Kjo është historia e një gruaje të ve, e cila ka humbur burrin e saj tragjikisht, pas problemeve të rënda dhe një aksidenti në punë vendos t’i jap fund jetës, e cila vjen sot në “Për Shqiptarët” në Top Channel!
Në 2 gusht të vitit 1992 do të lind në një fshat të Elbasanit, Zavalinë, një vajzë që do ta quanin Shqiponja. Nuk do të ishte fëmija i vetëm, do të kishte një motër dhe një vëlla.
Pasi mbaron shkollën 9 vjeçare, Shqiponja do të qëndronte në shtëpi, do ndihmonte familjen me punët e fshatit e nuk do ta vazhdonte shkollën, për shkaqe ekonomike.
Pasi kishte mbushur 18 vjeç, vëllai i burrit të hallës, do të ndërhynte për ta njohur Shqiponjën me një djalë nga Belshi. Ai quhej Fiqëri, ishte thuajse një dekadë më i madh se Shqiponja.
Ishte djalë i mirë, e kishte njohur vetë, kishin punuar të dy në emigrim, në Greqi dhe kështu u bë, çifti u lidh me lajmësi. Pasi familjet u njohën dhe çifti lidhi kurorë, Shqipja vendosi që të shkonte bashkë me Fiqëriun në Kallamata të Greqisë për një jetë më të mirë.
Fiqëriu punonte në ndërtim ndërsa Shqiponja shtëpiake. Ajo mbeti shtatzënë dhe më 28 gusht të vitit 2013 çifti do të gëzohej me një vajzë të bukur që do ta quanin Fjorada.
Lumturia nuk zgjati shumë, pas një aksidenti të rëndë…
Fiqëriu gjatë punës në ndërtim, bie nga skela nga lartësia e katit të dytë. Gjendja shëndetësore ishte tepër e rënduar. Shqiponja nuk e ndihmonte dot, familjarët ishin larg, nuk kishte askënd. Ai nuk punonte me dokumente të rregullta e kështu nuk arrinte dot as të përballonte trajtimet dhe kostot e spitalit. për shkak të mungesës së siguracioneve. Edhe pronari që e mori për “punë në të zezë” i ktheu shpinën, duke mos e ndihmuar si i aksidentuar në skelë. Pasi kaloi rrezikun më të madh, qëndroi në shtëpi i bllokuar, në regjim shtrati, i gjymtuar nga shtylla kurrizore duke u bërë i paaftë për punë.
Pas 8 vitesh në Greqi, pasi jo vetëm që nuk arritën dot të hiqnin para mënjanë, por shpenzuan dhe ato që kishin fituar, Shqiponja dhe Fiqëriu diskutonin se në këtë pamundësi do të ishte më mirë të kthehen në Shqipëri.
Viza për të qëndruar 3 muaj në shtetin Grek kishte kaluar vite të tëra, e kështu jo vetëm që Fiqëriu duhet të paguante gjobë, sipas legjislacionit në fuqi, por për më shumë do të merrte dhe përjashtimin për të mos shkelur më në tokën greke për të paktën një 10 vjeçar. Në vitin 2018, Shqiponja mbetet shtatzënë dhe lindi djalë që e quajtën Alkion.
Një vit më pas familja me katër anëtarë kthehet në Belsh, në fshatin Trojas. Do të jetonin me vjehrrin në një shtëpi të vogël, të vjetër, të parregulluar, në kushte tepër të vështira. Burrë e grua do të punonin me duhanin, vjelje, qepje, shitje për të ushqyer familjen.
Të dy bënin drutë bashkë, punët e fshatit dhe gjithçka mundeshin për ekonominë e familjes. Fiqërin e njihnin të gjithë, ishte i urtë, punëtor që e donte dhe e respektonte gruan. Si çift shkonin mirë bashkë por ai ishte shumë i mbyllur, shqetësimet dhe hallet që e mundonin nuk i ndante me askënd, as edhe me bashkëshorten e tij. Po ashtu edhe vendimet i merrnin bashkërisht.
Më data 8 gusht të vitit 2023, do të bëhej “e pabëra”.
Ditë e hënë. Fiqëriu dhe Shqiponja zgjohen herët në mëngjes, shkojnë të vjelin duanin, mbarojnë punë dhe kthehen në shtëpi. FIqëriu i kërkon bukë dhe më pas i thotë gruas se do të shkoj në Belsh të blej materiale për të rregulluar shtëpinë.
Ora 12:00 Shqipja e merr në telefon, ai nuk përgjigjet. I shkruan mesazh: “Mos u vono, se kemi punë, do qepim duhanin”.
Shqiponja e merr përsëri, por telefoni është i fikur. Provon ta marrë sërish në telefon por asnjë përgjigje. Kalon dreka, pasditja, shkon ora 22:00, asnjë lajm, asnjë mesazh, asnjë telefonatë.
