Gara e ethshme për drejtimin e ‘FBI-së shqiptare’, Byrosë Kombëtare të Hetimit, besohet se është ngushtuar mes Joni Ketës dhe Elton Kërlukut. Kreu i SPAK-ut Altin Dumani mbështet Elton Kërlukun, ndërsa ish kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, pjesë e komisionit të vlerësimit, mbështet Joni Ketën. Besohet se vota përcaktuese do të jetë ajo e Behar Dibrës për kandidatin që do t’i propozohet KLP-së për votim.
Në media është folur për karrierën e Joni Ketës si OPGJ te Prokuroria për Krimet e Rënda, më pas si ndër të parët që iu bashkua BKH-së, funksioni si zëvëndësdrejtor i BKH, si një hetues që e njeh mirë fuknsionimin e ‘FBI-së shqiptare etj. Por, hetuesi Keta ka edhe një anë tjetër, e cila nuk është ekspozuar për publikun, ndonëse nuk e vesh atë me ndonjë përgjegjësi ligjore.
Një person që konsiderohet lidhje e ngushtë e Joni Ketës është i skeduar dhe i dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Ky personazh shumë i afërt dhe pjesë e rrethit të tij familjar e vendos Joni Ketën para një sfide të vështirë, pasi ish bosi i drogës që dyshohet se pastron paratë në ndërtim, është subjekt i ligjit anti-mafia, rrjedhimisht subjekt i veprimit të BKH-së dhe SPAK-ut.
Një nga kriteret për t’u bërë pjesë e BKH-së është pastërtia e figurës, madje kandidati kalon edhe testin e të vërtetës. Një verifikimi më të imtësishëm i nënshtrohen kandidatët për drejtues të BKH. Në dosjen e Joni Ketës që disponon komisioni përgjedhës nuk dihet nëse janë përfshirë udhëtimet e tij luksoze dhe të dyshimta, kontaktet me persona të përfshirë në krim të organozuar dhe nëse Ambasada Kanadeze i ka refuzuar vizën.
Mbetet në vlerësimin e publikut, SPAK dhe KLP-së nëse kjo lidhje, e njohur nga shërbimet informative dhe policia, e kompromenton figurën e kandidatit për drejtimin e BKH-së, i cili nëse zgjidhet duhet të mbrojë të afërmin e tij nga veprimi i ligjit anti-mafia ose të asistojë SPAK-un për një hetim pasuror ndaj kunatit të tij.
Joni Keta është i biri i zonjës Majlinda Keta, lektore pranë Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Tiranës. Majlinda Keta është një zonjë e nderuar dhe një zë serioz publik. Por, zonja Keta ka qenë edhe një eksponente e rëndësishme e Partisë Socialiste. Majlinda Keta ka qenë kretare e Forumit të Gruas në PS.
Joni Keta është nipi i ish kreut të SHISH, Bahri Shaqiri. Pas shkarkimit si drejtor i SHISH, Bahri Shaqiri u afrua me Lëvizjen Socialiste për Integrim, partinë familjare të Ilir Metës, me emër të ndryshuar në LSI. Madje Shaqiri ka kandiduar edhe për deputet në Qarkun e Durrësit, me siglën e LSI-së. Më herët, Shaqiri ka mbajtur postin e këshilltarit të Ilir Metës për Sigurinë Kombëtare kur ishte President. Sot Ilir Meta është i pandehur i SPAK-ut për korrupsion dhe pastrim parash.
Gjithashtu, Joni Keta është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili mban postin e këshilltarit të etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Hysen Keta u shkarkua nga detyra në vitin 2019, por u rikthye në detyrë në vitin 2022 nga KPA. Ai u shkarkua për probleme me ndërtimin e një shtëpie tre katëshe mbi një truall të trashëguar nga i ati, mungesën e dokumentacionit për të ardhurat e përfituara si avokat në vitet ’90 si dhe mungesë burimesh të ligjshme. Por, KPA-ja e gjeti të padrejtë vendimin e KPK-së.
Ndërkaq, bashkëshortja e kandidatit për drejtimin e BKH-së ka punuar në Bashkinë e Tiranës dhe aktualisht në OSHEE, dy institucione që janë obekt hetimi nga BKH-ja.
Ai është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili për pesë vite ka drejtuar Prokurorinë e Përmetit.
Hysen Keta e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror, ai ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit në Prokurorinë e Tiranës.
Në vitin 2017, Keta u komandua drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Përmetit, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2022, kur u komanduar si Këshilltar i Etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar. Hysen Keta u shkarkua nga shkalla e parë e vettingut por arriti t’i provonte KPA-së se duhet të kthehej në detyrë dhe ashtu ndodhi. Vendimi i parë u prishë.
Edhe Joni Keta ka një karrierë vetëm në ngjitje në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Ai ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta garon për t’u përfshirë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ky institucion konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një vit më parë, në 2024, ai garoi bashkë me gjashtë kolegë të tjerë për të marrë postin e zëvendësit të Aida Hajnaj. Në fund të garës, Joni Keta u zgjodh fitues dhe sot shërben si zëvendës drejtues i BKH-së dhe njëherësh drejtues i komanduar pasi Aida Hajnaj i ka përfunduar mandati.