16.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Dita e ndëshkimit të së keqes?

    Nga Bedri Islami

    Data 21 dhjetor, do të ketë rëndësinë e saj të veçantë, bile edhe përtej saj, do të jetë një datë simbol në shkundjen e pushtetit sundues, oligarkisë politike dhe shembjen e mitit të njerëzve të paprekshëm.

    Kuvendi i Shqipërisë do të marrë në shqyrtim dhe do të vendosë mbi heqjen ose jo të inunitetit të deputetit Sali Berisha, miti i të cilit si i paprekshëm, jashtë ligjit dhe mbi ligjin, do të bjerë, pasi është në tullat e fundit të murit të krijuar nga vetë ai, në shumë vite.

    Në fakt, megjithëse është ngjarje e rëndësishme politike, gjithçka është e vonuar. E majta në pushtet, sidomos në vitin 1997, u bë bashkë fajtore. Ata lejuan që krimi i ndodhur në vitin 1997 e më parë se ai, të marrë formë të mëtejshme, të zërë vend, të fitojë të drejtën e paprekshmërisë, dhe, mbi të gjitha, të sfidojë shtetin, duke nëpërkëmbur ligjin.

    Akti i 21 dhjetorit është po aq i rëndësishëm, sa edhe vendimi. Ai hap një precedent të rëndësishëm në jetën e vendit, duke shkallmuar plotfuqinë e një grupi të vogël njerëzish, që, duke sunduar në këtë vend për 33 vite, menduan dhe realizuan idenë se janë mbi ligjin, mbi gjithçka që mund të ndodhë në sistemin e drejtësisë, mund të jenë vetë ligji.

    Kjo mendësi parapolitike, që është edhe përtej mendësisë moniste, bën që edhe tani, një njeri, krejt haptas të deklarojë se ai nuk do të njohë asnjë vendim të parlamentit, sepse mendon se është edhe mbi të, se nuk do të njohë asnjë vendim të SPAK, që, për të, nuk është asgjë tjetër veçse një organizatë e strukturuar kriminale.

    Ashtu si e ka përdorur dikur sistemin e drejtësisë për të goditur gjithçka ka mundur, shefa partie, njerëz të politikës, të medias, biznesmenë, figura politike të mërgatës, kundërshtarë të tij vetjakë, si ndodhi në Tropojë, ku u shuan mbi 200 të rinj; kërcënon se me dhunë do të përmbytë shtetin, pasi ende mendon sipas devizës, se “shteti jam unë”. Pasi deri tani asnjë segment i së drejtës nuk e ka kapur për veshi dhe t’i tregojë vendin.

    Bën thirrje për revoltë, të fshehur pas mosbindjes civile, që tani mund ta ushtrojë vetëm në sallën e parlamentit, ku shumë nga ata që i binden janë baloshë të pamend, e të ndershmit e mënçur janë të pakët.

    Kjo e enjte, sido që të shkojë, do të ketë vlerë të pazakontë për drejtësinë, pasi goditen ata që kishin zapuar pushtetin e saj; që kishin deleguar aty gjithfarë gjingjonësh dhe hajdarmatësh, mercenarë pa asnjë vlerë morale e kombëtare. Përtej saj, hapet rruga e ndëshkimit në shkallët e larta të korrupsionit politik dhe financiar.

    Shqipëria, ndryshe nga të gjithë vendet e ish Lindjes Komuniste, është kaq e vonuar në ndëshkimin e së keqes, duke lënë të hapur rrugët e krijimit të autoritetit sundues, që pa qenë mbretër, i dhanë vetes të drejta dhe pushtete të një monarkie absolute. Përse?

    Dështimi i 33 viteve të fundit, që zhduku despotizmin e monizmit, nuk përligji dot despotizmin e autokracisë së re politike. E dalë nga mjegulla dhe zezimi i një kohe, që për shumë kënd kishte qenë tejet e hidhur, e sunduar në shumë vite nga Njëshi, qoftë i katundit, i qytetit, i krahinës apo i shtetit, shqiptarët u tulatën nga shija e lirisë dhe lejuan të sundohen, e vazhdojnë të lejojnë të sundohen, nga një grupim parapolitike që pak kishte vlerat e lirisë në mendimin dhe në vizionin e vet.

    33 vitet e pluralizmit në Shqipëri janë një kohë thuajse e dështuar. 3 dekada e gjysëm jetë plurale kanë sjellë shumë më pak vepra, shpresë dhe besim, se njerëzit kanë pritur. Bile, më pak edhe nga dy dekadat e para të jetës në monizëm. Janë bjerrje të shpresës së madhe që kishim në dhjetor ’90 për një Shqipëri ndryshe dhe humbja e besimit të qytetarëve shqiptarë se ky vend do të bëhet.