Shqiponja e shqetësuar, nis të flasë në telefon me kushërinjtë në Belsh. A e ka parë ndokush Fiqëriun, burrin e saj. Ata i thonë se e kanë parë pasdite në qytezë por nuk dinë më shumë se kaq…
Shqiponja lë porosi, që kushdo që e shikon ta njoftojnë se e presin në Shtëpi. Gdhin ditë e re, data 9 gusht, ora 04:00. Vjehrri dhe Shqiponja bisedojnë se ka ndodhur diçka që Fiqëriu nuk është kthyer në shtëpi…
Merr në telefon kunatën dhe i thotë se Fiqëriu nuk ka ardhur në shtëpi dhe janë të shqetësuar, por ajo e ngushëllon duke i thënë se mund të ketë vajtur në Greqi.
Shqiponja nuk bindet, nuk e beson do këtë, pasaporta e Fiqëriut është në shtëpi… Vishet dhe niset për në Belsh.
Duke kërkuar në kafene, në një lokal gjen portofolin dhe telefonin. Kamarieri i thotë se Fiqëriu një ditë më parë ka lënë sendet personale dhe më pas askush nuk e ka parë se
ku ka vajtur.
Shkon te dyqani ku do blinte materialet e ndërtimit, flet me të gjithë njerëzit që e kanë parë dhe e njohur derisa Shqiponja e dëshpëruar shkon të kërkojë ndihmë në Drejtorinë e Policisë së zonës. Askush nuk di asgjë. Shqiponja kthehet në shtëpi dhe ushqen fëmijët.
Nisin telefonatat më pas nga kushërinjtë e burrit që i kërkojnë Shqiponjës për tu rikthyer në Belsh, por e shoqëruar me vjehrrin. Fjalia është e shkurtët dhe pa shumë sqarime:
“Fiqëriun e kanë gjetur në liqen”.
Shqiponja kthehet edhe një herë në Belsh por këtë herë në spital. E kërkon dhe nuk e gjen, flet me mjek e infermier por askush nuk i jep informacion. Kërkon ndihmë nga kunata, ajo vjen në spital dhe Shqiponja kupton, e ndien në kraharor se ka diçka që nuk shkon por askush si tregon.
Shqiponjës i bien të fikët, prandaj kunata e çon në shtëpi. Shqiponjës nisin ti thonë se gjërat nuk janë mirë, e nga analizat e spitali, e nënkuptuar është vdekja…, Fiqëriu nuk jeton më! Vajza dhe djali, edhe ata e kanë kuptuar se babai nuk jeton më.
Në televizor tani jepen lajmet për një burrë të mbytur në Liqenin e Belshit. Ai ishte babai i dy fëmijëve që tashmë kanë mbetur jetim.
Shqiponja nuk ka asnjë ngushëllim për fëmijët, edhe pse ata qajnë dhe kërkojnë babain, nuk e pranojnë dot fatkeqësinë që i ka rënë.
Mblidhen njerëz në shtëpi, madje nga darka vjen edhe trupi i pajetë i 39 vjeçarit, humbja nuk mund të mbahet më e fshehtë.
Kështu Shqiponja vendos t’i tregoj vajzës, Fjoraldës, se babai i saj nuk jeton më, duhet të bëhen të fortë dhe të kenë shpresë se do të vijnë ditë më të mira… Të paktën janë të tre bashkë…
Shqiponja mbetet vetëm me një dhomë, pa kushte, pa askënd në krahë.
Vjehrri i saj nuk e ndihmon dot, heshtja flet… ndaj si mbetet asgjë tjetër veçse të largohet e të kthehet te shtëpia e nënës dhe babait. Edhe aty kushtet janë të vështira, por të pakën ka dikë që mund ta ndihmojë. Në kushte të mjerueshme, me brengë në zemër, e pashpresë gruaja 32 vjeçare dhe fëmijët e saj janë shpërngulur në Gjegjan, Elbasan.
Ka kaluar një vit nga vetëvrasja e Fiqëri Xhajës në Liqenet e Belshit, një ngjarje tragjike që ka tronditur këdo që e ka dëgjuar dhe e kujton këtë lajm.
Por gruaja dhe sidomos fëmijët se kanë kaluar ende dhimbjen.
Shqiponja ka edhe halle të tjera, nuk ka punë, nuk ka shtëpi, duhet të ushqejë, të veshë e të mbath dy fëmijët e saj. Djali i vogël ka probleme me sytë, duhet të kryejë një ndërhyrje pas disa vitesh për shkak të një nishani pranë bebes së syrit. Mban syze me numër të lartë.
Fjori dhe Alkioni duan të shkojnë në shkollë, të blejnë libra dhe mjete mësimore.
U mungon babai, e kërkojnë vazhdimisht.
Shpesh djali që sot është 6 vjeç nuk ha bukë, pret se mos vjen i ati.
Voçërraku nuk di të kuptojë sa e vështirë dhe e padrejtë është jeta…
Shqiponja i ngushëllon çdo ditë duke i thënë se: Kujtimi i babit do të jetë diell në një ditë me shi,
përqafimi i tij do të vijë shpesh në ëndrra, Babai është një engjëll lart në qiell që do t’u buzëqesh e do i mbrojë, sa herë do ta kujtojnë me mall e dashuri…(TCH)