Gjatë viteve që kam jetuar në Gjermani jam përpjekur të promovoj Shqipërinë dhe Beratin brenda mundësive që kisha, duke shfaqur pjesën më të mirë te kolegët dhe miqtë e mi.
Shumë prej tyre pasi kanë lexuar dhe kanë parë fotot e Beratit kanë ardhur për pushime.
Si vendalie, më ka takuar të bëj guidën turistike në Berat, dhe jam e lumtur të them se pritshmëritë u tejkaluan, si nga bukuria e qytetit dhe natyra, por edhe nga zhvillimi i qytetit, ushqimi dhe mikpritja.
Cilat janë sfidat që ju si banore e rikthyer e Beratit shihni për qytetin?
Sigurisht, që ka ende shumë punë për t’u bërë. Zhvillimi i qytetit është një proces dhe nuk përfundon asnjëherë. Mendoj se çdo qytetar duhet të japë kontributin për ta bërë Beratin një qytet më të mirë.