    Rënia e komunizmit u përjetua si një fitore përsonale e një grupi njerëzish, që bënë opozitën. Këto intelektualë, shumica nga skalioni i dytë i elitës komuniste, u bënë përfituesit e mëdhenj materialistë, që, paturpërisht, shpallën triumfin e tyre kur komunizmi u shkatërrua dhe idealizmi i tij u dërmua nën peshën e praktikave që me gjasë do të realizonin idealizmin e të rinjve studentë. Këto përfitues politikë, financiarë, besuan se tanimë kishin liri të plotë veprimi, ishin mbi ligjin, mbi të drejtën dhe mbi jetët njerëzore.

    Figura e Berishës ishte përcaktuese për modelin që do të ndiqej; përmes tij, dhe sipas bindjes së tij, ata besonin se kishin të drejtë për gjithçka. Ata, ende pa bërë asnjë vepër historike, arritën në përfundimin se historia e tyre, sistemi që ata mburrnin ishte më i miri, i vetmi që mund të jetonte, megjithëse ai nuk ishte asgjë tjetër veçse shartimi i së keqes së djeshme me shëmtinë e së sotmes.

    Ata, sidomos Berisha, si shembulli i tyre dhe dishepuj të së cilit ishin, menduan se kishin fituar të drejtën morale të ishin arrogantë, hajdutë dhe vrasës.

    Shikoni rrugën politike të Berishës. Ndiqni me vëmendje hapat e tij. Si president i porsazgjedhur ai i dha vetes të drejta të pashembullta për një republikë parlamentare dhe vendosi ligjin e tij vetjak mbi ligjin e përgjithshëm. Si kryetar shteti urdhëroi të rrihen opozitarët në mesin e Tiranës, dhe këtë e bëri përmes strukturave të dhunës dhe njerëzve të tij të besuar. Si sundues i shtetit urdhëroi të armatosen njerëzit për të luftuar njëra pjesë kundër tjetrës.

    Si i pari i vendit, duke marrë mbi atributet e Enver Hoxhës, lejoi firmat piramidale dhe kërkoi shtypjen me tanke, lëndë helmuese, njësi paraushtarake, avionë të protestuesve në jug të vendit, duke synuar realizimin e një ëndrre të hershme pansllaviste, ndarjen në lumin e Shkumbinit të dy Shqipërive. Si shef i pozitës organizoi grushtin e shtetit të shtatorit 1998, thika më e ndjeshme pas shpine që do të kishte qenë për luftën çlirimtare në Kosovë.

    Pastaj vijnë Gërdeci, ku familja biologjike e kryeministrit të kohës ishte sunduese dhe gjaku rodhi për hir të pasurisë së tyre, për të vazhduar me 21 janarin, ku hisja është e tij dhe e birit të tij politik, Lulzim Bashës. Sado që ata të dy, ballë njëri tjetrit, të grinden, të santazhojnë, të anatemojnë, krimin e 21 janarit e kanë të përbashkët. Njerëz të panjohur morën “devidentët“ e tyre në luftën kundër komunizmit, edhe kur kishin qenë komunistë besnikë.

    Mediokriteti u shpall vlerë, bindja e verbër u shpall besnikëri, injoranca mori rolin e mendimit; paraja e fituar pandershmërisht u bë çështje nderi.

    Në  këto tri dekada u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse një klasë politike çoroditëse, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar oazet e saj politikë, financiarë dhe të krimit, janë ngritur resorte të habitshme, ku shumica janë përmes parasë së pistë, bashkëpunimit me krimin dhe zhvatjen e njerëzve.

    Nëse në marsin e vitit 1992 kishte një fillesë shprese se do të ndryshonte ky vend i bekuar dhe, nëse në qershorin e vitit 2013 kjo shpresë u përsërit, e shumë prej tyre humbën, kjo ka të bëjë pikërisht me këtë klasë politike, e cila, mjerisht, asnjëherë, edhe kur krimi ishte flagrant, nuk u ndëshkua, nuk u skuq dhe vazhdon të jetë përsëri e njëjta, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë.

    Dita e sotme, e 21 dhjetorit, pikërisht për këtë është e rëndësishme. Jo se çfarë do të ndodhë me Sali Berishën. Kupa e tij është derdhur prej kohe dhe asnjë mëkat i tij nuk mund të shfajsohet me luftën kundër autokracisë politike të Edi Ramës. Ai ka bërë mëkate dhe faje të mëdha politike edhe kur ka qeverisur nano, edhe kur qeveria është drejtuar nga Majko, edhe në kohën e lir Metës, kurdoherë. Nëse me disa prej tyre është mik pastaj, kjo nuk ka të bëjë me vlerën, por me antivlerën, talljen e shoqërisë shqiptare dhe sundimin e saj. Nëse ne jemi nënshtruar vullnetarisht, ky është mëkati ynë.

