Avokati dhe ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla ka publikuar të dhënat për çështjet familjare që kanë mbërritur në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Civile, për vitin 2025. Në to, bie në sy numri i lartë i divorceve dhe dhuna në familje.
Gjatë vitit ë lamë pas, janë regjistruar 1385 padi të reja për zgjidhje martese dhe 173 kërkesa zgjidhje martese me marrëveshje.
“Nga pikëpamja juridike kjo tregon se shumica e divorceve nuk realizohen me marrëveshje sipas procedurës së shkurtuar, pasi palët zakonisht kanë konflikt për kujdestarinë e fëmijëve, pensionin ushqimor, pasurinë bashkëshortore e më pak për shkakun e divorcit”, shkruan Balla.
Sipas tij, në praktikën gjyqësore këto mosmarrëveshje përkthehen në procese më të gjata, më shumë seanca gjyqësore, më shumë ekspertiza sociale dhe psikologjike, më shumë «punë për avokatët», por më shumë stres për çiftet që divorcohen.
Gjithashtu, nga të dhënat që ndan ish-kreu i Qeverisë së Prokurorëve, bie në sy se paralelisht me divorcet ka edhe një numër shumë të lartë të urdhrave të mbrojtjes. Për 2025, janë kërkuar 1002 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 444 kërkesa për urdhër mbrojtje.
“Urdhri i menjëhershëm jepet kur ekziston rrezik i menjëhershëm për jetën ose shëndetin dhe gjykata vendos shpesh brenda 24 orëve. Numri i madh tregon një përdorim të mirë të ligjit për dhunën në familje, ndërhyrje të shpejtë të gjykatës për mbrojtjen e viktimave, por tregon edhe shkallën ende të lartë të dhunës së ushtruar kryesisht nga burrat në familje, në atë familje të cilën duhet ta mbrojnë. Kjo është e trishtueshme”, shkruan Alfred Balla.
Interesante janë edhe të dhënat për konfliktet për pasurinë bashkëshortore, të cilat tregojnë për 142 padi të reja për pjesëtim të saj, një pasojë tipike e divorceve konfliktuale. Në praktikë proceset për pasurinë, shpesh zgjasin më shumë se vetë divorci e kërkojnë ekspertiza financiare, vlerësime pasurish, analiza të kontributit të bashkëshortëve etj,.
Gjithashtu, avokati Alfred Balla publikon edhe të dhënat për çështjet për përgjegjësinë prindërore, çështjet e atësisë dhe birësimet e pavlefshmërinë e martesës.
Më poshtë, shënimi i plotë i ish-kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë:
– Dominimi i padive për zgjidhje martese. Të dhënat tregojnë 1385 padi të reja për zgjidhje martese dhe 173 kërkesa zgjidhje martese me marrëveshje, të regjistruara në 2025. Nga pikëpamja juridike kjo tregon se shumica e divorceve nuk realizohen me marrëveshje sipas procedurës së shkurtuar, pasi palët zakonisht kanë konflikt për kujdestarinë e fëmijëve, pensionin ushqimor, pasurinë bashkëshortore e më pak për shkakun e divorcit. Në praktikën gjyqësore kjo do të përkthehet me procese më të gjata, më shumë seanca gjyqësore, më shumë ekspertiza sociale dhe psikologjike, më shumë «punë për avokatët», por më shumë stres për çiftet që divorcohen.
– Numri shumë i lartë i urdhërave të mbrojtjes. Shifrat për 2025 tregojnë se janë kërkuar 1002 urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 444 kërkesa për urdhër mbrojtje. Nga ana juridike kjo është shumë domethënëse. Urdhëri i menjëhershëm jepet kur ekziston rrezik i menjëhershëm për jetën ose shëndetin dhe gjykata vendos shpesh brenda 24 orëve. Numri i madh tregon një përdorim të mirë të ligjit për dhunën në familje, ndërhyrje të shpejtë të gjykatës për mbrojtjen e viktimave, por tregon edhe shkallën ende të lartë të dhunës së ushtruar kryesisht nga burrat në familje, në atë familje të cilën duhet ta mbrojnë. Kjo është e trishtueshme.
– Konfliktet për pasurinë bashkëshortore. Statistikat tregojnë për 142 padi të reja për pjesëtim pasurie bashkëshortore. Kjo është një pasojë tipike e divorceve konfliktuale. Në praktikë proceset për pasurinë, shpesh zgjasin më shumë se vetë divorci e kërkojnë ekspertiza financiare, vlerësime pasurish, analiza të kontributit të bashkëshortëve etj,.
– Çështjet për përgjegjësinë prindërore. Shifrat tregojnë për 31 padi të reja për ndryshim vendimi mbi përgjegjësinë prindërore si dhe 9 padi për pension ushqimor. Nga praktika gjyqësore kjo tregon se shumica e çështjeve për kujdestarinë zgjidhen brenda procesit të divorcit dhe vetëm një numër më i vogël rikthehen në gjykatë për ndryshim vendimi.
– Çështjet e atësisë. Vihen re se janë 15 padi të regjistruara për njohje atësie dhe 65 për çnjohje atësie. Juridikisht këto janë procese shumë specifike dhe lidhen me prova biologjike (test ADN) kur ka kontestime të statusit juridik të fëmijës. Fakti që çnjohja është më e lartë tregon se shumica e proceseve lindin nga konflikte pas lindjes së fëmijës ose pas ndarjes së çiftit.
– Birësimet dhe pavlefshmëria e martesës. Shifrat janë relativisht të ulëta ku kishte 14 kërkesa për birësime dhe 22 padi për pavlefshmëri martese. Këto janë procese më të rralla dhe kërkojnë verifikime të thelluara nga gjykata e përfshirje të institucioneve shtetërore e sociale.