    Rasti Berisha sot është një precedent se parlamenti, politika , klasa politike nuk mund të bënte katarsin e saj, të vetë pastrohej. Duhej një strukturë mbi të, jashtë politikës, që gjykon dhe ndëshkon pikërisht atë që ka fshehur nën mëngë klasa politike : krimin. SPAK, që sot gëzon besimin më të ndjeshëm në mendimin e njerëzve dhe institucionet perëndimore, si ndodhte para disa viteve me Kontrollin e Lartë të Shtetit, ka shansin të jetë faktor historik në ndëshkimin e së keqes.

    Nëse për shumë kënd , kudo që janë, veshja e kryeprokurorit të SPAK; zotit Dumani, me jelek mbrojtës ishte lajm i keq, për mua është lajm i mirë. Krimi po e njeh ndëshkimin, ashtu si shteti po fillon të mbrohet nga krimi, duke mbrojtur luftëtarët e radhës së parë në këtë luftë.

    A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike? Të gjithë shefat e qeverive që kanë shkuar në këto 33 vite sot janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend; thuaj të gjithë ministrat kanë qenë pjesë e barbarisë së zhvatjes së pasurisë së përbashkët.

    Liderë politikë që janë të lidhur me banditë të rrugëve gjenden kudo; gremina financiare janë krijuar në të njëjtën kohë kur janë ngritur edhe resortet madhështore, kultivimi i drogës, përhapja e shitja e saj, sidomos përtej kufijve ka qenë e mbetet praktikë e zakonshme…vjedhje masive të zbuluara e të padënuara…, vrasje, vetëm në Tropojë janë mbi 200 djem të rinj të vrarë, për të cilët nuk është dënuar askush, sepse klasa politike është organizatore e tyre; vrasje gjykatësish, si i ndjeri Konomi, me urdhër të qarqeve të larta të lidhura me politikën, median dhe pronat në bregdetin e lakmuar të Lalzit, vrasje në mesin e bulevardit, ku gjthçka është bërë në dritën e diellit, barbarisht, ndaj njerëzve me duar në xhepa; vrasje në Gërdec, ku, megjithëse dihet fare mirë se kush ishte “sy peshkaqeni”, asnjë institucion drejtësie nuk kishte guximin minimal të thërriste një pinjoll kryeministror…

    Tenderë të dhënë firmave fantazmë, ku milioma euro do të ndaheshin nga njerëzit e politikës…banditë që blejnë vota, shesin emra deputetësh, deputetë që kujdesen për pronat e banditëve kur këto janë në burgje dhe, në fund, si një përtallje për gjithë çka ndodhur, erdhi struktura Kap Çfarë të Kapësh, KÇK, që bërti sikur i ngacmoi bandat e rrugës, por nuk tentoi të prekë bandat e politikës. Ndaj edhe dështoi.

    Koha për të pasur një gjykim për një klasë politike thellësisht të korruptuar e skajmërisht antikombëtare ka qenë prej shumë kohe. Në tri dekada, jo rastësisht, mbi këtë vend, kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar, dhe do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.

    Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtëmendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme ,por vendosëse deri në vrasje, shpërthimin e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviqit e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, në Shqipëri ndëshkueshmëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzistente. Shpesh herë ajo është shpërblyer.

    Me një ulërimë vrastare, në pak kohë, klasa politike u bashkua përgjithësisht në një lukuni ujqërore, për të mbështetur fuqishëm njëri tjetrin në një përballje që do të mund të vinte, dhe që, për fat të keq, nuk erdhi kurrë.

    Çfarë është kjo klasë politike, e cila ka zaptuar shtetin?

    Mjerisht , ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen, e më pas edhe kombin.

    Kja klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti sipas alternativës tetëvjeçare, e riardhur, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijëra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stërritet e ushtron presionin e saj të kudoqofshëm, deri në absurditet, por tashmë, krejtësisht jashtë rrezikut për të ardhmen e tyre, kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet, qoftë edhe përmes përbaltjes dhe kriminalizimit të shtetit të tyre, ashtu si pala tjetër, edhe pas kriminalizimit të skajshëm të politikës, ku më shumë ndjehet forca e një bande të fortë se sa e një politikani të mënçur, mbahet pas pushtetit.

    Dita e sotme nuk është e rëndësishme thjeshtë se parlamenti do të heqë, ose jo, imunitetin e një deputeti. Kjo ka ndodhur edhe më parë, do të vazhdojë të ndodhë.

    Rëndësia e saj ka lidhje me thyerjen e mitit të njerëzve që mendojnë se sundojnë mbi ligjin, që krijuan fantazmën e të paprekshmëve, që dorën e hekurt e shtrinë mbi ligjet e shtetit dhe krijuan asfiksinë e së drejtës.

    Për këtë është e rëndësishme.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit